Nëntor 2019
Ky muaj nuk pati fundjavë të përshtatëshme për të organizuar veprimtari në natyrë.
Në mungesë të kronikës me veprimtari po postojmë një artikull duke e “thyer” atë nëpër paragrafë me fotografi të zgjedhura nga veprimtari të këtij viti.
Veshjet dhe pajimet
Kur përgatisim rancin për të dalë në natyrë, shpesh jemi në dilemë për të marrë këtë apo atë artikull. Gjithnjë ja vlen të jemi të qartë se çfarë duhet marrë e çfarë duhet lënë në shtëpi apo në tendë. Sot llojshmëria e veshjeve dhe pajimeve është e tillë që nuk u vë në vështirësi për të menduar se çfarë duhet të keni por u vë në vështirësi të vendosni se çfarë është e domosdoshme që të merrni për të mundësuar një ngjitje të sigurtë duke qenë sa më larg rreziqeve, i thatë e sa më pak të trazuar.
Një mënyrë për të fituar përvojë lidhur me veshjet e pajisjet është duke bërë një bilanc pas çdo ngjitje dhe të shikoni se çfarë përdorët e çfarë nuk përdorët si dhe çfarë duhej të kishit marë (çfarë u mungonte). Ndërkohë që ju blini pajisje e veshje shikoni mundësinë që secili artikull të jetë sa më i lehtë, po pa cënuar qëndrueshmërinë a fortësinë e domosdoshme të tij. Kini parasysh thënien: “Nuk jam i pasur që ta blej lirë.”
Në majën e Korabit
VESHJET
Veshjet na sigurojnë qetësinë e nevojshme lidhur me mbajtjen e një temperature normale për trupin. Për të siguruar këtë temperaturë, na duhet një shtresë ajri në temperaturë të trupit midis lëkurës sonë e shtresave me të cilat e mbulojmë atë. Le të kujtojmë se armiqtë e kësaj qetësie trupore janë reshjet, era dhe temperatura e ulët.
Shtresat
Ju mundet të risni në maksimum efektivitetin dhe gjithanshmërinë e veshjeve tuaja duke e patur atë të ndërtuar me një sistem shtresash. Shtresat e bëjnë veshjen të përdorshme në temperatura të ndryshme në male. Ju u mbetet që për t’ju përshtatur temperaturave, të shtoni ose të hiqni shtresat e veshjes një nga një.
Veshjet bazë për veprimtaritë në natyrë konsistojnë nga tre lloje shtresash: shtresa e drejtpërdrejtë me lëkurën, shtresa veçuese dhe shtresa e jashtme apo zhgualli i veshjes.
Shtresa e drejtpërdrejtë me lëkurën (veshja e brendshme apo “të bardhat”), duhet të mundësojnë/lejojnë djersitjen që të kalojë nëpër të (pa e absorbuar a thithur) dhe të avullojë, duke siguruar kështu mbajtjen e lëkurës tuaj të thatë. Ky proces “fitili” mundet të jetë jetësor për të na mbajtur ngrohtë, ngase cohat e lagura në takim me lëkurën shkaktojnë 25 herë më shumë humbje të nxehtësisë trupore krahasuar me ato të thatat.
Shtresat veçuese duhet të jenë kurth për ajrin që është drejtpërdrejt me trupin. Sa më e trashë të jetë shtresa e ajrit në këtë kurth, aq më ngrohtë do të ndjeheni. Zakonisht ju mundet të qëndroni më ngrohtë duke veshur disa shtresa të holla e të lehta se sa duke patur një shtresë të vetme të trashë. Kjo ndodh ngase disa shtresa fusin në kurth më shumë shtresa ajri. Shembull: mur guri, mur me tulla të plota, mur me tulla me bira.
Zhgualli (shtresa a veshja e jashtme) duhet të sigurojë mbrojtje nga era dhe shiu, mbasi në të kundërt do të na shkaktohet një humbje shqetësuese e nxehtësisë trupore.
Fushë Okol – Bogë
Cohat
Veshjet për në natyrë bëhen nga coha të ndryshme, e sejcila prej tyre ka cilësi përparësore por edhe mangësi. Ja disa të dhëna për to.
