Tetor 2019
Tre vjet më parë, në kronikën Tetor 2016 të faqes sonë në rrjet shkruhet si më poshtë:
HOMAZH – Gilman Bakalli
I ndjeri Gilman Bakalli ishte mik i Shoqatës sonë. Më datë 8 tetor 2016 ai ndërroi jetë nga një leuçemi akute. Ne, e shumëkush, u tronditëm tek mësuam për këtë humbje. Gilmani ishte njeri me kaq shumë vlera, dhe ishte aq shumë i lidhur me jetën familjare e sociale, sa është e vështirë të besosh se ai nuk është më me ne.
E shkuara e tij do të jetë përgjithmonë një model dhe kujtim i mrekullueshëm për të gjithë ata që jetuan me të dhe për ata që e njohën. Fotografitë në këtë kronikë janë një prekje e ëmbël e kujtimeve që kaluam në natyrë me të dhe me bashkëshorten e tij, Irena.
Bashkëshortes së tij Irena, vajzave Nancy dhe Deborah , si dhe të afërmve të tij u shprehim ngushëllimet tona!
Teodor Çuçi, Faik Kohila, Lavdosh Celibashi, Aleksandër Bojaxhi
Trofeu
Me nismën e familjes Bakalli dhe me mbështetjen e sportdashësve dhe miqve të të ndjerit Gilman Bakalli, në datën 6 Tetor 2019 u organizua në Shkodër gara sportive “Cross Country Gilman Bakalli 2019”.
Kjo garë ishte një homazh për Gilman Bakallin – nismëtari i çiklizmit off-road në Shkodër. Gara ishte njëkohësisht një promovim i këtij sporti nëpër shtigjet e mrekullueshme që Shkodra i ofron bujarisht.
Gjatë garës
Gara me biçikleta të tipit MTB Cross Country mirëpriti si garues 53 vajza dhe djem jo vetëm shkodranë, por edhe nga Tirana, nga Kosova dhe nga Mali i Zi. Ndër pjesëmarrësit 39 e përfunduan garën prej 17 km, me itenerar Ura e Mesit – Rragam.
Në mbyllje të garës u regjistruan këto rezultate:
Për meshkuj: Enris Reçi (53‘20“); Anton Ndou (53‘51“); Diamant Poja (55‘04“).
Fituesit
Për femra: Irena Temali (1h 25‘5“); Nensi Ademi (1h 33‘10“); Elsa Prela (1h 42‘38“).
Fitues i trofeut u shpall Enris Reçi nga qyteti i Tiranës.
6 tetor Ducaj
Pjesëmarrësit
Të nisur nga Tirana herët në mëngjes, „e ndalëm frymën“ në fshatin Xhaj (Lugina e Përroit të Thatë) dhe në lokalin ku shërbejnë Çesk dhe Hana Lakaj, hëngëm mëngjesin dhe rrufitëm një kafe. Prej këtu në Ducaj, në pjesën më veriore të fshatit, udhëtimi nuk zgjat më shumë se 10-15 minuta. Parkuam aty ku na priste Llesh Durgaj, banor i Ducajt i cili hera-herës është edhe udhërëfyes për të ardhurit si ne që duan të ngjiten në majat përreth.
Synimi ynë ishte ngjitja e majës së Mardomit (2.180 m).
Itenerari vajtje-ardhje rezultoi 17 km i gjatë dhe u deshën tetë orë për ta përmbyllur. Përvoja e fituar besojmë se do të jetë e vlefshme për ta shfrytëzuar gjatë muajve të dimrit që kemi përpara për ta përsëritur ngjitjen në reliv të mbuluar nga bora e akulli.
Kujtim në majë
Datat 19 dhe 20 tetor një grup i vogël i anëtarëve të shoqatës sonë i kaloi në malin e Shkëlzenit. Ndonëse pronari i lokalit, në lartësinë rreth 1.200 metra të këtij mali, nuk ndodhej aty, falë komunikimit paraprak me të, ai na kishte lënë dritat ndezur dhe mjedis të mjaftueshëm me ulse e tavolina për të koluar orët e shujtave si „zotnij“ si dhe mundësi për të vepruar dhe për tu orjentuar edhe gjatë orëve të natës.
Maja e Shkëlzenit
Nata kaloi në tendë; një natë e qetë dhe relativisht e ngrohtë për lartësinë dhe muajin që jemi. Në mëngjes filluam udhëtimin „e pafund“ dhe JEEP-i ndali në lartësinë 2.300 metra. Një rekord për makinën, por jo për ne. Takimi me një grup të rinjësh na shtoi shoqërinë për sa kohë ndenjëm bashkë.
