Kujtime nga Avni Zajmi

Me ardhjen e Avni Zajmit në Shqipëri, pasi ai përfundoi studimet në Francë, veprimtaritë në natyrë me të rinjtë u shtuan. Me inisjativën e tij u organizua shoqata “Gjurmësia Shqiptare” (duket se idenë për këtë emërtesë e ka dhënë Aleksandër Xhuvani) në të cilën morën pjesë nxënës të shkollave të qytetit të Tiranës. Me gjurmuesit e parë filluan të vizitohen Petrela, Durrësi, Kruja, Kavaja. Shoqata e zgjeroi punën më vititn 1925, vit në të cilin u krye marshimi i parë për në jug të vendit. Grupi marshues u formua me 24 djem nga Tirana dhe u nis më 14 Korrik 1925 më ora 14:00 duke mbuluar në 32 ditë itenerarin: Tiranë – Elbasan – Korçë – Kolonjë – Përmet – Këlcyrë – Tepelenë – Gjirokastër – Sarandë – Vlorë – Apoloni – Fier – Lushnjë – Kavajë – Tiranë. Ndër pjesmarësit: Avni Zajmi, Emin Abazi, Isuf Dashi, Mehmet Përmeti, Hamit Hallulli, D. Shani, Hasan Reçi, Hodo Korça, Selman Çuka, Spiro Kasapi, (Xhiraku), Xhevad Serezi, Hysen Kusi, Bajram Barraska, Selim Seka, Shaban Preza, Ramazan Shijaku, Fiqiri Dibra, Adem Pelinku, Ramazan Dajçi, Ligor Karanxhaliu, Kozma Karanxhaliu.
Grupi për të krijuar fond monetar depozitoi nga 5 korona për shoq, si dhe pajtoi një kalë për transport, siguroi tenda, batanie, veshje, enë guzhine.
Udhëtimi i dytë i gjurmuesve u krye më vitin 1926 me 24 nxënës të shkollave të Tiranës. Udhëtimi përsëri e pati itenerarin nëpër jug të vendit: Tiranë – Peqin – Cërrik – Belsh – Berat – Çorovodë – Maja e Tomorit – Shpirag – Ballsh – Patos – Fier – Pojan – Lushnjë – Rrogozhinë – Kavajë – Durrës – Shijak – Tiranë.
Udhëtimi i tretë u realizua në përiudhën 10 deri 22 Gusht 1927 nëpër itenerarin: Tiranë – Prezë – Kepi i Rodonit – Krujë – Shupal – Shëngjergj – Bizë – Qafë Priskë – Dajt – Petrelë – Tiranë.
Udhëtimi katërt ndërmerret nëpër Veri të vendit nga 8 Korrik deri më 8 Gusht.

Rastësisht, diku rreth vitit 1983, më ranë në dorë disa faqe të shtypura në makinë shkrimi të Avni Zajmit. Kisha përshtypjen se ato do ishin përgatitur për t’i lënë si kujtime, ose për botim. Ishin kopje e tretë, andaj dhe kërkova që t’i mbaja. Dhe ja ku janë, me urimin që të vlejnë për më të rinjtë e ditëve tona (v. 2009) që të mësojnë se si duhej të shkruaje n’ato vite : të vije fillimisht në shkrim vlerat e partisë në pushtet për bëmat e saj në një fushë të caktuar, pa të filloje e të përshkruaje ato që dëshiroje tu transmetoje të tjerëve. Kujtimet e plota të Avni Zajmit dhe meritat e tij në fushën e sportit janë të përmbledhura në një vëllim më vehte: « Avni Zajmi, Kronikë e një jete shekullore », Autor Genc A. Zajmi, Botimet EMAL, Tiranë 2010.
Sa më poshtë janë pikërisht faqet e të daktilografuara. (Aleksandër Bojaxhi).

Pak histori mbi turizmin në botë.

Me vendim të Sekretariatit të Komitetit Qëndror të Partisë së Punës së Shqipërisë dhe të Këshillit të Ministrave të Republikës Popullore të Shqipërisë, në vitin 1964 u krijua në vendin tonë Shoqata e Turizmit dhe Alpinizmit për t’i dhënë një hov më të mirë dhe me baza kësaj lëvizje.
Me kohë partia jonë e ka çmuar rëndësinë e turizmit dhe alpinizmit. Ajo i ka dhënë rëndësi edhe krijimit të bazave dhe të qëndrave turistike si në Theth, Dajt, Lurë, etj., për një aktivitet më të mirë dhe më të organizuar të të rinjve dhe pionierëve.

Si veteran i kësaj lëvizje dëshiroj të them pak fjalë mbi historinë e turizmit në botë si dhe si është përhapur ky në Shqipëri.
Qysh në kohët e vjetra njeriu kishte dëshirë që të njihte botën. Kjo bëhej me qëllime të ndryshme: studimore, ekonomike si dhe për qëllime ekspansioniste, etj.
Vetëm shekulli i 20-të kishte ndryshim, se gjatë kësaj kohe pati bashkëudhëtar njeriun si turist për qëllime fisnike si: njohjen e botës, të rrugëve dhe vendeve të reja ; njeriun që kërkonte prehjen dhe çlodhjen aktive në natyrë.
Kështu filloi një rrugë e re dhe një kuptim i ri për zhvillimin e turizmit. Sot turizmi ka një rëndësi të veçantë jo vetëm për përgatitjen fizike të njeriut, por edhe për rritjen e njohurive të tij si : ekonomike, mbi natyrën, etj.

Turizmi në vendin tonë në periudhën para çlirimit.
Në të kaluarën as që mund të mendohej për këtë. Qeveritë antipopullore nuk jepshin as edhe një përkrahje. Kuptohet këtu që jo vetëm nuk mund të merrej pjesë në aktivitetet dhe shëtitjen në botë, por as edhe në vendin tonë për ta njohur vendin në rradhë të parë, por kjo mundësi nuk u krijohej as edhe vetë të huajve, prandaj edhe bukuritë e ralla natyrore të vendit nuk popullarizoheshin dhe nuk njiheshin, siç ishte Thethi alpin i mrekullueshëm, Lura perlë e maleve tona, Riviera me detin tonë kaltërosh, etj.