Fibrat natyrale
Në fillimet e ngjitjeve malore, veshjet me fije (fill) natyral u përdorën gjërësisht dhe ishin përparësore. Porse çdo fill natyral ka të përbashkët karakteristikën e të thithurit të ujit, lagështisë apo djersës. Është pikërisht kjo cilësi e tyre që sot i ka bërë ato “të kenë dale” nga përdorimi.
Pambuku është i përshtatshëm të vishet kur je i thatë porse i humbet vetitë veçuese kur njomet; ai thith në peshë shumë më tepër lagështi nga sa ka peshën e vet, e përthith djersën shumë mirë (kjo është e keqja) dhe kërkon kohë që të thahet. Këto veçori e bëjnë pambukun të jetë jashtë biznesi në veshjet e ngjitësve. Roli i pambukut në tragjeditë e maleve të lidhura me ndikimin e hipothermisë në vdekje i ka dhënë këtij filli nofkën/emërtesën “veshja e vdekjes.” Megjithate, në kohën e nxehtë pambuku ventilon dhe freskon mirë. E lagni një bluzë pambuku në një ditë të nxehtë dhe e vishni dhe ajo do u freskojë mjaft!
Leshi është shumë më pak thithës i lagështisë krahasuar me pambukun, kështu që ai mban më pak ujë kur laget dhe kërkon shumë më pak nxehtësi për tu tharë. Kur është i lagur, nuk dështon aq sa dështon pambuku; për pasojë ai e mban më të shumtën e shtresës së ajrit të veçuar dhe punon mirë si një shtresë veçuese. Ky tipar jo dështues i leshit në prani të lagështirës e bën atë një material të mirë për kamçe. Disavantazhet kryesore të leshit janë pesha dhe të qënët jo dukmirë. Varietetet e leshit ndryshojnë në përpunim – përpunimi më i lehtë (përpunim i cili e mban leshin më pranë të qënit natyral) e bën atë që ta lëshojë/mos e mbajë lagështirën. Porse edhe më i miri lesh është mjaft ngjitës në lëkurë e kështu të bën që të kruhesh. Kjo na mëson se veshja prej leshi nuk është e mirë për tu patur drejtpërsëdrejti në lëkurë.
Fibrat sintetike
Fibrat më të fundit e të teknologjisë më të lartë në të vërtetë i kanë zëvendësuar fillet natyrale në veshjet për veprimtaritë në natyrë. Fibrat sintetike janë përgjithësisht hydrophobic-e, që domethënë se ato nuk e thithin lagështirën. Llojet e veshjeve të bëra me fibrat sintetike thithin/absorbojnë ca lagëshitrë, porse kjo ndodh kryesisht në hapsirat e lira midis fibrave e jo brënda çdo fibre në vetvehte. Kur janë të lagura, më e shumta e lagështisë mundet të nxiret/shtrydhet; mbetja avullon shpejt.
Bërja bashkë e sistemit të veshjes
Të pajisur me njohuri lidhur me karakteristikat e cohave si dhe strategjinë e shtresëzimeve, ju mundet të bëni bashkë sistemin tuaj të veshjes për në mal. Artikujt e zgjedhur do të ndryshojnë në mënyrë të dukëshme nga ngjitësi tek ngjitësi (sikundër edhe veshjet tona të përditëshme). Qëllimi në dhënien e këtyre njohurive është që ju të bëni sistemin e veshjes gjithëpërfshirës dhe që i përgjigjet çdo rasti. Më tej jepen disa udhëzime të veçanta për sejcilën shtresë të veshjes.
Shtresa e dejtpërdrejtë me lëkurën
Mbrojtja nga të ftohtit fillon me veshjet e brendëshme të gjata. Cohat me thithshmëri sikundër polypropylene dhe polyester janë më të mirat për këtë qëllim.
Veshjet e brendëshme në ngjyrë jo të çelët u mbajnë më ngrohtë si dhe thahen më shpejt nën dritën e diellit. Ngjyrat e çelta, meqë thithin më pak nxehtësi nga dielli, janë më të përshtatëshme në ditët e nxehta dhe veshjet e gjata mundet të përdoren nëse ju duhet të tregoni kujdes ndaj djegjes nga dielli ose pickimi i insekteve.
