Janar 2018
1 janar
Ngjitja në malin e Dajtit në datën një janar të çdo viti ka qenë një doke e kaherëshme e rinisë tiranase. Jo popullore apo masive si mjaft veprimtari të tjera të shpërndara gjatë vitit, por e kufizuar dhe e shtrirë kryesisht në rrethin e alpinistëve të qytetit. Motivi për këtë ngjitje ka qenë një ftesë edhe humoristike edhe reale e lidhur me ushqimin e tepërt të darkës së natës së pritjes dhe festimit të ndrrimit të viteve: “Të tresim sa më parë gjelin e detit!”
Janar 2018 – Dajt
Në Shoqatën Bjeshkatarë dhe Alpinistë Tirana (SHBAT) duket se kjo doke është bërë pjesë e tipareve të saj ngaqë po organizohet që nga krijimi i shoqatës. Ndonëse është një veprimtari e “injektuar” nga ajo që kaloi brez-pas-brezi në rininë tiranase, dashamirëse të argëtimeve fizike në malin e Dajtit, tashmë mund të themi se ajo është një nga ngjyrat e Shoqatës sonë.
7 janar
Nën një qiell plot diell në të dielën e parë të janarit, në orën 10 para dite, 18 anëtarë të shoqatës ishim në fshatin Macukull me mendimin dhe dëshirën që të synojmë ngjitjen e majës së Dejës, 2.246 metra mbi nivelin e detit.
Në Macukull
Ngjitja e zbritja nga kjo majë na morri më shumë se 7 orë. Itenerari nuk paraqiti vëshitësi teknike por ishte një provë e mirë për sejcilin pjesëmarrës për të testuar veten fizikisht për sfidat e tjera që kemi përpara.
Mali i Dejës – Kthim
27 janar
Dita e shtunë na grumbulloi në Valbonë dymbëdhjetë anëtarë të SHBAT. Gjysma jonë synoi majën e Brijasit (2.567 m) dhe gjysma tjetër kaloi kohën në luginë. Grupi që arriti majën (Kelmend Selimaj, Nebi Gonellari, Ervin Dervishi, Olsi Belishta, Skerdian Tefa e Gjergj Bojaxhi) u vendos në lartësitë e Bunit të Ziçit.
Ndërkohë që grupi ynë po përshtaste fjetjen në lartësitë e Bunit të Ziçit, nga Maja e Madhe (2.625 m), majë kjo që ngrihet në lindje të majës së Brijasit, po kryenin metrat e fundit të zbritjes në luginë Ivan Dinkov (nga Bullgaria) dhe Arineta Mula (nga Kosova). Në mbrëmje u takova me ta në Valbonë dhe mësova se kishin realizuar me sukses ngjitjen e faqes veriore të Majës së Madhe.
Maja e Madhe – Itinerari premierë
Itenerari i realizuar prej tyre është itenerar premierë (i realizuar për të parën herë). Ai kalon nëpërmjet një korridor me borë të ngrirë si dhe me akull, por edhe në shkëmb. Ishte një ngjitje e vështirë, një vertikale, e cila i ngre vlerat historisë së ngjitjeve alpinistike të kësaj maje, e dyta për nga lartësia në Alpet tona.
28 janar
Pesë nga anëtarët e grupit alpin të Shoqatës u nisën pa aguar në drejtim të majës së Brijasit. Temperatura e ulët dhe shpati i thiktë i majës me pamje nga veriu (faqe veriore) u mundësonte alpinistëve borën e shkrifët e të pafavorëshme për ngjitje. Ajo “nuk mban” dhe lodhja për ta “çarë” atë bëhen pengesë e madhe që të shterron aftësitë fizike. Segmente të itenerarit ku kalohet nëpër borë të ngrirë apo akull, sa janë lehtësuese nga ana fizike, janë stresuese për faktin se kërkojnë teknikë dhe përqëndrim për t’i kaluar. Por grupi ngjitet: si arriti kreshtën e malit, kaloi në shpatin lindor, mbi luginën e Currajve, prej nga edhe sulmoi majën mbi të cilën alpinistët e panë veten në orën 2 mbasdite. Një sukses alpinistik ky i realizuar në një itenerar të ri në një majë të Alpeve tona e cila nuk ishte synuar në sezonin dimëror që nga muaji shkurt i vitit 1982.
Maja e Brijasit
E veçanta emocionale e kësaj ngjitje ishte fakti që anëtari i këtij grupi alpinistësh Olsi Belishta, festoi në majën e këtij mali ditëlindjen e tij të dyzetë, të cilën e përcjellim për lexuesin e këtyre rreshtave edhe me fotografinë e rastit. Edhe 100 vjet për Olsin!, ishte për të një nga urimet e shokëve aty në majë!
Olsi Belishta
Në kohën që ekipi i SHBA Tirana synonte ngjitjen në majën e Brijasit, një treshe alpinistash, Erind Zalli, Saimir Kalbaj dhe Aurel Duka synonin ngjitjen e majës së Jezerës (2.694 m), më e larta e Alpeve tona. Kjo treshe shokësh, të cilët e kanë lidhur miqësinë e tyre me ngjitjet në male, kishte kaluar natën në majën e Popllukës (2.569 m). Në mëngjesin e datës 28 janar ata u ulën nga ajo majë dhe morrën drejtimin e faqes jug-perëndimore të majës së Jezerës. Ishte itenerar i vështirë, me segmente vertikalë, vende vende me akull e borë të ngrirë e diku me borë të shkriftuar nga rrezet e diellit. Itenerari i realizuar ishte edhe ky premierë, gjë që i ngre vlerat historisë së ngjitjeve alpinistike majës më të lartë në Alpet tona.
Jezera nga Poplluka – Itinerari premierë (me të kuqe ngjitja)
Drejt Jezerës
Maja Jezerë
Ky grup si dhe grupi i SHBAT patën mundësitë që, nëpërmjet radiove, të komunikonin, inkurajonin dhe përgëzonin njëri tjetrin, si dhe të përcillnin komunikimin edhe në luginën e Valbonës.