Dikur shkencëtarë të huaj e kanë shetit vendin tonë për qëllime studimi historike, gjuhësore dhe traditat tona kombëtare. Kështu për qëllime studimi vjen në Shqipëri në shk. 17 Elvia Çelepiu i cili shetit vendin tonë anë e kand duke mbledhur të dhëna e gojdhana mbi zakonet, traditat dhe historinë e shqiptarëve. Për këtë ky ka shkruar dhe botuar edhe një libër.
Shkrimtari Frenk Ponkievili, ish konsull francez në Janinë pranë Ali Pashë Tepelenës, shkroi veprën e tij prej 4 volumesh për zotësinë, trimërinë e bujarinë e shqiptarëve. Më vonë dy glosollogë gjermanë, Hansi dhe Jogli vinë në vendin tonë dhe studjuan mirëfillin e gjuhës sonë kombëtare. Nga ana tjetër mjafton të lexohet letra e poetit të madh Anglez Bajronit, i cili atëherë ja pat dërguar nga Shqipëria nënës së vet n’Angli ku tregohet për bujarinë dhe mikpritjen e Shqiptarëve. Ndërsa në malësitë tona vite me rradhë Anglezja Mis Durhan dhe Frengu Hekart mblodhën zakonet e besytnitë e trashëguara nga gjyshërit tanë më të vjetër.
Shkrimtari Filiks Zhylien, francez, ka thënë dikur se, “Shqipëria po thuaj se në të gjitha kohët e vjetra u bë toka e herojve të të huajve: këtu Homeri gjeti Akilin, grekët e vjetër gjetën Lekën e Madh, papa Eugjeni i IV-të gjeti Skendërbenë. Megjithëse fetë, si kristianizmi, muhamedanizmi, katolicizmi mundën të bënin njerëzit për vehte, por vetëm një gjë nuk u durua në jetën e popullit shqiptar, ajo e lirisë indipendencës dhe heroizmit”.
Për tu përmendur është edhe botimi i librit të albanofilit, mikut të Shqipërisë, Zhysten Gotardit me titull “Shqipëria në vitin 1921”. Kjo vepër bëri një bujë të madhe në arenën ndërkombëtare, mbasi në të u tregua se si populli Shqiptar pas kaq luftërave e përpjekjeve t’ashpëra dhe sakrifica, kundrejt armiqëve të shumtë, mundi të fitojë pamvarësinë e tij.
Të gjitha këto studime dhanë një kontribut të madh në njohjen dhe popullarizimin e Shqipërisë. Por këto vepra të përpiluara në një kohë kur në Shqipëri egzisotnte një pamundësi e madhe në rrugët, urat, banimet, etj., të cilat pothuajse mungonin fare, marrin një rëndësi të veçantë. Vetëm mbas krijimit të qeverisë së Lushnjës, d.m.th. filloi një farë stabilizimi i gjendjes politike të vendit dhe mbas kësaj u krijuan edhe kushte më të mira për të shetitur dhe njohur më mirë atë.

Me stabilizimin e vendit në kohën e qeverisë së Sulejman Delvinës, mbasi kisha mbaruar studimet jashta shtetit, u emrova instruktor i sportit dhe turizmit në Ministrinë e Arsimit, për të organizuar ekskursionet dhe për të njohur vendin. Kështu fillova me aktivizue djelmëninë shkollore n’eksursionet si në malin e Dajtit e në vende të tjera.
Me inisiativën time u organizua shoqata “Gjurmësia Shqiptare”, me pjesëmarrës nxënës të shkollave të qytetit të Tiranës. Me gjurmuesit e parë u vizituan në fillim Petrela, Kruja, Durrësi, Kavaja, etj. Më vonë me gjurmuesit unë zgjerova rrethin e ekskursioneve turistike. Për zhvillimin e ekskursioneve më të gjata për të njoft më mirë e më nga afër vendin tim, unë u frymëzova nga libri “Shqipëria e pa njoftun”, e shkrimtarit frëng Gabriel Zhari, që e kishte vizituar Shqipërinë mbarë. Në këtë vepër ky padiste francezët, që më mirë njihnin shkretëtirat e Afrikës se sa Shqipërinë e vogël me një popull trim, bujar dhe luftëtarin e paepur për liri në gadishullin e ballkanit.

Në vitin 1926 me grupin tem gjurmues organizova ekskursionin e parë të gjatë në jug për të parë Korçën plakë që ishte çliruar rishtaz prej okupacionit frances nga ku u drejtova për në Gjirokastrën historike dhe Vlorën heroike, të cilat kishin luftuar kundër okupatorit Italian dhe mandej nëpër Myzeqe u ktheva për në Tiranë, të cilin udhëtim e përshkova në rreth 32 ditë më këmbë. I gjithë itenerari ishte i gjatë rreth 1168 kilometra. Grupi përbëhej prej 24 djemve ish nxënës të shkollës teknike, normale, gjimnazi të qytetit të Tiranës midis tyre: Avni Zajmi organizator i përgjithshëm, Emin Abazi sekretar, Isuf Dashi portier, Mehmet Përmeti infermier, Hamit Hallulli trumpetier, D. Shani borizan, Hasan Reçi arkëtar, Hodo Korça, Selman Çuka, Spiro Kasapi (Xhiraku), Xhevat Serezi, Husen Kusi, Bajram Barroska, Selim Seka, Shaban Peza, Ramazan Shijaku, Fiqiri Dibra, Adem Pilku, Ramazan Dajçi, Ligor Karanxhaliu dhe Kozma Karanxhaliu, etj.
