Dhjetor 2018
Fillimi i muajit dhjetor i gjeti disa nga anëtarët e shoqatës sonë në punë si vullnetarë në dy drejtime:
Pastrim të poligonit të kacavarjes nga shkurret, ferrat dhe bimësi të tjera të cilat janë zhvilluar gjatë viteve që poligoni nuk ka funksionuar si i tillë. Për punën e kryer në këtë proces duhen lavdëruar zotërinjtë Loren Rroço, Ergi Kabaj, Erik Roshi dhe Endri Malo.
Pastrimet u kryen në të tre zonat e poligonit të kacavarjes. Kohën më të madhe të punës e morri hapja e “tunelit pyjor” të shtegut për të kaluar nga zona një në zonat dy dhe tre.
Shënjimi i itenerarit të Garës Malore Unaza e Priskës ishte një veprimtari e dytë vullnetare e cila morri katër “séanca” gjatë këtij muaji. Ky shënjim filloi në muajin nëntor, gjatë të cilit u krye puna që duhej bërë nga Qafa e Priskës e deri në dalje të tunelit për ujësjellësin e ri. Për punën e kryer gjatë shënjimit vlen të lavdërohen zotërinjtë: Ervin Dervishi, Erik Roshi, Loren Rroço, Aris Roshi dhe Olsi Belishta.
Shënjimi përfundoi më 23 dhjetor. Janë shënjuar pesëmbëdhjetë kilometrat e trasesë së garës. Puna e kryer nxorri në pah se një apo dy ditë para organizimit të garës duhet të ndërhyhet me material në kalimin e një përroi si dhe me shirita në një a dy vende. Porse këto hollësi nuk do i pengojnë anëtarët e shoqatës sonë që para datës 21 prill, ditë kur do të organizohet gara, të mos organizojnë vrapime ose shëtitje sikundër kanë bërë deri më sot.
Në datën 8, tek Kafe Sofia u mblodhëm dhe përkujtuam gjashtë vjetorin e krijimit të shoqatës sonë. Takimi i organizuar pati natyrën e kalimit të anëtarëve dhe të ftuarve përgjatë një ore me biseda të lira. Nga fondet e shoqatës për pjesëmarrësit u servirën pije dhe lëngje të ndryshme.
Gjatë këtij takimi anëtarëve ju krijua mundësia që:
- Të blihej literaturë alpinistike.
- Të pajisen disa anëtarë me bluzë dhe kapele me simbolet e shoqatës.
- Të paguhej kuota e anëtarësisë.
- Të dhurohej për shoqatën.
Pjesëmarrësit patën rastin që njëherësh të këmbejnë mendime për Kalendarin Tentativ 2019, lidhur kjo me veprimtaritë e menduara nga kjo shoqatë për vitin në vazhdim.
Moti i papërshtatëshëm i fundjavës 22 dhe 23 dhjetor na mundësoi që disa nga anëtarët e shoqatës sonë të marrin pjesë në dy veprimtari:
Në datën 22 ne PLAZA u organizua ceremonia e promovimit të albumit fotografik HOMELAND. Autor i albumit është Fation Plaku, anëtar dhe anëtar krijues i SHBA Tirana.
Ky album është rezultat i një pune shumë vjeçare plot pasion dhe sakrifica, të llojeve nga më të ndryshmet, që ka bërë Fationi. Është pak t’i thuash Fationit “Urime!” apo “Të përgëzoj!”. Kjo sepse Fationi nëpërmjet albumit të tij fotografik të sjell në shtëpi, pranë vartrës, apo pranë tavolinave, ku ne kalojmë kohën me biseda shoqërore, perlat e natyrës sonë.
Në datën 23 disa anëtarë duke shfrytëzuar një dritare me mot të mirë gjatë paradites, patën mundësinë të shijojnë pyllin në lartësitë e malit të Dajtit duke përjetuar natyrën e një dite të “prapambetur” vjeshte.
shbat