Maja Shkëlzen
Bluzat-T dhe pantallonat e shkurtëra
Ndonëse bluzat-T, pantallonat e shkurtëra, veshja e brendëshme dhe gjimbështetëset sportive nuk përbëjnë/janë “shtresa”, ato duhet të zgjidhen të tilla që të përmbushin kryesisht të njejtin funksion sikundër veshjet e brendëshme të gjata. Me fjalë të tjera, ato duhet të lejojnë djersën të dalë jashtë.
Për mot të nxehtë, përthithja e djersës është ë domosdoshme, kështu që një bluzë T ose një bluzë pa mëngë do jetë e mjaftueshme. Porse për klimë më të ftohtë malore, pambuku është i pamjaftueshëm si veshje. Në një ditë me erë dhe disi të ftohtë, tek marshoni ju mundet të djersitni e të ndjeni bluzën të lagur dhe më pas të ndjeni mornica në trup kur të pushoni. Në këto situata bluzat me fije sintetike janë më të përshtatëshme se bluzat prej pambuku. Bluzat-T duhet të jenë me ngjyra të çelta për të siguruar freski dhe të lirshme për të siguruar ajrosje të mirë.
Përsa u takon pantallonave të shkurtëra ose mbathjeve të shkurtëra (sportive), ventilimi dhe rezistenca ndaj gërryerjes janë kërkesat bazë. Një palë të shkurtëra të lirshme prej nylonit, me një astar po prej nyloni tip rrjetë, si rregull janë të përshtatëshme. Të shkurtërat prej pambuku nuk para vishen nga ngjitësit mbasi ato shkaktojnë fërkim të pakëndëshëm kur ngopen me djersë. Një kombinim popullor në veshje sot në një kohë as të ngrohtë e as të ftohtë është një veshje e brendëshme polyester me një palë të shkurtëra mbi to.
Në Kanionin e Holtës
Shtresat veçuse
Në kohë të ftohtë, ngjitësi ka nevojë të ketë disa shtresa veçuse si për trungun dhe për shalët. Shtresat veçuse në pjesën e sipërme të trupit mundet të jenë veshje të brendëshme të gjata e të rënda, bluza leshi, triko ose xhaketa pushore sintetike. Për shalët, zgjidhni veshje të brendëshme të gjata ose pantallona të leshta apo të pushta. Ka shumë zgjedhje; objektivi kryesor është të mbeturit ngrohtë kur jeni të lagur.
Bluzat dhe trikot duhet të jenë të gjata në trungun e trupit që kështu të përfshinë a mbulojnë përmesin. Zbrazdësitë (përpiquni t’i eliminoni) midis pantallonave dhe shtresave të pjesës së sipërme të trupit lejojnë mjaft nxehtësi të vlefshme trupore që të largohet. Veshjet e brendëshme me jakë golf si dhe tricot (kraholet) munden gjithashtu të sigurojë përfitim të ndjeshëm në ngrohtësi.
Pantallonat veçuse duhet të jenë të lirëshme ose të epëshme për liri veprimi dhe të bëra nga një cohë e ngjashme me leshin me një përpunim për qëndrueshmëri ndaj erës dhe gërryerjes. Leshi dhe përzjerjet lesh-polyester punojnë mirë. Pantallonat me push janë më të lehta por nuk janë aq të sigurta nga gërryerjet ose rezistente kundrejt erës sikundër leshi. Kërkoni pantallona me të pasmet/ndenjurat dhe gjunjët të përforcuara si dhe me zinxhirë të gjatë të cilat e lejojnë alpinistin t’i veshë ato ndërkohë që i ka veshur këpucët.
Disa ngjitës pëlqejnë qillota (pantallone të gjata deri tek gjunjët) në vend të pantallonave të gjata për liri lëvizje, ventilim më të mirë dhe për të shmangur qulljen e pjesës së poshtëme (këmbëve të pantallonave) nga kontakti me borën dhe vesën. Porse dihet që killotat nuk janë zgjedhja më e mirë për një mot të ftohtë.
Stani në Fushë Runicë
Shtresa zhguall
Zhgualli (shtresa e veshjes në takim me ajrin) ideal është jo veçues, kundra erës (nuk e përçon erën), tërësisht kundër ujit dhe tërësisht frymëmarës (përçues i ajrit dhe avujve). Nuk ka asnjë lloj materiali a malli i cili të arrijë njëherësh të gjitha këto cilësi, porse ka strategji të ndryshme të cilat japin afrime të mira.