Me kohë u muarën masat për organizimin e këtij udhëtimi të gjatë. Anëtarët e grupit paguan rregullisht nga 5 korona sejcili në favor të arkës kolektive e cila do të përdorej vetëm në rastet kur do të shifej e nevojshme. U siguruan veshjet nga sejcili, një kalë për transportin e paimeve kolektive, u siguruan enë guzhine për gatim gjatë udhëtimit, tenda e paisje të tjera për fjetje, mjete të ndihmës së shpejtë, etj. Me plotësimin e nevojave itenerari u zhvilluaa në këtë mënyrë:
Nga Tirana u nisëm më datë 14 Korrik më ora 14:00. Gjatë udhëtimit gjatë Krrabës u ndalëm në hanin e fundit bri Krrabës së Madhe ku kaluam një natë dhe të nesërmen në agim morrëm rrugën për në Elbasan. Kalimi i Krrabës së Madhe na lodhi ca mbasi ishte dita e parë dhe kishim ngarkesë të rëndë. Mbasi kaluam edhe Krrabën e Vogël arritëm në Elbasan në orën 10:00 para dite.
Pamja e qytetit të Elbasanit tregoi se ishte ndërtuar në kohë të lashta, prandaj quhej Skampa. Dikur në këtë vend kalonte rruga Egnatia, e cila shkonte deri në Stamboll. Duke hyrë për në qytet menjëherë vizituam kalanë; rrugët ishin të ngushta ndërsa ndërtesat të ulta. Prej andej shkuam në godinën e Shkollës Normale. Kodrat e Elbasanit ishin të veshura krejt me ullishta. Artizanati ishte shumë primitiv kurse industria nuk egzistonte. Në Elbasan dikur Sulltan Mehmeti gjatë luftërave të tija në Shqipëri, për të kaluar dimrin qëndronte në Elbasan duke rindërtuar muret për tu mbrojtur prej sulmeve të Skëndërbeut. Natën e parë të qëndrimit në Elbasan e kaluam në shkollën fillore dhe si shtresë e mbulesë na shërbeu batania që kishim marrë me vehte. Me të nesërmen herët shkuam në Llixha erënat e së cilës i ndjemë një orë e gjysëm larg. Burimet e Llixhës ishin të nxehta deri në 60 – 70 gradë Celsius, me gjithë këtë atje nuk egzistonte asnjë komoditet për shërimin e njerëzve. Mbasdite u kthyem në Elbasan ku zhvilluam një ndeshje futbolli me të rinjtë e shkollës Normale. Komandant i skuadrës së futbollit ishte Isuf Dashi (sot doktor). Mbasi kaluam natën e dytë në Elbasan u nisëm për në drejtim të Quksit.
Më 17 Korrik 1926 gjatë udhëtimit kaluam shumë katunde si: Krastën, Labinotin, Zibrakën, e arritëm tek ura e Haxhi Beqarit. Meqenë se nuk kishte urë, u detyruam të kalojmë në vah Shkumbinin nga ku u drejtuam për në katundin Babaj, sa i vogël aq edhe i varfër. Mbasi hëngrëm drekë me çfarë kishim, vazhduam udhëtimin për në katundin Dardhë. Rruga kishte pamje të bukur, lart kodra e poshtë Shkumbini. Në mbramje vonë mbrritëm në Qukës. Për të kaluar darkën vendasit na ndanë nëpër shtëpija. Për mungesë mbulesash në shtëpitë e kaluam natën të grumbulluar së bashku në zyrën e komandantit të postës. Qukësi ishte qendra e malësisë së Shpatit. Ky vend u shkretua nga ushtria Austriake gjatë luftës së parë botërore. Prej andej me të nesërmen u nisëm për në Prrenjas, ku për mungesë banimi u detyruam të flemë tek hani i Hoxhës në fushën e Domosdovës. Në Përrenjas shkolla nuk funksiononte mbasi arsimtari i cili ishte i emëruar atje nuk punonte për mungesë furmnizimi me ushqime. Katundarët lypshin shkollën, ndërsa Ministria e Arsimit e bënte veshin të shurdhët. Mbasi kaluam natën u nisëm për në Qafë të Thanës dhe gjatë kalimit të saj përshtypja më e madhe ishte pamja nga qafa e Liqenit të Pogradecit si dhe katundi Lin në buzë të liqenit me një pamje piktoreske. Krah liqenit, duke udhëtuar për në Pogradec i cili na dukej afër, kaluam rradhazi katundet Peshkupat, Bazid, Udenish. Në kohë dreke mbrrimë në Pogradec, ku përshkruam një rrugë gati 40 km. Pogradecarët na pritën shumë mirë dhe me të nesërmen me ndihmën e autoriteteve të vendit vizituam Shën Naumin. Në Shën Naum ishte kisha e cila ishte e stilit bizantin e ndërtuar në vitin 1015; muret ishin veshur me pamje e piktura Bizantine. Prifti i kishës ishte Beratas dhe na krijoi mundësinë që të kalonim drekën atje. Kështu zhvilluam edhe një ndeshje me studentët turistë Jugosllavë, njëri prej të cilëve shprehu edhe habinë “si si mundej të kishte turista Shqiptarë që të vinin deri në këtë vend” me qenë se ata kishin mendimin se shqiptarët janë të prapambetur dhe bile as që mund të kishte njerëz që të merreshin me turizëm në Shqipëri. Mbasi mbaruam ndeshjen u nisëm menjëherë për në drejtim të Korçës. Natën e parë e kaluam në katundin Lesinje ku na pritën vendasit me bujari dhe me të nesërmen duke udhëtuar pranë liqenit të Maliqit rreth orës 11:00 mbrimë në qytetin e Korçës. Drekën e hëngrëm në restorant Dodona, ndërsa natën e kaluam në shkollën qytetase e cila shërbente qysh në kohën e Turqisë. Gjatë ditës bëmë vizita në qytet si në kishën e vjetër Bizantine, xhaminë me sahat sipas stilit arab. Me të nesërmen u nisëm për në Drenovë ku vizituam fabrikën e alkoolit dhe prej andej shkuam në minjerën e Mborjes ku pamë galeritë. Mbasdite u kthyem përsëri në Korçë ku asistuam në ndeshjen e futbollit që luhej midis Korçës e Betolias së Manastirit.
