Korrik 2017

Më datat 15 dhe 16 Korrik u organizua vajtja në zonën e Thethit. Nga Qafa e Thores, i gjithë grupi, marshoi deri tek Gropat e Portës. Prej këtu, një grupim i parë u nis për tek Shtegu i Dhenve dhe bëri një ulje të shkurtër për në drejtim të fshatit Theth. Më pas ky grup u kthye në Qafë Thore e më pas u ul në Theth ku kaloi mbasditen dhe natën.

Grupi i dytë marshoi nga Gropa e Portës për në Grykën e Lekës e prej aty në Qafë të Radohinës. Në këtë qafë, një ulje majtes e devijuar më shumë nga sa duhej bëri që pjesëmarrësit të kalojnë në zonën e Livadheve të Bogës dhe kaloi aty natën. Të nesërmen grupi marshoi për në Tamarë ku u takua me Iglin Shytin i cili udhëtoi nga Thethi aty që t’i siguronte grupit transportin e nevojshëm.

Për arsye se një automjet ishte i parkuar në Qafë Thore, grupi i Thethit, që të ndihmohej me transport grupi i Nikçit, ndërpreu veprimtarinë e mëtejshme dhe mori rrugën e kthimit. Për të kaluar kohën u vizitua Razma, dhe në një orë të vonë të mbasdites të dy grupet bashkë u mblodhëm në Zogaj, buzë liqenit të Shkodrës, ku kaluam një “drekë të vonuar” dhe të gëzuar.

20170716_141210 (1)

20170715_182208

 

Datat 29 dhe 30 Korrik na bashkuan për të synuar majën e Gjeravicës , mbi Junik të Kosovës. Kampi me tenda u ngrit buzë lumit të Erenikut në lartësinë 1827 metra. Nata ishte e ftohtë, por në kufij të pranueshëm për të patur një gjumë të këndshëm. Të nesërmen grupi u ngjit në majë të Gjeravicës, dhe në kthim katër nga anëtarët patën iniciativën që të lahen në liqenin aty pranë (në lartësi rreth 2.300 m).

Me përvojën e krijuar nga kjo veprimtari mësuam që herë të tjera këto dy ditë mund të shfrytëzohen fare mirë edhe me elementë kulturorë nga Deçani dhe Prizreni.

20476309_2027107500842850_865519080932378900_n

IMG_4470

DSC01049