Korrik 2020
Në datat 4 dhe 5 organizuam ngjitjen e malit të Papadhjasë mbi fshatin Kuç si dhe kalimin e ditës së diel në plazhin e Borshit.
Udhëtimi nga Vlora për në Kuç ishte relativisht i shpejtë sepse deri në Gjorm rruga ishte e asfaltuar kurse pjesa e mbetur ishte kryesisht me stabilizant të hedhur.
Kryetari i fshatit, zoti Gramoz Balili, na mundësoi orientimin e nevojshëm në Kuç si dhe na siguroi një udhërrëfyes, Ardit Barajn, që na udhëhoqi itenerarin deri tek stanet e Papadhjasë.
Pjesëmarrësit në veprimtari
Fshati kishte filluar të marrë formë me një qendër ku madhërishëm ishte vendosur përmendorja e Zenel Gjolekës.
Gjithashtu në qendër, lokali i fshatit shërbente edhe si një muze ku mjaft mjete pune dhe orendi shtëpie, etj, ishin ekspozuar këndshëm nëpër faqet e mureve.
Një pjesë e grupit në majën e Papadhjasë
Borshi na priti me erë të fortë e cila na shqetësoi deri në vështirësi për të ngritur tendat.
Por me kalimin e orëve era ra dhe kështu kaluam një natë të qetë dhe me mundësi të plota për shlodhje.
E diela që në mëngjes na lajmëroi për prishje të motit. Por 3 a 4 orë plazh ishin të këndëshme. Më tej udhëtim nëpër rivierë dhe një pushim i shkurtër në Qafë të Llogorasë.
Fundjavët e tjera të muajit ishin me mot të paqëndrueshëm në bllokun e malit të Jezerës/Jezercës. Kjo bëri qe ngjitja e majës të shtyhej por ndërkohë anëtarë të ndryshëm të shoqatës ndërmorën dalje në natyrë sipas mundësive që kishin. Disa nga fotot që ata realizuan realizuan po i sjellim në mbyllje të kësaj kronike.
Klevisa Lici, Olsi Belishta dhe Çarli në majën e Rosit/Roshit