Maj 2018
19 —20 Maj
Të nisur nga Tirana u grumbulluam në Valbonë tek Bujtina “Tradita” për të drekuar. Më pas disa nga ne shkuam deri tek bujtina “Margjeka” për të përcjellë bërthamën tonë alpinistike në këtë veprimtari.
Grupi para nisjes
Kjo bërthamë, apo grupi parë, e kaloi natën në tenda mbi Bunin e Ziçit, në lartësi pranë shtegut që të nxjerr në lartësitë e Zallit të Motinës. Të nesërmen në mëngjes grupi me pesë alpinistë doli në qafën e Thepit e prej aty pasi udhëtoi disi traversë e djathtas u ngjit nëpër shtegun e pjerrët dhe doli në zonën e Lugbatit.
Traversa e Motinës
Pas një udhëtimi të shkurtër grupi arriti në pjesën jugore të Majës së Madhe, e prej këtu u ngjit në majë (2.625 m). Kjo majë është më e larta si për luginën e Valbonës ashtu edhe për luginën e Currajve.
Për tu kthyer, grupi udhëtoi në drejtim të Qafë Droçes; më tej doli në Zallin e Motinës e më pas në Dragobi, vend ku u takua me anëtarët e grupit të dytë të kësaj veprimtarie.
Në majën e madhe
Grupi i dytë ditën e shtunë, pas “ceremonisë” së përcjelljes së grupit të parë, organizoi një shëtitje në malin e Rrogamit dhe natën e kaloi në Valbonë. Të nesërmen në mëngjes grupi udhëtoi për në Dragobi dhe u vendos në lagjen Metalia, prej ku filloi ngjitjen për në Qafë Droçe.
Valbona
Në malin e Rrogamit
22 dhe 24 Maj
Në këto dy data Shoqata për Mbrojtjen e Valbonës nga HEC-et organizoi veprimtari protestuese ndaj ndërtimit të HES-eve në lumin e Valbonës. Në këto veprimtari morën pjesë edhe anëtërë të shoqatës sonë.
Protesta për Valbonën
25 Maj
Në Kafe DU PONT u organizua një takim simbolik për të kujtuar gjashtë vjetorin e ngjitjes për të parën herë nga alpinistë Shqiptarë të majës Everest (8.848 m). Gjashtë Everestasit janë: Mat’heo Begeja, Erlin Rudho, Gerti Pishtari, Fation Plaku, Gjergj Bojaxhi, Xhemal Begeja.
Fotografia ilustruese është realizuar nga alpinisti shkodran, i ndieri Gëzin Oruçi, në shënjë respekti për alpinistët që realizuan ngjitjen e majës Everest.
30 Maj
Sot paradite bashkë me maratonistin Sotir Qiriaqi, anëtarët e Shoqatës sonë Aris Roshi dhe Aleksandër Bojaxhi përshkruan nga Qafa e Priskës e deri në fshat, madje edhe më tej, itenerarin e maratonës nëpër Unazën e malit të Priskës. Segmenti i përshkruar ishte Qafë Priskë – Fshati Priskë – shtegu për në Qafë Selbë. Me këtë rast grupi u takua edhe me priskasin Fatmir Bunoca të cilin e shpërbleu (nga fondi i Shoqatës) për pastrimin e shtegut nga shkurret, ferrat, etj., nga Rrepat e Kranes në fshatin Priskë.
Fotografia ilustron, të plotë, Unazën e Priskës.