Më datë … u nisëm për në Kolonjë, mbasi udhëtuam për rreth 40 km. Mbritëm në vend brënda ditës. Zakonisht nisjet për udhëtime të gjata i bënim shumë herët duke u ngritur që më ora 03:30 të mëngjesit. Kolonja ishte e rënuar pothuajse krejtësisht. Kolonja ndodhet mbi një pllajë mbi 1000 metra të lartë e rrethuar nga katunde të bukura si Selenica, Starja, Borova, etj. Klima është e ftohtë dhe bujqësia e përparuar. Ashtu njihet edhe si një vend i cili ka kontribuar dikur në lëvrimin e gjuhës amëtare me shkrimtarët Sh. Kolonja dhe martirin e gjuhës shqipe P.K. Negovanin. Kolonjarët ende edhe sot këndojnë këngët patriotike me vallet karakteristike kolonjare, etj. Natën e kaluam në shkollë dhe mbasi u pritëm me përzëmërsi, u larguam në drejtim të katundit Shalës më datën 25 Korrik, në afërsi të malit Gramos. Gjatë rrugës kaluam nëpër katundin Bars, me shtëpija shumë të bukura, nga ku u kthyem për në katundin Barmash. Katundi është i ndërtuar mbi shkëmbej dhe ka një kështjellë që quhej Ije. Mësuesi i katundit, Josifi, të 30 personat që kishte i mori mysafirë në shtëpinë e vet, ku na priti e na bëri ndere të mëdha. Me të nesërmen vizituam shkollën, lagjet e shpërndara të katundit dhe çesmën, ujin e të cilës e kishin sjellë nga mali. Në çesmë një plak i moçëm kur na pa me pantallona të shkurtëra mbi gjunjë u çudit aq shumë duke thënë “vallë këta djem do ta bëjnë Shqipërinë”?.. por kur ne ju përgjigjëm me këngë e brohori për vendin, ay u mallëngjye e menjëherë na përgëzoi duke na shtrënguar dorën. Prej këndej më 27 Korrik u nisëm për në Leskovik, ku në pamje të parë na ra në sy sahati dhe shptëpitë e djegura dhe mbasi ecëm pak duli qyteti i vogël i rrethuar nga dy male; i Agatit dhe … Leskoviku është djegur gjatë luftës së parë ballkanike prej grekëve. Aty ka qënë qendra e prefekturës. Gjithë vendi është i rrethuar me vreshta dhe n’afërsi të kufirit grek ka banja minerale ku kanë qënë shëruar shumë njerëz. Më 28 u larguam nga Leskoviku në drejtim të malit Melesin ku grupi ynë me vështirësi mbriti në majë. Mjerisht katundin Melesin e gjetëm krejt të djegur nga andartë grekë. Simbas të dhënave, në këtë mal në kohën e Ali Pashë Tepelenës ka luftuar Zylyftar Poda si krye sundues i krejt krahinave përreth. Mustaqet e tij shkonin vesh më vesh. Me sytë e tij të mbëdhej i shtinte frikën kujtdo.
N’atë kohë Shqipëria sundohej nga Turqia. Beu i Melesinit, Zylyftari, donte që të mos i nënshtrohej Sulltanit. Kështu që ai në fillim morri disa masa: zgjeroi vendin, grumbulloi ushtarë dhe forcoi majën e malit e cila ishte mjaft e vështirë për tu pushtuar. Me gjithë përpjekjet e shumta të turqëve të cilët ishin të paisur me një teknikë luftarake, maja nuk pushtohej, trimat shqipëtarë ju përgjigjeshin me gurë dhe i thyenin sulmet e tyre me sukses. Ma në fund erdhi vetë Sulltani me një hordhi të madhe nga Stambolli dhe rrethoi kodrat përqark Melesinit duke e qëlluar me top nga të gjitha anët. Kulla e trimit megjithkëtë nuk jepej. Vetëm mbasi kaloi një farë kohe dhe ushqimet ju mbaruan atëherë vendosën që t’i dorëzohen turqve me disa kushte. Më vonë, me gjithë kontributin e tij kundër kryengritësve grekë, Sulltani e zhduku Zylyftarin duke i prerë kokën mbasi e kishte frikë.
Kënga e trimit që ende sot këndohet nga populli:
Melesini maja maja
Ç’e heh top e kumbaraja.

Melesini i përpjetë
Ç’e reh topi si shigjetë…

Mbasi mësuam mbi këtë trim legjendar nga një bari Leskoviqar, u nisëm në Postnan, vendlindja e patriotit Naum Vreto, i cili kishte dhënë një kontribut të çmueshëm në përpilimin e abetares në gjuhën shqipe në Stamboll. Në katund mbrritëm shumë vonë. Postnani është një katund shumë i madh por i varfër. Shumica e burrave ndodheshin në mërgim. Në mbrëmje shfaqëm komedinë e përgatitur prej grupit, “Të shkuemit n’Amerikë”, ku asistuan shumë gra dhe disa pleq të katundit. Xhevat Serezi u pëlqye më shumë se të tjerët si aktor. Me këtë pjesë komike ne kritikojshim ata shqiptarë që largoheshin nga vendi i cili ishte i pasur veçse duhej të punonin. Me këtë pjesë ne bëmë një përshtypje të mirë, duke lënë mbresë të thëllë në familjet, burrat e të cilave ishin larguan në kurbet.