Alpinistë dhe vizitorë
Maja e Shkëlzenit (2.407 m) ngrihet mbi qytezën e Tropojës dhe është një majë e shënjtë për besimtarët bektashinj të zonës. Kjo është dhe arësyeja që ata kanë dhuruar fonde për ndërtimin e kësaj rruge e cila ndalet tek varri i shenjtë i Shkëlzenit.
Tyrbja dhe Vorri i Mirë
Zbritja nga mali rezultoi një punë e vështirë për makinën: ferrotat shpesh nxeheshin duke nxjerë jashtë funksionimit normal sistemin e frenimit. Porse zbritja na dha edhe momente të tjera kënaqësie në këtë mal. Kështu, një pushim i shkurtër, me kafe djathë dhe pak raki, në tellen e Rifat Kortocit ishin qershia mbi tortë në këtë veprimtari. Nga Rifati mësuam se zona është e varfër me ujë dhe barinjtë përdorin boza bore (copa të mëdha bore të ngrirë) të cilat sigurojnë ujin e pijshëm.
Ja vlen të shtojmë se gjatë këtyre dy ditëve mjaft vendas ishin nëpër pyjet me gështenjë dhe mblidhnin frutin e dëshiruar, të pjekur ose të zier, si për veten e tyre ashtu edhe për ta shitur. Cilësia e gështenjës si dhe çmimi ishin joshës për të blerë edhe ne dhe për të sjellë në shtëpi gështenja tropoje.
Shënim: ndërkohë që përgatitej kronika, Aleksandër Bojaxhi i dërgon disa foto shokut të tij të kahershëm të ngjitjeve alpinistike dhe njëherësh mikut të tij Nuredin Seci, dikur anëtar i ekipit alpin “Valbona”, sot banues në USA. E shohim me vend tu përcjellim përgjigjen e Nuredinit që të kuptojmë qëndrimin e dikurshëm të partisë-shtet ndaj njerëzve që besonin.
Ah more Aleksandër! Jam ngjitur në atë majë, në ato kohë kur ishte e ndaluar të shkoje tek ai varr. Më luteshin njerëzit dhe i çue atje dhe unë i çoja me shumë frikë. Atëherë varri nuk ka qenë i punuar, sigurisht që rruga nuk egzistonte. Kur shkonim atje, sidomos në vjeshtë, shtegu ishte me shumë baltë. Të falenderoj për fotot!. Je shumë i mirë! Të përshëndes, NS.
Tre shoqata në Luboten
Në datat 26 dhe 27 shoqata organizoi ngjitjen në majën e Lypetenit, mal i cili ndodhet në pjesën më lindore të vagmalit të Sharit. Ndër dy variantet e ngjitjes së majës, itenerari nga Brezovica dhe itenerari nga Kaçaniku, u zgjodh ky i fundit si më racional për kushtet tona.
Ndërkohë ishim lidhur edhe me “Shoqatën Bjeshkatare Alpinistike Kaçaniku 2015”. Sekretari i saj, zoti Ekrem Kyçyku, u shpreh shumë i gatëshëm për të na shoqëruar dhe ndihmuar për synimin tonë.
Bashkimi me miqtë tanë u arrit ditën e shtunë rreth orës 18:00. Bashkë me Erkremin kishin ardhur edhe kryetari i shoqatës, zoti Daut Shehu si dhe disa antarë të saj. Fillimisht, me një kafe a lëng përpara, ramë në ujdi për itenerarin që do të ndërmerrnim dhe u nisëm që të arrinim sa më parë lartësitë tek zona e staneve .
Ora 21:00 na gjeti me kamping të përgatitur. Ndezëm zjarr, poqëm misra dhe patate në prush dhe u ulëm për të ngrënë darkën. Ekremi kishte marrë mjaft ushqime me vete duke na pasuruar “tavolinën”.
Kujtim në majën Luboten
Të djelën herët në mëngjes morrëm rrugën për në majë. Edhe dy alpinistë të tjerë të shoqatës së Kaçanikut, të nisur nga qyteti herët në mëngjes, ju bashkuan grupit. Në majë ishim pak pas orës 09:00. Aty arriti edhe një grup tjetër alpinistësh të nisur nga Maqedonia Veriore. Me këtë rast Ekeremi na ndihmoi si përkthyes. Bëmë disa foto dhe më pas filluam zbritjen. Rreth orës 12:30 mbërritëm te pika e nisjes dhe nga ora 13:30 u bashkuam të gjithë për një kafe në lokalin buzë rrugës kryesore; aty ku dhe kishim parkuar më të shumtat e makinave.
Pamje nga maja Luboten
Shtrënguam duart me njëri tjetrin dhe u larguam me përshtypjet më të mira për miqtë tanë dhe ndjesinë e bukur që të lë mikpritja e shqiptarëve të Kosovës sa herë që bëjmë organizime të tilla.
Donald Therepeli
shbat