Gusht 2019
Në fillim të muajit udhëtuam për në Theth. Për këtë vit turistik trasesë së rrugës automobilistike nuk i ishte kryer asnjë mirëmbajtje apo përmirësim. Madje, mbajtëset/mbrojtëset metalike, teksa i ngjitesh Qafës së Thores, duket se i ka zhvleftësuar kompania që ka hapur rrugën nga bora e dimrit që lamë pas. Përtej Qafës së Thores, pjesa e pashtruar e rrugës, jo vetëm që është shkatërruar si kurrë më parë, por edhe është një kuriozitet Evropian që meriton të futet në Librin Gines: është ndërtuar në vitin 1937 dhe është ende e pashtruar edhe pas 82 vjetësh! Rekord Botëror! Por edhe Turp Botëror!
Pas një pushimi në oborrin e Bujtinës Prek Harusha (këtu bisedat tona me të do të përfshijnë edhe absurdin e pronësisë së tokave të familjeve thethjane) ndalëm udhëtimin me makina tek Kroi i Shtrazës (apo e njohur ndryshe nga alpinistët, “tek Qershitë”, ku ka mbetur vetëm njëra pemë, shumë “plakë”, nga tre të dikurshmet). Drekuam dhe u nisëm për në Gropat e Bukura ku kaluam natën.
Të nesërmen (e diel dt. 4), u ngjitëm në majën e Jezerës (2.694 m) dhe prej aty, tre më të shpejtët e grupit, Olsi, Gazi dhe Gjergji, u ngjitën edhe në majën e Popllukës (2.569 m).
Në datat 17 dhe 18 ndërmorëm një udhëtim nëpër pjesën jugore të vendit tonë, udhëtim që e quajtëm “tortë turistike” për arsye sepse ndalëm në disa pika panoramike, kulturore, arkeologjike, etj.
Ndalesa e parë u bë në qytetin antik BYLIS, i ngritur rreth 2.500 vjet më parë në një pllajë kodrinore nga ku zotërohet pamje spektatoriale e lumit Vjosa, prej aty ku ai del nga grykat dhe hapet në luginë e fushë deri tej në detin Adriatik. Këtu çdo gjë kaloi mjaft bukur me përjashtim të mikpritjes, që lë për të dëshiruar, në bar restorantin e ndërtuar brënda kësaj qëndre arkeologjike.
Dreka na zuri tek “Restorant Sajmola”. i ngritur mbi një shkallare të tarracuar e të shtruar me gurë; me burime që rrjedhin aty-këtu nëpër lokal dhe buzë lumit të Vjosës. Ky vend tërheq shumë vizitorë dhe humbet kohë deri sa të vjen rradha e shërbimit, por kjo kohë justifikohet me soditjet që të ofron natyra përreth.
Më tej, ndalesa e rradhës ishte Teqeja në Alipostevan. Një institucion fetar, bektashian, i mahnitëshëm për nga madhështia, cilësia e punës së kryer nga ndërtuesit e saj dhe nga hapsira panoramike që të ofron.
Më pas një kafe në qytetin e pastër, të qetë dhe me banorë që kanë mundësi të shëtisin nëpër rrugët me gjelbërinm e lule, si dhe me fëmijë të të gjitha moshave që gjallërojnë qendrën e tij. Në Përmet.
Natën e kaluam tek Bujtina e zotit Apostol Tase, buzë lumit të Langaricës.
Sigurisht që për ne pjesa më tërheqëse për këtë fundjavë ishte udhëtimi nëpër kanionin e Langaricës, udhëtim që bashkë me kohën që kaluam në vaskat me ujë kurativ që janë në dalje të tij tek Ura e Katiut na dhuroi katër orë të këndëshme. Fotografitë flasin vetë.
Në mbyllje disa prej nesh nuk lanë pa vizituar edhe fashtin Bënjë dhe kishën aty. Kurse ndarjen tonë për të vazhduar më tej udhëtimin për në Tiranë e organizuam në fshatin Piskovë tek Bar Restorant Iliri.
Në datën 30, në adresën elektronike të Z. Aleksandër Bojaxhi, erdhi vjersha e titulluar nga vetë autori i saj Pandeli Koçi “Kënga e Alpinistit”. Po e japim atë në mbyllje të kësaj kronike.
Pandeli Koçi, shkrimtar, shkruan nën pseudonimin Sazan Goliku. Ai ka pas marrë pjesë në shkollat e alpinizmit që organizoheshin nga Klubi Sportiv Studenti në malin e Dajtit dhe që nga ajo kohë, saktësisht që nga viti 1962, ai dhe Aleksandri e kanë këmbyer dhe ruajtur midis tyre dashurinë për malin si dhe miqësinë e krijuar në mal. Ja vjersha:
KËNGA E ALPINISTIT
Malet dhe qielli
miq të pandarë,
por kurrë nuk puqen
veç në sytë tanë.
Malet dhe ne,
gjakimi dhe malet
mbi ta ngremë
flamurin e zemrës.
Të jesh alpinist
të jesh mik me malin,
të jesh mik me qiellin
nën diell e borë,
të ngjitesh mbi frikën,
të kesh krah shqiponje –
flatrat e guximit.
Malet dhe ne –
ne mbi malet.
Sazan Goliku
shbat