Janar 2019
Sikundër çdo 1 janar, edhe këtë vit, disa anëtarë të shoqatës sonë u takuan në Linzë dhe ju ngjitën malit të Dajtit. Motivi “të tresim gjelin e detit” mbetet si një justifikim jo vetëm i këndshëm, por dhe me ngjyra të humorit. Në fakt kjo dalje në natyrë na nxit që të “kapim” vehten sa më shpejt, pas pushimeve të shumta të fund-dhjetorit, me rutinat e përditshme nëpërmjet një veprimtarie të shëndetshme (në të gjitha drejtimet) në natyrë.
Rastësitë përgjatë ngjitjes e ndanë grupin në Fushën e Dajtit në dy nëngrupe dhe sejcili prej tyre na dha fotografi. Nëpërmjet tyre mund të shikoni jo vetëm pjesëmarrësit, por edhe malin e Dajtit në ditën e parë të këtij viti.
Ndërkohë e shikoni me kujdes fotografinë më poshtë: është në qendër të Fushës së malit të Dajtit. Janë reklama që të thërrasin, apo ftojnë, për mish dhe alkool. Taksitë të presin aty dhe të ofrojnë transport falas për në restorantin që do të zgjedhësh. Pra, biznesi punon mirë. Porse për ne ironia është se ato reklama “feksin” më shumë se thirrjet për argëtim në këtë mal. Kurse godina mbi to, e cila ka shërbyer për akomodimin e qindra ekskursionistëve për çdo javë për katër dhjetvjeçarë, dhe që duket se ka marrë udhën e rënimit, ka mbi 20 vjet që prêt të rihapet…….
Bora që ra në lartësitë e maleve në fillimet e muajit na mundësoi që në 13 janar të ndërmarrim kalimin e kreshtës së malit të Dajtit. Sigurisht që për ne problem ishte hapja e rrugës për në Qafë Priskë, nga dhe do të fillonte ngjitja. Porse puna e mirë e kompanisë borë-pastruese na e lehtësoi shqetësimin e udhëtimit. Fotot më poshtë ilustrojnë panoramat që përjetuan anëtarët tanë që realizuan kalimin e kësaj kreshte.
Më 26 dhe 27 janar u ndodhëm në fshatin Bogë me synimin që të ngjitemi në malin e Bridashit. Synimit tonë në datën 27 ju bashkuan edhe anëtarë të Klubit Taraboshi të qytetit të Shkodrës: Kastrioti, Aulona, Ludoviku, Irena dhe Alketi .
Arritja në majën e Bridashit ishte e pamundur. Jo për arësye teknike, por thjeshtë nga fakti se në lartësi të malit bora ishte e thellë dhe e lodhëshme për të ecur me tempin e duhur nëpër të. Grupi duke parë lartësinë që kishte arritur deri në orën 14:30, për të mos krijuar shqetësime me zbritje nga mali në orë të natës, vendosi të kthehet. Mali aty do të mbetet dhe ne do kthehemi tek ai një herë tjetër.
Teksa i ngjitemi malit, vetë natyra e sportit të alpinizmit bën që anëtarët e një synimi të marshojnë në rresht për një, të shkëputen nga njëri-tjetri dhe më pas të afrohen për arsye nga më të ndryshmet. Por ajo që nuk ndryshon dhe mbetet e njëjtë sa herë që ne shkojmë në alpe nëpër luginën e Përroit të Thatë, është një vend që na bashkon të gjithëve: kjo është tavolina në Restorant Kapllaj, në Dedaj. Pronari, Palush Kapllaj, na bashkon gjithnjë për një drekë të vonuar ose për një darkë të hershme, me ushqime ku lënda e parë merret në fshat, pra të shijshme, si dhe më përzemërsinë e mikpritjen e tij.
shbat