Malet dhe Emërtesat e Tyre
Prolog
Popullata Koyukon Athabaskan që banon përqark malit më të lartë të Kontinentit të Amerikës Veriore e quan majën e atij mali Dinale si dhe Denali (respektivisht përkthehen I Larti dhe I Madhi). Shtatë popullatat indigjene në Alaska e thërrasin malin me fjalë që kanë gjithashtu kuptimin I Larti ose I Madhi. Në kohën kur Alaska, shteti ku ngrihet ky mal, ishte në pronësi të rusëve ata e emërtuan majën në gjuhën e tyre Bolshaja Gora që është përkthimi në rusisht i fjalës Denali. Për një periudhë të shkurtër (fundi i viteve 1880 dhe fillimi i viteve 1890) ky mal u quajt Densmore’s Mountain për nder të Frank Densmore, një kërkues ari në Alaska, i cili ishte i pari Evropian që arriti rrëzën e malit.
Më 1896 një kërkues ari e emërtoi këtë mal McKinley si mbështetje politike për kandidatin e atëhershëm për President të Sh.B.A. William McKinley (i cili u zgjodh president). Emërtesën Mount McKinley Sh.B.A. e njohu formalisht mbasi Presidenti Wilson firmosi aktin “Mount McKinley National Park” më 26 Shkurt 1917. Këshilli për Emrat Gjeografikë i Alaskës e ndërroi emrin e malit në Denali, pra me emrin sikundër i referohet popullata lokale. Megjithatë, një kërkesë e vitit 1975 nga Legjislacioni i Shtetit të Alaskës drejtuar Këshillit të Sh.B.A për Emrat Gjeografikë që të bënte të njëjtën gjë u bllokua nga kongresmeni i Ohajos, Ralph Regula, distrikti i të cilit përfshin vendlindjen e McKinley-it. Anëtarët e delegacionit të Kongresit të Ohajos vazhdojnë të mbrojnë emrin McKinley, duke bllokuar tentativat nga ana e delegacionit të Kongresit të Alaskës për të arritur që Këshilli i Emrave Gjeografikë të Sh.B.A. ta ndryshojë në Denali. Kështu, ndërsa shteti i Alaskës i referohet malit si Mali Denali, pronari i parkut kombëtar e quan atë Mali McKinley.
Kjo majë u ngjit nga tre alpinistë shqiptarë më 26 Qershor 2013. Në dëshminë që sejcili alpinist mori nga Shkolla e Alpinizmit të Alaskës (AMS), që funksionon në Parkun Kombëtar Denali, në mbyllje të veprimtarisë, cilësohet se “ngjiti majën Denali.” Emërtesa e banorëve lokalë të malit po mbizotëron ndaj emërtesës McKinley e cila ka fituar ma shumë terren në markat (Brend-et) e pajimeve alpinistike. Duket se këtij konflikti po i vjen fundi: para do kohe në Sh.B.A. doli modedha 25 cent-ëshe Denali dhe administrata Obama ka vënë në vijë aprovimin e të gjithë instancave ligjvënëse që ky mal të njihet me emrin që e thërret popullata autoktone: Denali.
Jezera
Bazuar në Revistën MINEVRA, Nëntor 1934, faqe 19-22, maja e Jezerës është ngjitur me synime sportive për të parën herë nga një grup të rinjësh të qytetit të Shkodrës më 25 Korrik 1934. Ky grup u nis nga Shkodra më 17 Korrik 1934 dhe pasi kaloi nëpër një sërë vendesh të Dukagjinit dhe Kelmendit u kthye në Shkodër në fund të muajit (ju kujtoj se n’atë kohë nuk kishte asnjë rrugë automobilistike në ato anë). Paragrafi i maposhtëm është shkëputur, pa ndryshuar asgjë, nga numuri i revistës në fjalë.
