Mars 2017
Në datat 4 dhe 5 Mars grupi u vendos në fshatin Dragobi. Anëtarët u ndanë në dy grupe. Grupi alpin u ngjit në majën e Hekurave. Në majë ata u takuan me grupin e alpinistëve nga Kosova të cilët u ngjitën aty nga ana e liqenit të Ponareve. Ky grup kosovarësh e realizoi ngjitjen e majës së Hekurave në kuadrin e përgatitjeve që po bënte për ngjitjen e majës Everest.
—————————————————————————————————————————-
11 dhe 12 Mars. U realizua, bashkë me 4 alpinistë të ardhur nga qyteti i Shkodrës ngjitje në zonën e shtegut të Dhenve. Një grup u ngjit në grykën e Shtegut dhe një grup u ngjit në majën e Shtegut. Ndër alpinistët shkodranë ishin Kastriot Faci dhe Kujtim Gërdoci të cilët një muaj më parë ishin ngjitur në majën Kilimanjaro (Afrikë).
——————————————————————————————————————————-
Më 26 Mars u realizua një vizitë në qytetin antik të Albanopolis-it (i lokalizuar në fshatin Zgërdhesh, që shtrihet në shpat të malit të Krujës). Në vazhdim, grupi e ndali udhëtimin në qendrën turistike Qafë Shtamë. Prej këtu pjesëmarrësit u ngjitën në Malin e Skëndërbeut.