Patriarku, Tatëmadhi i Alpinizmit

Letra dërguar Dionisio da Borgo-s nga Francesco Petrarka më 1336.

Francesco Petrarca, filozof, poet dhe udhëtar, ka pas lindur më 20 Korrik 1304 në Arezzo. Më 1312 familja e tij u vendos në Carpentras, pranë Avignon. Ai është konsideruar një nga Humanistët e parë, pararendës i epokës së Rilindjes dhe bashkë me Dante Alighieri dhe Giovanni Boccacio një klasik i literaturës ‘Trecento’.

Burimi: Francesco Petrarca: The first Modern Scholar and Man of Letters (New York: G.P. Putnam, 1898.)

Sot unë realizova ngjitjen e malit më të lartë në këtë regjion, i cili eshtë emërtuar në mënyrë të gabuar Ventosum (ERA në Latinisht). Motivi im i vetëm ishte dëshira për të parë se çfarë të ofron një lartësi kaq e madhe.

Ekspeditën e kam patur në mëndje për shumë vite; ngase sikundër e dini unë kam jetur në këtë regjion që nga fëmijëria, i hedhur këtu nga fati që përcakton veprimtaritë e njeriut. Për pasojë mali, i cili është në dukë nga një largësi e madhe, ka qënë gjithnjë para syve të mij dhe unë isha ai që ngiza planin për të bërë atë që arrita sot.

Partnerët

Kur fillova të shikoj për një bashkëudhëtar, kuptova me habi të madhe se, ishte shumë e vështirë të gjeja një të përshtatëshëm midis shokëve të mi. Është shumë e rrallë që të takojmë përputhjen më të mirë të shijeve dhe karakteristikave që kemi, madje edhe midis atyre që janë më të dashurit me ne. (…) Të tilla mangësi, megjithse me peshë/madhore, mundet të jenë të lindura dhe miqësia pranon çfardo bare; porse është krejt ndryshe në një udhëtim, ku çdo dobësi a mangësi bëhet shumë më e rëndësishme.

Megjithate zgjidhja ishte përkrah meje: a mundet ta besoni? Unë ju ktheva familjes për ndihmë, dhe ja propozova ngjitjen vëllait tim të vetëm, i cili është më i ri se unë, e me të cilin ju njiheni mirë. Ai u mrekullua dhe ndjeu kënaqësi nga mendimi që do të ishte me mua në vendin e vëllait dhe bashkëudhëtarit njëherësh.

Ngjitja

Në orën e menduar lamë shtëpinë dhe në mbrëmje arritëm në Malaucene, i cili shtrihet në rrëzë/këmbë të malit, në anën veriore. Pasi pushuam këtu një ditë ne përfundimisht realizuam ngjitjen këtë mëngjes, duke patur si shoqërues askënd tjetër veç dy shërbëtorëve dhe po u them se ishte një detyrë e vështirë. Mali është mjaft i thepisur dhe thuajse një masë shkëmbore e pashteg, porse ashtu sikundër e ka thënë poeti aq mirë “Puna ngulmuese dhe e pandalë arrin gjithshka.” Ishte një ditë e gjatë dhe me qiell të mrekullueshëm. Ne ju kënaqëm furisë se mendjes dhe forcës e zhdërvjellësisë së trupit. Rrugës ndeshëm një bari të moshuar në një nga luginat e malit, i cili u përpoq, mandej ngulmoi, të na kthejë mëndjen, duke na treguar se diku pesëdhjetë vite ma parë ai pat, me të njejtin zjarr rinor sikundër edhe ne, arritur majën, por u shpërblye për mundimin e tij me asgjë tjetër veçse me lodhje e pendim, si dhe veshjet e trupi të shqyera nga shkëmbejtë dhe gjëmbart e trëndafilave të egër apo shkurret. Askush deri më sot, për aq sa ai apo shokët e tij dijnë, nuk ka tentuar të ngjitet para apo pas tij. Porse këshillat e tij më shumë e rritën se sa e dobësuan dëshirën tonë për të vazhduar, ngaqë rinia është mosbesuese ndaj këshillave.

Ndërsa vëllai im zgjodhi një shteg i cili të nxirrte drejt e në kreshtë unë me plogështi zgjodha një më të thjeshtë i cili në të vërtetë ulej. Kur më thirri vëllai dhe më tregoi shtegun e duhur, unë ju përgjigja se shpresoja të gjeja shteg ma të mirë nga ana tjetër dhe nuk do të pyesja nëse do shkoja edhe ma larg; mjaftonte që të gjeja shteg më pak të pjerrët. Ky ishte thjesht një justifikim për plogështinë time. Kur të tjerët (vëllai e shërbëtorët) arritën një lartësi të konsiderueshme unë ende vërdallisesha në luginë. Kisha dështuar në gjetjen e një shtegu më të thjeshtë dhe kisha shtuar largësinë e vështirësinë për ngjitjen. Përfundimisht ndjeva neveri për mënyrën e komplikuar që kisha zgjedhur dhe vendosa të kryej ngjitjen pa u ndjerë/zhurmë. Kur e arrita vëllanë, i cili ndërsa priti për mua pati mjaft kohë që të pushojë, isha i lodhur dhe i irituar (…) Është e tepërt të them, se nga irritimi im dhe për habinë e vëllait tim, unë bëra po këtë gabim të njejtë edhe tre herë të tjera brënda disa orësh.

