Gusht 2016
Shoqata jonë në bashkëpuniom me Shoqatën e Turizmit dhe Alpinizmit Kukës organizuan kalimin e Kanionit të Shejit në fshatin Bicaj. Ishte një mrekulli e natyrës e cila zgjati (vajtje ardhje)2h e30 min. Më pas anëtarët e shoqatës sonë kampuan në stanet e Korabit, prej ku të nesërmen u ngjitën në majën më të lartë të vendit tonë, Korab (2.751 m).
Një million yje dhe një Hënë Hotel në majë të Korabit …
ShBA Tirana organizoi më 20 dhe 21 Gusht udhëtimin për në Kanionet e Bicajt dhe ngjitjen e majës së Korabit, majës më të lartë të rajonit në Ballkanin Perëndimor, me fjete në shpatin e tij. Për mua ishte përvojë e parë në këtë formë dhe sigurisht që ishte, në masa të ndryshme, përvojë për të gjithë pjesëmarrësit, përfshirë më të riun mes nesh, 13 vjeçarin Denis Gjoka.
Të nisur nga Sheshi Karl Topia, 25 anëtarë të shoqatës ju drejtuam qytetit të Kukësit dhe prej aty morrëm rrugën për në fshatin Bicaj, ku na pritën Artur e Suzana Kurtallari, motër e vëlla, anëtarë të Shoqatës Alpino Turistike Kukësi, të cilët do ishin guidat tona në Kanionin e Shejit.
Që në hyrje të kanionit u ndeshëm me një mrekulli që s’kishte të paguar: çfarë bukurie dhe çfarë perle kishim përballë; të pa njohura dhe të pa eksploruara nga ne “qytetarët” por që për vendasit shfrytëzoheshin edhe si “skuta plazhi”. Udhërtuam mbi një orë nëpër kanion. Disa nga ne kaluan edhe nga tyneli që ishte krijuar në vitin 1965 për të devijuar ujin për një hidrocentral fshati. Qëndruam pak më shumë se një orë eksplorim; shijuam bukuritë natyrore me skulptura të shumëllojta që kishte punuar errozioni ujor nëpër formacionet shkëmbore. U freskuam me burimet aty dhe ndjemë shlodhjen që të jep nëna natyrë kur je në gjirin e saj.
Pasi u mblodhëm ca nga kundrimi i peisazhit, ca nga banjot që bëmë (disa nga ne) në vaskat që krijoheshin nga lumi, u nisëm për Korab, për tek i Zoti i qiellit, i forcës, bukurisë dhe urtësisë. Arritëm tek bujtina e Haxhi Himës. Aty drekuam u përgatitëm dhe u nisëm për të kapur lartësinë 2751 m. Mbas 2 orësh u ndalëm tek stanet në lartësinë 2000 m. Ora ishte 19. Pamja, një madhështi “rrënqethëse”. Tek ne, ngaqë ishim aq lart, na dukej sikur po shihnim të kaluarën tonë, ose sikur ishim rikthyer në kohë. Smogu e qyteti ishin tashmë larg. Dielli po perëndonte dhe dukej se do ishte një natë e bukur dhe plot yje si dhe me hënë të plotë. Aty hapëm çadrat tona dhe u bëmë gati për darkë dhe për të fjetur.
Tek vëndi ku vendosëm që të rrinim, pasi dielli u struk poshtë vellos së reve qielli u mbush me yje. Por me yje aq të shndritshëm dhe të bukur! Tek rrinim në tentë na dukej sikur ishim në hotel me 1milion yje. Më vonë Hëna nxori kokën dhe na bëri shoqëri gjithë natën … Besoj se na buyëqeshte teksa flinim!
Në 5 zgjimi. U nisëm me pak ushqim me vehte për në majë. Ishte freskët dhe kullota (duhet të them kullotnaja) ishte ngopur plot me vesë. Delet dhe qëntë e stanit ishin zgjuar dhe na vëzhgonin. Ne ishim të fokusuar tek qëllimi ynë, tek kulmi, tek maja e gjigandit Korab. Mbas 90 minutash arritëm kulmin. Aty pritëm njëri tjetrin dhe bëmë foton e grupit. Më pas soditëm dhe hëngrëm atë pak ushqim që kishim marrë. Përreth nesh pamja më e bukur dhe më mbresëlënëse në rajon! Poshtë nesh kullota, ujëra, burime, lepuj, dhi të egra, kuaj dhe bagëti. Ato, e rrethojnë majën dhe ne mbi të dhe më përcjellin ndjesinë se janë një ftesë për tu ngjitur përsëri si për ne edhe për njeriun e brezave të së ardhmes. Ejani në Korab dhe jetoni me harmoninë. Këtu ka dashuri, këtu do u burojë dashuria…
Kthimi për në banesat tona u bë më së miri. Kënaqësia e ushqimit tek Bujtina e Haxhiut, mirësjellja e banorëve, hareja në grup, peisazhi dhe natyra na nginjën me një atmosferë që s’ka të paguar. Këtu shvlerësohen hotelet me shumë yje. Më besoni; ejani dhe provojeni Korabin dhe flini në tenda. Do e ndjeni vehten si një diell i natyrës.
Elvis Ponari 31 Gusht 2016 Tirana.