Të nesërmen më 30 Korrik u nisëm për në Përmet. Kaluam nëpër qafa, brigje kodra shumë të vështira dhe mbas 6 orë rrugë, në kohën e drekës ne hymë në Përmet. Mbasi hëngrëm bukë, u nisëm për në shkollë për të siguruar fjetjen. Mbas dite, megjithse kishim udhëtuar, bëmë një ndeshje futbolli me nxënësit e Përmetit që studjojshin në Athinë (Greqi). Nga rruga Përmeti dukej shumë i bukur, ndërsa kunora e Nëmërçkës dukej e mbuluar me dëborë, si nuse me vello që zbukuronte krahinat përqark. Mbas kthimit nga ndeshja e futbollit të cilën e fitoi skuadra e jonë, Isuf Dashi i entuziasmuar hipi në murin e urës, i merren mentë dhe rrëzohet. Me gjithë se dërmoi këmbën, të nesërmen ay përsëri udhëtoi, pa ndërprerje. Këtë e ndihmoi përgatitja e tij fizike dhe fakti që ai luante mjaft futboll. Kështu mbëritëm në Këlcyrë, që ndodhej në grykën e Vjosës. Njerëzit vendas, na pritën më zemër të mirë. Qyteti kishte 1.500 frymë me 200 shtëpi. Me qenë se ishte vend strategjik, atje kishte edhe një batalion ushtarësh. Për vendasit dhe ushtarët luajtëm pjesën “Të shkuemit n’Amerikë”, me qenë se ishim kundër emigracionit. Në këtë kohë emigracioni kishte marrë proporcione të gjëra në Shqipëri. Kjo pjesë bëri efekt të madh si në ushtri e në popullsi.
Gryka e Këlqyrës ishte madhështore dhe një vend strategjik, ndërsa gjithë qyteti është pasuri e bejlerëve. Pëveç disa dyqaneve të artizanatit, tjetër gjë nuk kishte. Natën e kaluam në tenda në një repart ushtarak. Para largimit nga Këlcyra, vizituam kullat e Ali Bej Këlqyrës, që nga qyteti dukeshin si një fortesë, por që ishte djegur nga Grekërit, tani shkretëtirë, “gërmadha”. Mandej vijuam rrugën duke shoqëruar lumin Vjosa. Në dalje të grykës në pamje të parë na doli përpara kalaja e famëshme e Ali Pashë Tepelenës, vendosur mbi një kodër, e rënuar dhe brënda në të kishte disa shtëpi të vogla. Vetëm frëngjijtë ishin të pa prishura. Me qenë se ura e Vjosës ishte e prishur, e kaluam lumin me trap. Kur mbrritëm në Tepelenë na ranë në sy shtëpitë e rënuara nga tërmeti. Një pjesë e mirë e popullit ishin të strehuar në tenda. Natën e kaluam në njërin ga bodrumet e kalasë dhe duke dëgjue kakaritjen e sorrave. Dikur në këtë kështjellë Pashai i Tepelenës ka pas pritur si mik konsullin freng Ponkievili ashtu edhe poetin anglez Bajron shkrimet e të cilëve ngrejshin lart trimërinë dhe bujarinë e Pashës. Tani kjo kala rin në heshtje dhe është bërë çerdhe e zogjve endacakë.
Kështu në agim u detyruam me e lanë kalanë dhe ju drejtuam Gjirokastrës. Rrugës, në afërsi të grykës së Kardhiqit, na ranë ndërmend luftërat e ashpëra të Pashës për të shtruar burrat trima të këtij vendi heroik. Mbasi kaluam drekën në te arritëm në Gjirokastër. Populli na priti mirë dhe u vendosëm në një shkollë pranë Gjimnazit. Mbasi hangrëm bukën, dulem për të vizituar qytetin. Qyteti kishte nji panoramë të bukur duke e parë atë nga çdo anë. Çdo anë kishte pamje më vehte dhe tërheqëse. Shtëpitë ishin ndërtuar në kodra por pa plan. Rrugët ishin të ngushta e me gurë. Vetëm godina e prefekturës ishte e madhe. Ajo për nga madhësia vinte mbas asaj të liceut. Më 5 Gusht vizituam kalanë nga ku pamë nga larg qytetin, si udhëheqës kishim …. e i cili na tregonte historinë e lashtë të qytetit. Prej shpjegimit të tij mbetëm shumë të kënaqur. Kalaja ishte shumë e vjetër dhe tepër e madhe. Dikur si qeverija dhe ushtrija atje e kanë patur qendrën. Qyteti kishte patur edhe një orë, por gjatë luftës ballkanike atë e rrëmbyen grekët. Muret e kalasë ishin tepër të trasha dhe mjaft bodrume të ngatëruara e të thella. Simbas gojdhanës 30 italianë që ishin futur në të për tu mshef, nuk u kthyen ma. Gojdhana thoshte se edhe nji nuse e re që vizitonte bodrumet e kalasë, u fut po nuk u kthye më. Sipas gojdhanës në të ishte edhe teqeja e babasulltanit, por tani ajo ishte zhduk dhe s’kishte asnji gjurmë. Kubetë ishin 6 të hyme dhe të dalme. Në të pamë edhe instalimin e ujrave që vinin që nga mali i Gjërë, nëpërmjet një ure të lidhur me lagjen e sipërme të qytetit. Kjo tregonte se dikur në të kanë banuar mjaft njerëz dhe për një kohë të gjatë. Kështu e pamë gjithandej kalanë e cila na la mbresa të thella. Mbasdite vizituam teqenë e babazenelit të vendosur mbi një kodër jashtë qytetit. Ishte nji vend me të vërtetë i bukur dhe plot me selvija. Teqeja ishte e ndërtuar sambas stilit oriental.
Gjinokastra ka nji klimë të fortë dhe mjaft të mirë. Ka nji lartësi 340 m. mbi nivelin e detit. Megjithkëtë ujë për të pirë nuk kishte. Më shumë përdorej uji i rezervuar i puseve të shtëpive. Në qytet kishte vetëm disa dyqane artizanati dhe tjetër industri nuk kishte.