Mbi retë

Përfundimisht ne arritëm një majë të malit, atë më të lartën nga të gjitha. Në majë kishte pak vend të sheshtë porse aty ne mundëm të pushojmë trupat tanë të lodhur. Fillimisht, për shkak të cilësisë së veçantë të ajrit dhe ndikimit të pamjes së gjërë që më hapej para syve, unë qëndrova si një i shushatur/maramendur. Shikoja retë nën këmbët tona.

Ky filozof bjeshkatar më tej shpjegon se kishte në dorë një botim të Shën Agustinit, “Rrëfimet”, një nga librat që për përmbajtjen ndikonte fuqishëm në mendimet e tij. Duke e hapur aty ku e zuri dora ai lexoi: “Dhe njeriu jepet për tu mrekulluar në lartësitë e maleve, dhe me valët e fuqishme të detit, dhe me përmbytjet e lumejve, dhe nga rrethi oqeanor, dhe nga rrotullimi i yjeve, por nuk e konsideron vehten.” Petrarka kurrë nuk ju ngjit ndonjë mali tjetër në jetën e tij. Pavarsisht nga kjo ai ishte bërë ndoshta “babai i alpinizmit” shekuj para se aristokratët Francezë, Anglezë, etj., zbuluan kënaqësinë e ngjitjes së maleve si sport.

Dy fjalë për malin

Mali Mons Ventosum sigurisht është ende aty ka qënë. Sot e quajnë Mont Ventoux (mali i erës në Frëngjisht). Është pika më e lartë e Provence-s, në Francën Jug-Lindore, me lartësi 1912 metra. I shtrirë pranë Carpentras-it, ai dallon nga mallet e tjera dhe ndeshet nga ndikime të rëndësishme klimatike: ndryshime të mëdha të temperaturës që shkojnë nga valë ajrore të nxehta në -30 gradë Celcius. Gjatë stinës së verës dita e zhegut mundet të pasohet nga dita e borës. Era mundet të arrijë 250 km/h, e që fryn nga të gjitha drejtimet.

Majat e malit ofrojnë pamjet më të gjëra të Francës: nga largësitë e tokave Italiane, në Mesdheun e kaltër, në Alpet Rhone dhe në ditët e kthjellta tek majat e masivit të Mont Blanc-ut (Malit të Bardhë). Është një vend i shquar natyral me një varietet të gjërë/madh llojesh vegjetare dhe kafshësh. UNESCO e ka klasifikuar “Réserve de Biosphère”.

Ngjitja në faqen veriore të malit nga Malaucène është 21 km e gjatë dhe ka një ndryshim në disnivel (qëndër banimi – majë) prej 1535 m. Një rrugë me çakull e bitum me një mesatare pjerrësie prej 7,3% (10% ne disa pjesë) e ka bërë malin Mont Ventoux një nga ‘kalimet ngjitëse’ më të famëshme për çiklistat.

II.

Komente

Nga leximi i këtij shkrimi, sikundër i çfardo shkrimi, mundet të bëjmë komente nga ma të ndryshmet. Do të komentoj disi shkrimin në drejtimin historik.

Nuk ka dokument të shkruar (ditar) të zbuluar deri më sot që të tregojë për njerëz të cilët i ngjiten majës së një mali. Këta burra u ngjitën në majë të një mali (nga qendra e banuar disniveli është 1535 metra!) shekuj ma parë se sa të caktohej data e lindjes së Alpinizmit si sport. E megjithse ka ndodhur kështu, bota, madje vetë Franca e francezët që mbajnë meritën e datës së lindjes së Alpinizmit, nuk e kanë ndryshuar atë. Shkrimi e “emron” Francesco Petrarca-n tatëzot (gjysh) të alpinizmit, por përsëri data e lindjes së alpinizmit si sport nuk ka ndryshuar.

Vetë shkruajtësi i letrës na sjell historinë e bariut të ndeshur rrugës: ai është ngjitur atje rreth pesëdhjetë vjet ma parë, por rishtaz nuk kemi në literaturën alpinistike komente se alpinizmi ka filluar nga ky barí diku rreth 1284-ës. E mundet të shtoj se llogjikshëm ka patur në këtë botë edhe barinj të tjerë që do jenë ngjitur në majë të maleve pranë kullotave të tyre në thellësi të shekujve. E ku ta dishë se kush ka qënë i pari që u ngjit në një majë mali! Mendoj se të ndjekësh dokumenta se kush u ngjit i pari në malet e botës apo të një vendi nuk ka rëndësi në caktimin e datës së fillimit të Alpinizmit, le pastaj faktin se nuk ka mundësi të gjindet. Të diturit se kush e kur u ngjit i pari në majë të malit nuk ka shërbyer si datë e fillimit të alpinizmit në Evropë (Botë).