Njëra strategji është të paturit e një shtrese zhguall shumë funksionale të tillë si pantallona e xhakovento me cyc (kapuç) Gore-Tex kundra shiut, ose veshje/komlpet shiu me një mveshje kundra ujit por frymëmarëse. Nëse kjo shtresë e vetme zhgualli do të sigurojë frymëmarje të mjaftueshme për trupin tuaj (gjë që varet nga masa që ju djersini si dhe masa e të qënit aktiv), kjo do ishte gjëja më e mirë.
Xhakoventot me cyc/kapuç janë në stile të ndryshme. Ato standarde (parka) janë me zinxhir në pjesën e përparme në të gjithë gjatësinë e saj si dhe me cilësi ventilimi. Ato me zinxhir vetëm në pjesën e gjoksit (anoraka) nuk sigurojmë përshtatshmëri në trup sikundër të parat, porse për mjaft alpinistë janë më të besueshme në përdorim kur vjen puna në dëmtimin e zinxhirit.
Teqeja në Alipostevan
Veshjet për kokën
Një thënie e vjetër thotë: “Nëse i keni këmbët e ftohta vër një kapele.” Pa kapele koka tuaj vepron si një radiator dhe mundet të llogaritet për më shumë se gjysmën e humbjes së ngrohtësisë/nxehtësisë së trupit. Ka ca të vërtetë në thënien e vjetër, sepse ndërkohë që trupi ftohet, kjo thjeshton/ul sasinë e rrjedhës së gjakut në krahët e këmbët ngase tenton të ngrohë zona më jetike të trupit, të tillë si koka. Duke vënë kapelen efekti do të ndryshojë.
Ngjitësit si rregull përdorin kapele të ndryshme. Kapelet e ngrohta janë prej leshi, polypropylene, ose push poliesteri. Balaklavat (kapele që le zbuluar vetëm fytyrën dhe mbulon qafën duke u zgjatur deri nën qafë e mbi gjoks) janë veçuese të gjithanëshme ngase ato mundet të mbulojnë mjaft dhe mundet të palosen duke mbuluar vetëm pjesën e sipërme të kokës. Ka alpinistë që në mot të ftohtë përdorin dy kapele në vend që të përdorin dy triko (krahole).
Dorezat dhe dorashet
Gjishtërinjtë janë pjesa më delikate e trupit në mot të ftohtë. Kodi ynë gjenetik është i tillë që në këto raste e përshtat punën e sistemit të qarkullimit të gjakut që të kujdeset shumë pak për të furnizuar me gjak gishtërinjtë në kuriz të favorizimit të pjesëve të tjera të trupit që janë më jetike. Andaj sikundër duhet të tregojmë kujdes të veçantë për kamçe, edhe më shumë kujdes duhet të tregojmë për të siguaruar gishtërinjtë e duarve nga të ftohtit n’atë mënyrë që ato të ruajnë sa më tepër aftësitë e tyre për të punuar. Jo në pak raste alpinistët me gishtërinj të mardhur kanë vështirësi të punojnë zinxhirin, të punojnë lidhëset, ngrehin tendën, etj.
Mos harroni se, sikundër edhe me kapelet, të kapni veshjet e duarve me gjalma. Mos nguroni që në ngjitje të merni kamçe e doreza rezervë, qoftë edhe kur mundet të mos i përdorni ato.
Dorezat e lëkurës janë të mira në rastet kur përdorim litarin për ngjitje a zbritje mbasi mbërthimi i litarit me to është i mirë, porse ato lagen shpejt e thahen me vështirësi. Ato nuk të mbajnë ngrohtë.
Parasyshje për veshjen
Sot llojshmëria e artikujve që reklamohen për daljet në natyrë është maramendëse. Nëse jeni në fillimet e veprimtarieve në natyrë, filloni me marjen e veshjeve për të krijuar sa më shumë shtresa që tu mbajnë ngrohtë dhe thatë. E thjeshtoni ngarkesën tuaj sapo të fitoni përvojë e siguri por që edhe keni formuar bindjen se do të mbijetoni me ato që merni.
shbat