“…… Ne nesret (dt 25 Korrik – shënimi im) marrim të zotin e shpis (të zotin e stanit – shënimi im) e nëpër livadhe me lule bjeshkësh – çajë mali, soje gjithfarësh të luleve “mos më harro” genciana – kalojm nëpër gurrisht të rranxës të Jezerës. Lugina të vogla dhe humnere të kthella 400 – 500 m gjatë, shkrepa, rrasa e gurishtë t’imtë, gryka e maje paramalesh shkojn tuj ndrue gjatë rrugës të marrun deri sa tuj u kacavjerrë e tuj u majtë ma tepër me duer se me kambë mrrijm në Jezerë, i pari grup shqyptar në majen ma të nalten e verit. Neper mjet të reve dallojm male e lugina mbushë me borë, shkrepa gjith nduer trajtash e livadhe të vogla ende të rita prej borës së shkrime, nji det malesh e grykash të paraqitet në një harmoni të jashtzakonshme, me të kujtue panorama madhështore t’alpeve qandrore. Ku t’ja fillojm ma parë me caktue shka shofim? Afër nesh kemi male të tjera të grupit Jezera e Popllukë, mbas tyne liqenin e Gshtarës, prej të cilit duket se e ka emrin ky grup (sll. Jezerca = liqe)…….” Turisti
Shënim: gërmat italike janë në origjinalin e shkrimit-shënimi im.
Ky paragraph, sigurisht me vlera për historinë e alpinizmit në vendin tonë, nën këndvështrimin tim ka rëndësi të veçantë për emrin e malit: JEZERA.
Emri Jezera për majën më të lartë të Bjeshkëve të Namuna (Alpet Shqiptare) përdoret nga banorët e moshuar të fshtrave Theth, Rogam dhe Valbonë që jetojnë në rëzat e këtij mali. Kjo fjalë (në formën jezera dhe jezeri) për banorët e këtyre anëve përdoret njëlloj (me koptim të njëjtë) për fjalët mjegull dhe re. Dhe kjo ka kuptim për realitetet e elementeve atmosferikë në atë zonë për malin në fjalë: maja e Jezerës është maja e parë që “kapet” nga retë apo mjegulla. Me pak njohuri nga fusha e fizikës kjo spjegohet, por është e pavend të trajtohet në këtë shkrim. Mjafton të theksohet se në çdo bllok malor maja më e lartë ka të njejtin fat. Megjithatë, ashtu sikundër kushdo që shkon në shkollë, ne në librat e gjeografisë mësojmë, për habi, se maja më e lartë e Alpeve tona quhet JEZERCA! Nga kush quhet kështu?, kur autoktonët e quajnë JE ZE RA?
Kam rastin të vë në dukje se në librat e gjeografisë shkollore nuk na mësohet që në faqen veriore të majës, duke filluar nga rrëza e faqes shkëmbore të saj, për pak qindra metra, shtrihet në drejtim të veriut një akullnajë. Nuk është e madhe, por është akullnajë. Mendoj se do ishte mirë, veçanërisht për brezin e rinisë, ta njohim këtë fakt ngaqë sejcili nga ne do të kishte edhe një arësye më shumë për t’ju afruar këtij mali dhe për të admiruar akullnajën bashkë me natyrën dhe madhështinë e Alpeve tona.
Pagëzime
Në kronikat e veprimtarive alpinistike të kryera në vendin tonë pas Luftës së Dytë Botërore gjejmë këtë rekord: ‘Ekskursioni u ndërmor, për nder të zgjedhjeve, në malin e Tomorit në Majën e Çukës (Maja e Kulmakut-shënimi im) më 21 Maj 1950. Morën pjesë 49 vetë dhe veprimtaria u organizua nga Komiteti i Kulturës Fizike e Sporteve. Aktiviteti u udhëhoq nga alpinisti L.Sh. I deleguar nga K.K.F e Sporteve ishte M.K., i cili në këtë aktivitet kryesoi ceremoninë e rastit të organizuar në Çukën e Tomorit të cilës ju dha emri Çuka Partizani.