Me të nesërmen herët në mëngjes u nisëm për në Delvinë nëpërmjet malit Sopot. Me gjithë këtë na habiti fakti që me gjithë se ne niseshim herët, shoqëruesi nuk na u nda dhe erdhi përsëri edhe ay herët për të na përcjellë deri në përiferi të qytetit nga ku na tregoi dhe drejtimin që duhej të ndiqnim. Nderi që na u bë në Gjirokastër nga ky njeri dhe shumë të tjerë, nuk e pamë në qytetet dhe vendet e tjera ku kaluam. Sopotin e lartë prej 1.500 m na u desht ta kalonim me vështirësi mbasi ishte i gurtë e plot me gjarpërinj të etur nga vapa. Nga lart soditëm Rivierën dhe mbasi u freskuam me ujë të ftohtë filluam zbritjen për në Delvinë. Qyteti ishte mjaft i vogël dhe i mbledhur por plot i pasur me vreshta, ullinj e portokalla. Toka ishte e pasur dhe mjaft e përshtatëshme për bujqësi. Natën e kaluam në një shkollë fillore dhe më datë 6 u nisëm me shkue në Sarandë. Në fillim na u desht për tre orë rrjesht të përshkojshim moçalet e Vurgut dhe me mjaft mundime mbrritëm në Sarandë. Nga ana natyrale qyteti si një skelë e vogël natyrisht ishtë mjaft e bukur. Kishte shumë pak shtëpija dhe një popullsi shumë të vogël. Me vështirësi gjetëm hanin në të cilin kaluam natën. Simbas programit ne duhej të udhëtonim nëpër det për të shkuar në Vlorë, por sapo mbritëm ne vapori kishte ikur. Kështu që ne për të mbrritur në Vlorë na u desht një rrugë prej 4 ditësh nëpër Llogora.
Më datë 9 u nisëm në drejtim të Borshit. Kësaj rradhe ne na duhej të udhëtonim përbri detit Jon, i cili ishte plot shkëmbinj. Tallazet dhe përplasjet e valëve të detit na u bënë bashkëudhëtarë. Bukurija natyrore e vendit dhe tallazet e detit na hoqën lodhjen duke udhëtuar me kënaqësi. Duke vazhduar rrugën tonë nëpër Rivierë mbrritëm në katundin Piqeras. Gjithë shtëpijat mjaft të bardha, janë të vendosur mbi një kodër të rrethuar me ullinj dhe limona e portokalla. Një gjelbërim i bukur që dukej si një qylym i gjelbër. Hangrëm drekën dhe prej andej u nisëm për në Borsh, ku sosëm afër mbrëmjes. Borshi i vjetër ishte djegur dy herë nga antarda Greke. Katundarët na tregojshin se në luftën Ballkanike, kohë në të cilën Kajzeri Vilhelm ndodhej në Korfuz, grekët digjshin fshatin; ndërsa Kajzeri kujtonte se me këto zjarre shprehej gëzimi për arrdhjen e tij. Ndërsa fshati i ynë Borsh digjej, satrapi nga ana tjetër gëzohej. Borshi i ri tani është ndërtuar afër bregdetit me shtëpi banimi të vogla. Me gjithë konditat e disfavorëshme ekonomike, popullsia e vendit na krijoi mundësi për fjetje dhe ushqim. Natën e kaluam së bashku me ta duke treguar historinë e fshatit, kënduam këngë patriotike, etj.., si dhe largimin e një pjese të tyre në Egjipt.
Himara ka 7 katunde, nga të cilat më i miri e më i pasuri është Borshi me plazhin e bukur dhe kopshtiet e shumta. Mbasi u larguam me kënaqësi nga ky katund mikpritës, u nisëm për në Himarë, ku ndodhej edhe lokaliteti i nënprefekturës. Ata na thanë se nga Tirana ishin interesuar për ne, se ku ndodheshim? Ne u përgjigjëm se më 17 Gusht do të ndodheshim në kryeqytet. Vapën e kaluam në Himarën e vjetër, një orë larg nga e reja dhe e vendosur në një kodër. Mbasi hëngrëm drekën, kaluam edhe vapën, u nisëm për në Dhërmi. Dhërmiu është me të vërtetë xhevairi i Himarës, vend piktoresk dhe mjaft klimaterik. Gjithë fshati është i gozhduar prej ullinjve dhe agrumeve. Katundi na priti me gjithë zemër. Atë natë fjetëm në shkollën e katundit.
Sipas programit, nisjen do ta bënim herët, por katundi nuk na la deri sa të kalonim me ta edhe drekën. Gjatë bisedës në kohën e drekës, një plak patriot na tregoi se: “kur qeveria e Vorjo – Epirit e kryesuar nga një farë Zografi, kërkonte autonominë e Korçës dhe të Gjirokastrës me 14 fshatra të tjera Himarjote, Dhërmijotët kundërshtuan më fort se të tjerët dhe kërkuan bashkim me Shqipërinë.”.
Më datën 12 e lamë katundin dhe me gjithë kohën me shi, ne mbrritëm në Dukat. Më parë do të kalonim Llogoranë në lartësinë 1.500 m, rrugë e cila ngjitej përpjetë në formë zig-zage. Çdo vijë e drejtë e kësaj rruge ishte gati 1 km. e gjatë. Gjithë rruga kishte 5 të kthyera. Kjo rrugë ishte e para që ishte e ndërtuar më në rregull, mbasi gjithë mali ishte krejt granit. Për t’i rënë shkurt, ne bëmë rrugën që bënin katundarët. Llogoraja me faqen nga ana e Himarës ishte fare e çveshur.
