Shkurt 2019

Ostrovica

1 dhjetor 1974; nga ditari i një alpinisti.
U zgjova rreth orës 05:00. Kisha një djegësirë në stomak dhe doja të dilja jashtë. Por vetëm më 06:30 u ngritëm. U përgatitëm dhe më 07:00 dolëm jashtë. Në familjen ku kaluam natën nuk deshëm të hanim mëngjesin. Familjarët, për tërë grupin, na gjetën gjashtë mushka dhe më ora 08:00 u nisëm. Hyseni i ekipit të Gjinokastrës dhe një alpinist i klubit Dinamo shoqëruan kafshët për në Qafë Martë. Ne të tjerët u ngjitëm drejt e lart në Çukën e Frëngut dhe prej aty, duke ndjekur kreshtën e malit, drejt e në majën më të lartë të Ostrovicës. Shpati ishte me akull. Arritëm majën në orën 11:45. Zbritjen deri tek lapidari e bëmë për një orë. Prej aty në Sektorin një (të pyjores) e më tej në Sektorin dy ku dhe u rregulluam për fjetje.
Në sektor, disa nga tanët rregulluan gjeneratorin e dritave, pastaj u futëm nëpër dhoma. Jemi tetë vetë në dhomën ku jam unë. Ndezja e zjarrit u kthye në një Odise të vërtetë e cila arriti kulmin me Dullën, i cili, në përpjekje për të gjetur lëndë djegëse, pa një kazan të mbushr me vajguri të përzier me ujë. Mbushi një kuti dhe kur ja hodhi sobës. Zjarri u shua plotësisht….
2 dhjetor. U ngritëm mjaft vonë. Natën zjarri në sobë (ishte arritur ndezja e tij) nuk u shua mbasi kush ngrihej e ushqente me dru. Nga ora 09:00 hëngrëm mëngjesin dhe pastaj u bëmë gati për nisje.
Rruga ishte mjaft e bukur dhe ne ecnim ngadalë. Deri në Vithkuq udhëtimi zgjat 2 orë e 30 min, por ne e bëmë më shumë. Në Vithkuq zumë hotel. Ky fshat është mjaft i madh, i bukur dhe me njerëz të mirë e të arsimuar.

8 shkurt 2019
Natyrëshëm, mali i Ostrovicës konsiderohet mali i korçarëve, andaj dhe ne ramë në ujdi që ngjitjen në këtë majë ta kryenim me alpinistë të atij qyteti: Petrika Janaq, Anesti Qirio, Tomor Ganellari, Kostika Janaqi, Vangjush Nence, Ervin Faslli.
Natën e 7 shkurtit e kaluam në Vithkuq dhe të djëlën u bashkuam me ekipin korçar. Udhëruam edhe rreth 10 minuta përtej fshatit Shtyllë, duke ndjekur rrugën e ndërtuar dhe të hapur nga bora prej TAP-it. Borëhapësi e kish ndërprerë pastrimin e rrugës nga bora pikërisht aty ku ajo i kalonte një metër lartësi.

O1-O2

Parkuam dhe “u mbathëm” me pajimet alpine për udhëtimin drejt majës që synonim. Ndoqëm gjurmën e rrugës që ka haput TAP-i për gaz-sjellësin dhe tabelat anësore të zhytura në borë flisnin për faktin se në lartësitë mbi 2.000 metra trashësia e borës i kalonte tre metra. Në zona të caktuara gjurmë të shumta kafshësh të egra, përfshirë ariun, na përcillnin jetën e natës të atyre gjallesave.

O 3

Bora e thellë u bë raskapitëse për grupin, por megjithë këtë përtej lapidarit (një shënjë e njohur në atë mal) mundën të shkojnë 13 prej nesh, kurse deri në majë dhjetë më të duruarit.
Në kthim kaluam çaste të bukura në restorantin e çiftit Tona ku mjedisi i ngrohtë dhe gatimet tradicionale na shlodhën dhe na përcollën me dëshirën që të takohemi përsëri në Vithkuq e në Ostrovicë.

O4-O5

 

Mali me Gropa
17 shkurt
Mbasi del nga Tirana, brënda orës je në malësinë e Shëngjergjit. Dikur kjo malësi quhej Tomadhé dhe ka 20 fshatra. Në vitin 1980 malsia numuronte 9.532 banorë dhe fshati i saj më i madh, Shën Mëria e famshme për burimet me ujë të mrekullueshëm, numuronte 190 shtëpi dhe 1450 banorë. Sikundër çdo dimër parkimi i makinave nga anëtarët e shoqatës sonë bëhet në fshatin Shën Mëri.