Historia e ngjitjeve në male nuk fillon me datën e ngjitjes në majën e Malit të Bardhë. Le të kujtojmë që të parët që u ngjitën atje ishin Jaques Balmat, udhërëfyes dhe mbledhës kristalesh në male dhe Dr. Michel-Gabriel Paccard, më 8 Gusht të vitit 1786. Ka mjaft dokumenta që flasin se njerëzit ashtu sikundër kanë patur frikë nga mali e nga majat e maleve, frikë të lidhura me bestytni të ndryshme ndaj malit, ka patur edhe guximtarë të cilët i janë ngjitur malit e majave të larta kohë më parë se Gushti i vitit 1786. Sa për ilustrim:

Gjatë viteve 1881-1889 shkencëtari Kilian Françisko San Roman u ngjit disa herë në majat 4000 e 5000 metroshe të Atakamës. Për habinë e tij, ai vuri re pranë majave mbeturina të ndërtimeve prej guri, si dhe lidhëse shkarpash të llojit, që ende i përdornin vendasit. Këto ishin shenja bindëse që tregonin se dikur aty ka patur njerëz. Porse, raporti i tij për zbulimet, i botuar në librin “Shkretëtirat dhe malet e Atakamës (Santiago 1896) nuk tërhoqën në masën e duhur vemendjen e specialistëve.
Pasi kaluan disa vite udhëtari Uilliam Martin Konvej për rrugëtimin nga Peruja në Bolivi shkruajti:“Zoti Vagner, i cili punonte në gërmimet e Kajllomit, më tregoi për një dokument të vjetër, i cili ruhej tek pronari i minierës që nga koha e Konkistadorëve (shekulli 16-të). Në këtë dorëshkrim të vjetër përforcohet se Maja Çaçani (6.087 metra e lartë) ka shërbyer për inkasit si vend varrimi. Vetë Z. Vagner, pas një sërë përpjekjesh të pasuksesëshme, më së fundi u ngjit në majë, bashkë me një grup puntorësh vendas dhe kreu gërmime. Me keqardhje atij iu desh të bindej, se aty kishte qenë dikush para tij dhe i kishte boshatisur tërësisht varret (U.M. Konvej, Andet Bolioiviane, Londër 1901, faqet 56, 57).

E pra alpinizmi botëror nuk pati datëlindje ditën e parë të ngjitjes së njeriut në një majë mali, por kushte të caktuara historiko shoqërore. Ngjitësit e parë të Malit të Bardhë nuk e dinin se çfarë do të vendoste komuniteti i ngjitësve të maleve për bëmën e tyre.
Ngjitësit e parë në Malin e Bardhë nuk u ngjitën aty për të caktuar datën e fillimit të alpinizmit si sport, madje ata as nuk e dinin se bëma e tyre ma vonë do të caktone një ditëlindje.
Ngjitësit e parë nuk e dinin fjalën alpinizëm: ajo lindi ma vonë si një fjalë për të dalluar bashkësinë e njerëzve të cilët u ngjiten alpeve a maleve për kënaqësi shpirtërore e fizike.
Ngjitësit e parë, dhe mjaft të tjerë pas tyre, nuk i njihnin teknikat e ngjitjeve alpinistike, nuk kishin pajisje alpinistike, veç një shkopi (të cilin ju mundet ta shihni edhe në dorë të një udhëtari që kalon një shkretëtirë ranore).
Ngjitësit e parë nuk kishin veshje a këpucë të veçanta të cilat filluan t’i kenë pasuesit e tyre vite më vonë.
Ngjitësit e parë të Malit të Bardhë ishin krejt ndryshe nga alpinistët që shohim sot apo një shekull ma parë: si nga veshja, nga njohuritë teknike, nga pajisjet që përdoren, nga stërvitja, etj.

Megjithate, në të gjitha kohërat, ata që janë ngjitur apo ngjiten në majë të një mali, pavarsisht se si janë veshur apo lloji i pajisjeve apo teknikave që ata përdorin kanë një të përbashkët që i lidh: dëshira për të arrirë, për të arrirë një lartësi, për të sfiduar elementët e natyrës e të reliefit dhe për të soditur natyrën nga kjo lartësi.

III.

Në literaturën shqiptare për të parën herë e ndeshim fjalën alpinizëm dhe marrjen e të rinjve me alpinizëm, fill mbas hapjes së shkollës teknike të Tiranës nga Kryqi i Kuq i të Rinjve Amerikanë (Burimi: ‘Me basketbollin nëpër vite’ Libri i parë-faqe 20, Botimet Milosao, 2003). Aty e patën zanafillën, dhe u morën njohuritë e para nga të rinjtë, edhe shumë sporte të tjera.