Kur hypëm në majë të qafës, pamë se i gjithë vendi ishte i veshur me druj dhe pisha të larta, me një ajër shumë të pastër dhe të shëndetëshëm. Gjithë gryka përshkohet nga një rrymë e freskët ajri. Gjatë luftës italianët kishin ndërtuar edhe një spital për të sëmurët. Nga gryka e Llogorasë, mbasi soditëm madhështinë e Çikës, kaluam qafën dhe vonë në mbrëmje mbërritëm në Dukat. Katundi është ndërtuar në mes të grykës, midis dy shpate malesh. Kishte mëse 300 shtëpi të gotitura me gurë të gdhendur dhe dritaret i kishte shumë të mëdhaja. Në fshat nxënësi i teknikes së Tiranës, Haxhi Merko, u kujdes mjaft për të na sistemuar në shtëpija. Katundarët merreshin shumë me rritjen e bagëtive. Gati çdo shtëpi kishte kopenë e vetë. Ndërsa kishin edhe një pllajë për mbledhjen e të lashtave. Kullotat e tyre të cilat zgjaten deri në Karaburun janë të përmendura për kullotje. Mbasi kaluam natën udhëtuam për në gjirin e Dukatit, nga ku u drejtuam për në Vlorë, që ishte gati 30 km. larg. Mbas 6 orë rrugë, mbritëm në ujët e ftohtë, ku ishte shkolla tregtare. Por me që ishte kohë pushimi, nuk pamë asnjë nxënës. Kështu në drekë sosëm në skelën e qytetit, ku bëhej ngarkimi e shkarkimi i vaporëve. Mbas dite mbrimë në Vlorë. Aty drejtori i shkollës fillore na vendosi në shkollë, ku do të kalonim natën. Në mbrëmje dolëm për të vizituar qytetin. Kishte më se 10.00 banorë. Shtëpijat ishin të ndërtuara në rregull. Në qendër të qytetit kishte edhe markaton e madhe. Kodrat përqark ishin plot me ullinj e vreshta. Nga lufta qyteti ishte i rënuar pak. Tani qyteti krenar rin në gëzim, mbasi aty plaku Ismail Qemali ngriti flamurin për herë të parë në Vlorë. Me qenë se kishim udhëtuar shumë, bëmë një ditë pushim. Atë ditë shkuam për tu freskuar tek Ujët e Ftohtë. U lamë në det dhe hangrëm bukë, e mbasdite u kthyem në qytet për të vizituar kuriozitetet e tij. Shkuam edhe në Kuzbaba ku pamë Vlorën për së larti.
Para se të largoheshim nga Vlora, bëmë edhe një vizitë tek varri i Avni Rustemit, gjë e cila nuk i bëri përshtypje të mirë kryetarit të bashkisë, njëfar Nuredin Bej Vlora, ish mercenar i satrapit zog.
Më 13 Gusht e lamë Vlorën, gjatë rrugës të gjitha kodrat ishin të mbuluara me vreshta e ullinj. Mbasi i kaluam kodrat me ullinj dolëm në fushën e madhe të Myzeqesë që na dukej si një qilim me shumë ngjyra të natyrës. Mbasi arritëm tek lumi Vjosa, të cilin e kaluam me trap duke paguar nga një lek, mbasi nëpërmjet urës nuk mund të kalohej meqë ajo ishte e prishur gjatë luftës Italo – Austriake, në Luftën e Parë Botërore, në mbramje arritëm në Fier.
Më 14 Gusht shkuam tek manastiri i Pojanit, ku pamë kishën e ndërtuar qysh në kohën e sundimit Bizantin. Në kishë ne konstatuam se të gjitha monumentet dhe pikturat me famë ishin të grabitura prej Austriakëve. Në kishë takuam një mjeshtër nga Elbasani, i cili kishte mësuar në Athinë dhe tani punonte për të riprodhuar e gdhendur n’atë mënyrë siç kanë qenë më parë. Mbas këndej shkuam në qytetin antik të Pojanit, ku gjetëm profesor arqitekt Leon Rei, i cili punonte me kujdes për të zbuluar antikitetin e qytetit të vjetër antik. Në bisedën me të ay na tregoi se dikur Pojani ishte qëndra e kulturës dhe qytetërimit të Ilirianëve. Mbasi falenderuam profesorin për tregimet e tij u kthyem në qytet.
Fieri megjithse ishte një qytet i vogël, shtëpitë i kishte të ndërtuara sipa stilit frëng dhe krejt Fieri ishte një lloj çifliku i Imer Pash Vrionit. Aty, mbasdite bëmë një ndeshje futbolli me nxënësit e shkollave të qytetit, ku mbas lojës na gostitën me disa ëmbëlsira të rastit.
Më 15 Gusht muarrëm rrugën për në Ardenicë. Gjatë rrugës na u desh që përsëri të kalonim lumin Osum me trap dhe prej këtej shkuam për të parë Manastirin e Ardenicës dhe prej andej në puset e kërkimit të naftës prej shoqërisë Anglo – Persiane. Me gjithë thellësinë e çpimit që arrinte deri në 1.000 metra, ajo nuk kishte nxjerrë akoma naftë, vetëm se balta jepte shenja me përmbajtje nafte. Megjithse punohej me avull, por ato ishin shume primitive dhe ndërmjet 7 puseve asnjeri nuk jepte prodhime nafte. Natën e kaluam në Manastir, prifti i të cilës na priti mjaft mirë. Me të nesërmen me 16 Gusht u nisëm për në Lushnje. Megjithse prej këndej simbas katundarve Lushnja zgjaste 4 orë, ne na u desh të shpejtonim duke udhëtuar shkurt nëpër fushë dhe mbas 2 orësh arritëm në Lushnjë.
Aty direktori i shkollës na priti mjaft mirë dhe u kujdes mjaft për të na sistemuar dhe siguruar ushqime. Me të nesërmen vizituam shtëpinë ku ishte zhvilluar Kongresi i Lushnjës më 1920, pastaj vizituam shkollën e bujqësisë, ku ishte edhe ferma me shumë vegla bujqësore dhe një garazh për makineritë dhe mjetet teknike.
