Shtator 2019
Maja e Hekurave
Gjatë fundjavës 31 gusht – 1 shtator, një grup alpinistësh nga Shoqata Bjeshkatarë dhe Alpinistë Tirana (Dorina, Eriku, Ervini, Gjergji, Igli, Luani, Skerdi) realizuam ngjitjen e Majës së Hekurave (2561 m). Udhëtuam ditën e shtunë nga Tirana në Bajram Curri dhe më tej për tek Liqeni i Ponareve, ku edhe kaluam natën në çadra (vend i këndshëm dhe çlodhës, edhe pse me mjaft lagështirë gjatë natës dhe sidomos pas vesës së mëngjesit).
Nga e djathta në të majtë: Dorina, Luani, Skerdi, Igli, Gjergji
Të nesërmen (e diel, 1 shtator) rreth orës 7:00 u nisëm drejt Majës së Hekurave. Pasi arritëm majën rreth mesditës, filuam zbritjen drejt fshatit Dragobi ku grupi i fundit arriti rreth orës 18:30 (në zbritje u ndamë në 2 grupe).
Nga e djathta në të majtë: Eriku, Igli, Ervini, Gjergji, Luani, Dorina, Skerdi
Edhe pse jo i rrezikshëm në aspektin teknik, itinerari që ndoqëm ishte sfidues, jo vetëm për shkak të pjerrësisë dhe të largësisë nga pika e nisjes në pikên e mbërritjes, por sidomos për shkak të “armiqësisë” së terrenit. Një pjesë të konsiderueshme të rrugës (si në ngjitje, ashtu edhe në zbritje) ecëm mbi gurë të thërrmuar dhe jo të qëndrueshëm, të cilët ngadalësonin disi ecjen dhe binin vazhdimisht. Megjithatë, ashtu si ndodh thuajse gjithmonë në të tilla veprimtari, këto vështirësi (mëse normale në këtë lloj aktiviteti) harrohen ende pa përfunduar zbritja.
Duke mbërritur në majë
Gjithçka ngelet në fund janë ato ndjesi dhe përjetime që na bëjnë t’i kthehemi malit parreshtur dhe sa herë na jepet mundësia, ose të na marrë malli për të kur kjo nuk është e mundur: pamjet unike që vetëm malet mund t’i falin; peisazhet e papërsëritshëm që duken nga maja e që shpeshherë na “marrin frymën”; çastet e euforisë dhe plotësimit të përjetuar gjatë “pushtimit” të një maje (sidomos kur kjo e fundit është sfiduese dhe e panjohur); ajo ndjenjë e gjallë lirie dhe qetësie që jep natyra në përgjithësi e në të gjitha format e saj (në mal kjo ndjenjë është pa diskutim ndër më të fortat e më të bukurat!); kënaqësia që fal ndarja e kësaj përvoje dhe kalimi i një pjese kohe cilësore me njerëz të tjerë të cilët ndajnë të njëjtin pasion, e cila në fund të fundit ka në thelb të njëjtin qëllim të çdo veprimtarie tjetër shoqërore, atë të njohjes së njerëzve.
Maja e Hekurave
Foto tek maja e Hekurave
E solli Dorina Mosku
Më datë 8 shtator një grup I përbërë nga shtatë vetë, anëtarë të shoqatës sonë, zgjodhën malësinë e Krujës për të kaluar ditën e djelë. Synimi: maja e Skëndërbeut.
Krahasuar me dy vite më parë tashmë rruga automobilistike është e asfaltuar deri në Qafë Shtamë (1.230 m); aty ku syri në një ditë pa re apo mjegull të sheh qytetin e Burelit.
Përkujtimoret e Shkëmbit të Vajës dhe Abaz Kupit (djathtas)
Rrugës ndalesh tek përkujtimorja “Shkëmbi i Vajes”, ku shënohet se nëntëdhjetë vajza krutane u hodhën për të mos rënë të gjalla në duart e turqve. Tek lexoj pllakatin më shkon mendja tek qyteti i Veronës në Itali ku bëhët një turizëm i bukur me vetmohimin për hir të dashurisë të Romeos dhe Xhuljetës (“për dashurinë jap jetën” është shprehur në një varg poeti hungarez Janosh Huniad). Sa bukur do të ishte që edhe këtu, tek ky shkëmb e tek ky hon, t’i kompozohej një hymn dlirësisë së vajzës!….
Më tej një përkujtimore për majorin e ushtrisë së mbretit Zog, Abaz Kupi i cili u shqua në reziztencën tonë ndaj pushtimit fashist Italian gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Nga i gjithë grupi ynë, Eriku, Skerdi dhe Gjergji u ngjitën në majën e malit të Skëndërbeut (1.724 m).
Në datën 14 në në fshatin Shtupeq i Madh (Gryka e Rugovës – Kosovë) u organizua ceremonia e përgëzimit të realizimit të ngjitjes së Shtatë Majave (lëvizja alpinistike botërore Seven Summits) nga Aranit Nikçi dhe Mrika Nikçi (atë e bijë). Nga shoqata jonë ishin ftuar katër (nga gjashtë gjithsej) nga ngjitësit e majës Everest dhe Aleksandri. Nga everestasit patën mundësi të marrin pjesë Gjergji dhe Erli. Mrika Nikçi mbush moshën 18 vjeç (që njihet si moshë madhore) në 6 dhjetor. Kjo i jep vlerë kësaj arritje dhe ajo pritet të regjistrohet në librin e shënimeve/rekordeve (jo rekord gare).
Gjergji, Erli, Araniti, Mrika, Ejupi, Aleksandri
Veprimtaria më interesante e muajit ishte ajo e organizuar në datat 28 dhe 29. Udhëtuam nga Tirana në Vermosh e prej aty kaluam në Malin e Zi ku ndaluam për një drekë e një kafe në fshatin piktoresk Vuthaj. Më tej udhëtuam me makinë edhe 5 km dhe pasi lamë makinën në një livadh, marshuam deri tek stanet në Fushë Runicë. Ishte ky një marshim “i gjelbër”, ku pyjet dhe kullotat alternonin njëri-tjetrin. Natën e kaluam rreth zjarrit me barinjtë e fshatrave Reç dhe Grizhë, që kishin dalë n’ato kullota.
Të nesërmen, një treshe e formuar nga Luani, Nebiu dhe Gjergji kërkuan dhe gjetën shtegun për ngjitje në malin e Bojës dhe u kthyen nga ana e liqeneve të Jezerës, kurse ne të tjerët u kthyen nga itenerari i ardhjes.
Në kthim, na la mbresë numuri i madh i argëtuesve që kalonin shtegun e shënuar. Ishin të rinj e të reja, pleq e plaka, nga vende të ndryshme të botës (Brazili, Izraeli….) por jo shqiptarë. I vetmi shqiptar që takuam ishte Rifat Selimaj, anëtar i shoqatës sonë i cili shoqëronte një grup turistash francezë.
Në kërkim të shtegut (majtas) dhe takim me Rifat Selimaj (djathtas)
Shbat