Me ceremoni apo pa ceremoni, në lëvizjen alpinistike gjatë periudhës 1950 – 1970, me porosi të institucioneve shtetërore dhe partiake, në disa maja malesh janë kryer ngjitje alpinistike enkas për të pagëzuar majat e maleve me emra të rinj. Ja lista e këtyre pagëzimeve që disponoj – pra, mund të mos jetë e plotë:
Nr. Emri i majës së malit Emëri i pagëzuar Viti i pagëzimit
01. Maja e Kulmakut Çuka Partizane 1950
02. Maja e Hekurave Maja e Paqes 1950
03. Maja e Jezerës Maja e Rinisë 1960
04. Maja e Popllukës Maja 8 Marsi 1960
05. Maja e Tomorit Maja 11 Shkurti 1965
06. Maja Sqeta e Cjapit Maja 25 Gushti 1967
07. Maja e Radohimës Maja Shkurte Pal Vata 1967
08. Maja e Madhe (Shnik) Maja Skënderbeu 1968
09. Maja Gryk e Hapt Maja Ismet Sali Bruçaj 1969
10. Maja e Vishensit Maja e Dritës 1970
Nga përvoja që kam si alpinist vë re se maja që ka një farë parapëlqimi që të thirret me emrin e pagëzimit është Maja Gryk e Hapt (Ismet Sali Bruçaj). Ky parapëlqim,besoj, ka tre arësye: 1. Ka harta të reja që pasqyrojnë këtë majë me emrin e pagëzimit; 2. Për këtë majë lartësia është shënuar gabimisht 2.625,6 metra (rezulton kështu e dyta për nga lartësia në Alpet tona!); 3. Mali Gryk e Hapt figuron në hartat e reja me dy maja, njëra me emrin e saj (Gryk e Hapt) dhe tjetra me emrin e pagëzimit (Ismet Sali Bruçaj).
Le të nyjëtojmë sa ma sipër.
1. Nëse në ndonjë hartë një mal ka emrin e pagëzimit a ka arësye që majat e tjera të mos e kenë emrin e tyre të ri? A nuk i takon Federatës Shqiptare të Alpinizmit dhe Turizmit Malor të dijë qëndrimin që duhet të mbajë për këto raste? Apo ndoshta ka ardhur koha që Federata Shqiptare e Alpinizmit dhe Turizmit Malor dhe Instituti Gjeografik Ushtarak (ndoshta edhe institucione të tjera) të bashkëpunojnë në këtë drejtim?
2. Lartësia mbi nivelin e detit për këtë majë është vënë re e gabuar nga alpinistët që në kohën e botimit të hartave topografike në gjuhën ruse (2.625,6 metra sipas rishtypjes më 1952), ndërkohë që për majën që është pa emër dhe në J-JP të saj jepet lartësia 2.529 metra (kjo majë nga të moshuarit e Luginës së Valbonës quhet Maja e Madhe ndërsa popullata nga ana e Luginës së Currajve këtë majë e quan maja e Lugbatit ashtu sikundër edhe bjeshkën e saj nga ajo anë). Besoj se po të ishte Maja Gryk e Hapt më e lartë popullatat e asaj ane nuk do e quanin majën përkundrejt saj Maja e Madhe. Por fakt bindës është se kur alpinisti ngjitet në Majën e Madhe e sheh majën Gryk e Hapt nga lart poshtë në mënyrë të dukëshme (ndjeshme).
3. Për alpinistët që ngjiten majave të maleve Mali Gryk e Hapt ka qenë dhe është mal me një majë. Nga na dolën dy (në disa harta)?! Në atë majë, në një ditë janari të vitit 1969 një grup alpinistësh (atyre ju dha detyrë partie!) vendosi aty pllakatin, që ishte porositur të prodhohej jo nga Federata e Alpinizmit të asaj kohe, me shënimin Maja Ismet Sali Bruçaj. Dhjetë muaj më vonë, vet i gjashtë, tek ngjiteshim për në majë e gjejmë pllakatin të shkarë disa metra më poshtë. E morëm dhe e vendosëm rishtaz në majë (nuk kishte, dhe nuk ka, majë tjetër ku ta vendosnim).
Mbyllje
Dikur, askurrë nuk do më shkonte mendja që një ditë do ulesha e të shkruaja një artikull të tillë. Por sigurisht që jeta të hedh edhe në dashuri të pa parashikuara ashtu sikur e ndjej për vehten time që i lindur dhe rritur në qytet, madje dhe me prindër me prejardhe qytetare prej brezash, të dashurohesha pas maleve. Sigurisht, si i tillë nuk jam i vetëm. Veçse sot si duket erdhi dita t’i kujtoj lexuesve, institucioneve, etj., se duhet të ruajmë atë që kanë lënë të parët ngase kështu respektojmë paraardhësit tanë, vehten dhe traditat tona.