Po atë ditë, ne na u desht të niseshim për në qytetin e Kavajës, megjithse prej Lushnjes mbante mbi 7 orë. Kështu që ne na u desh që natën ta kalonim në katundin Qerem, pasuri e Dervish Bej Biçakut. Katundi ishte shumë i vobegtë dhe na u desh që këtë natë ta kalonim pa ngranë. Në këtë katund kishte edhe një shkollë krejt përdhese, në të cilën mësonin fëmijët e 5 katundeve të tjera. Më datën 16 morrëm rrugën për në Kavajë dhe mbasi e kaluam Shkumbinin me not, vazhduam rrugën për të mbrritur në qytet. Në Kavajë, mbasdite shkuam për të vizituar shkollën Amerikane të vajzave si dhe shkollën ku mësoheshin për të punuar tokën me mjete teknike. Me të nesërmen më 17 Gusht morrëm rrugën në drejtim të Ndroqit. Duke kaluar pamë edhe vorrin e ashikut, ku dikur Simon Shuteriqi, ka pasur përshkruar hollësisht vorrin e tij. Në kohën e drekës arritëm tek Ura e Beshirit ku kaluam edhe drekën. Mbasi kaluam edhe vapën e Gushtit, n’orën 16:30 mbasdite, vijuam udhëtimin dhe n’orën 18:00 himë në Tiranë nga ana e perëndimit, vetëm mbas 32 ditë udhëtimi, duke vizituar gjithë Shqipërinë e Jugut, ku na u desht të kalonim shumë prova, për të njoh vendin tonë, krahinat tona, popullin tonë, zakonet e tyre, jetën e tyre, etj.

Kujtime nga aktivitetet turistike të para luftës
Etapa e 4-të e udhëtimit në Shqipërinë e Veriut, prej 8 Korrik – 8 Gusht 1930

Në jetë gja kryesore është vullneti për njeriun dhe dashuria për punën. Me të drejtë ka pas thanë filozofi i madh freng Didero, se në jetë nuk duhet të ketë “emposibilitete”, e pamundësija, sepse çdo gja në botë bëhet, vetëm duhet vullneti i fortë. Disa filozofë të tjerë, thonë se nuk mjafton vetëm vullneti por talenti dhe perspektiva në punë. Pra dihet fare mirë se dija dhe shkenca e kanë burimin nër këto dy prirje të njeriut. Kështu pra edhe unë duke mos marrë parasysh krizën e madhe që kishte vendi ynë n’atë kohë, që kishte fukarallëk për një copë bukë misri, vazhdova udhëtimin ma se një muaj në malësinë e Veriut. Gjatë rrugës për mos me hek mundime, ma parë mora lejen nga M.P.M. për me udhëtue në krahinat e veriut. Mbasi plotësova materialin e nevojshëm për udhëtim, më datën 30 Korrik të vitit 1930, u nisa nga Tirana në drejtim të rrugës së Kamzës, duke përfshirë fushën e begatëshme të Krujës, duke mbritur në qytet mbas 7 orë ecje. Natën e kalova në shtëpinë e një arsimtari mbasi nuk kishte hotel. Me të nesërmen më 9 Korrik qepa ndër malet e Krujës, për të mbrritur në Qafë Shtamë, vend i preferuar klimaterik, që është porta kryesore për të hyrë në krahinën e Matit. Kjo qafë ka lartësinë 1187 m. Vendi ka pamje madhështore dhe shikon e dominon vendin deri n’Adriatik. Po në këtë vend, bashkohet vargu i maleve që shkojnë për në veri. Qafshtama në verë frekuentohet prej njerëzve që kanë nevojë për shëndet. Në dimër është mjaft e përshtatëshme për garat e skive. Në hotelin turistik kalova natën dhe takova shokët e mi që kishin ardhur për të kaluar verën. Uji i Qafshtamës është me nam, ndodhte që në Tiranë ky ujë të shitej me gota si ujë mineral. Mbasi sodita bukuritë natyrale të vendit, më 11 Korrik, herët kalova grykën e qafës, fillova të zbres teposhtë, duke vijuar rrugën deri në Burrel. Mbas një udhëtimi prej 5 orësh në drekë mbrrita në qytetin e Burrelit. Këtu del një pamje e madhe e maleve të Dejës, që vështron me çudi pllajën e vendit, që dikur, toka të sundimtarit matjan njëfarë, “Xhemal Pash Zagolli”. Në realitet toka ka qënë raja, për të kullotë bagëtitë e matjanve. Por kur satrapi Zog u kthye nga Jugosllavia dhe grabiti edhe pushtetin, vëllai i tij Xhelal Beu, zaptoi të gjitha këto pllaja dhe goditi disa dyqane dhe konviktin dhe filloi të shesi parcelat nënpunësve për të ngritur shtëpitë, krejtë Bureli u bë pasunija e familjes zogolliane e nanës mbretneshë. Mandej ish qeveria e klikës Kosta Kota, ndërtoi burgun e përgjithshëm për të vrarë së gjalli kundërshtarët dhe çeli shkollën e xhandermarisë po n’atë vend, për të rekruetuar mercenarët e pushtetit të vetë. Dalngadal, vendi mori formën e qytetit të vogël për të mbushur xhepat, Zogu ja shiti Italianëve gjjithë pyjet e Dejës, për 50 vjet. Tokat e Matit ishin shumë pjellore, por fshatarët nuk merreshin me bujqësinë, mbasi ishin bërë mercenarë. Në këtë vend ndenja dy ditë dhe kjo më shërbeu edhe për të njoft rrugën e Lufajt, që është krahina e Mirditës dhe që kufizohet me malin e Shenjtë. U nisa më 12 Korrik, dhe rrugën e gjeta nga një katundar, që i pagova 12 lekë. Më parë kaluam lumin e Matit dhe matanë urës, takuam një burrë të vjetër të shtrirë në tokë e që dridhej prej etheve të cilit i dhashë disa kinina për ta shëruar. Kështu gjithë ditën tue kaluar me rradhë katundet e Matit, arritëm në krahinën e Lufajve, që kufizohet me kunorën e Selitës dhe që ndan liqenet e Lurës. Katundi Lufaj, përfshin mase 450 shtëpi, por që janë shumë të shpërndara. Natën e kalova tek shtëpia e një ish nxanësi të shkolës teknike të Tiranës, si mik shtëpije. Ay më tregoi ndodhina të ndryshme për kunorën e Selitës. Maja e kunorës simbas tyre, pretendohej se kishte bisha të egra si: ari, derra, etj. Kunora e Lurës, është vendi më i naltë në të gjithë Shqipërinë e Mesme. Me të nesërmen, duke u shoqëruar prej polakut të katundit kalova Shkallën e Lurës dhe arrita në Lurë.
Shbat