G1-G2

Sapo lë fshatin dhe i drejtohesh Malit me Gropa të bie në sy që aty këtu banorët e mbetur në fshat kanë filluar të lërojnë tokat duke i përgatitur për mbjelljet e rradhës. Terreni i thyer i ka mësuar kaherë banorët të taracojnë parcelat e pakta dhe t’i shfrytëzojnë me kujdes. Zona, veç prodhimeve blegtorale që kanë emër të kaherëshëm në tregun e Tiranës, kanë emër edhe për domaten e shijshme që prodhohet aty.

G 3

Dita e mrekullueshme, me diell, e ngrohtë dhe pa erë i dha mundësinë të gjithë pjesëmarrësve të kënaqen me panoramat nga lartësistë e majës së Mëcekut, 1848 m mbi nivelin e detit, që është dhe pika më e lartë e Malit me Gropa.

G4-G5

 

Maja e Korabit 2.751 m
Nga historiku i alpinizmit tonë:
Në shkurt të vitit 1956, nën drejtimin e Minella Kapos u ndërmorr ngjitja në majën e Korabit. Ngjitja e majës nuk u realizua sepse: kushtet atmosferike ishin të disfavorëshme, nga pjesa më e madhe e grupit nuk njihej teknika e ngjitjeve në terrenin e mbuluar nga bora, pjesëmarrësit nuk kishin pajimet e duhura. Megjithatë shtatë nga 13 pjesëmarrësit arritën të bëhen ngjitësit e kësaj maje në tentativën e dytë (në shkurt të vitit1957).
Në muajin shkurt të vitit 1957 në zonën e Llixhave të Peshkopisë organizohet shkolla e parë alpinistike dimërore nën drejtimin e Minella Kapos. Gjatë ditëve të kësaj shkolle u organizua tentativa e dytë për ngjitjen e majës së Korabit në sezonin dimëror, tentativë që u kurorëzua me ngjitjen e majës. Mendohet që kjo të jetë ngjitja e parë alpinistike e kësaj maje në sezonin dimëror.
24 shkurt 2019
Dita e 23 shkurtit u gdhi një ditë me mot shumë të trazuar në fsharin Radomirë, në rrëzë të malit të Korabit. Ky fshat rregjistron lartësinë 1.250 metra mbi nivelin e detit në pikën e tij më të lartë. Tufani me shkulme si rallëherë, temperaturat e ulta (të ndjerit prej erës u rregjistrua në – 22 ͦ C) si dhe shkëputja e përkohëshme (fat i madh që ishte e përkohëshme) e energjsë elektrikë bënë që ekipi Belg i alpinistëve të braktisë synimin e ngjitjes së majës dhe të kthehet në Tiranë, kurse pronarin e hotelit e bënë që të na telefonojë e të na njohë me situatën. Ne u nisëm. Rruga për në Radomirë ishte e pastruar nga bora mjaft mirë!

K 1

Të djelën që në orën 05:00 ishim në lokalin e restorantit, ku hapsira e mjaftueshme na mundësoi që të dymbëdhjetë pjesëmarrësit në këtë veprimtari të kishim hapsirë të mjaftueshme për tu përgatitur me veshjen dhe materialet e nevojshme që kërkonte synimi ynë.

K 2

Dëbora e ngrirë i dha mundësi grupit që t’i “shkurtojë” rrugën si dhe që të marshojë me temp të lartë. Por kur grupi arriti lartësinë 2000 metra furia e erës u bë jo vetëm penguese për të shkuar më tej, por detyroi që pesë nga anëtarët të heqin dorë nga synimi dhe në lartësinë 2.100 metra mbi nivelin e detit të marrin rrugën e kthimit. Për fat të mirë Korabi do mbetet atje dhe do i presë herë tjetër .
Por gjashtë nga synuesit gjetën forca që të përballojnë si erën e fortë ashtu edhe temperaturën e ulët dhe të parët e shkelën majën në orën 10:30.
Në orën 13:30 pronari i Restorant dhe Hotel Korabi, Z. Haxhi Hima, i shërbente të gjithë grupit gatimet e shijshme dhe më pas i buzëqeshur, bashkë me djalin e tij që e ndihmon në biznes, Agronin, na përcolli për në udhëtimin drejt Tiranës.

K4-K5

shbat