Gusht 2020

Jezera

Më së fundi në fundjavën e datave 15 dhe 16 moti u “miqësua” me ne.

1-2

Kampuam në zall të lumit të Valbonës, aty ku fillon bjeshka e Ziçit. Covid 19 është ende rrotull dhe kjo bëri që ne të ngremë më shumë tenda nga sa na nevojiteshin.

Ndonëse u ngritëm në orën 5 të mëngjesit u ndamë me Aleksandrin pas 50 minutash. Ajri i freskët dhe gjumi i mirë gjatë natës na mundësoi një temp të mirë deri tek Kroni i Valbonës, apo sikundër njihet ndryshe “Tek Simoni”.

3-4

Këtu u ndamë me Xhenin dhe Vinën të cilat synuan dhe arritën Qafën e Valbonës. Ne të tjerët nën drejtimin e Ervinit morëm itenerarin drejt majës së Jezerës.

05 ne Qafe Valbone

Të gjashtë arritëm majën pak pas orës 13. Ishim shumë të gëzuar, por në veçanti gëzim më të madh shprehu Engjëlli i cili e synonte këtë majë prej kohësh por që nuk i ishte dhënë rasti deri më sot.

06 Pamje e rralle (1)

Interesimi për majën e Jezerës në GOOGLE bëri që të zbulohet një pamje e rrallë nga ajri e relievit në jug, jug-lindje të majës. Vëreni me kujdes në foton 6 që pjesa e sipërme e lumit të Valbonës si dhe përrenjtë që zbresin në të nga veriu “pikturojnë” një zemër.

Bukaniku

Për të patur një pushim aktiv në datën 23 ju drejtuam malit Bukanik që ngrihet 1.815 metra i lartë në zonën e Gjinarit dhe që njihet kaherë si zonë me vlera turistike. Kjo veprimtari na u mundësua në sajë të gadishmërisë dhe mirësisë së z. Artur Guni për të qënë udhërrëfyes për ne.

B1-2

Në mbyllje të veprimtarisë u mblodhëm tek Resorti Tre Bujtinat ku patëm një “drekë të vonuar”. E shohim me vend që të theksojmë se ky resort ishte “për së mbari” dhe ja vlen t’ja rekomandojmë grupeve të tjera të bjeshkatarëve dhe alpinistëve: Kontaktimi në: 0699205805.

B3-4

 

Kanioni tek Gryka e Shejës

Në datën 29 paradite, ne anëtarët e SHBA Tirana, nën drejtimin e alpinistit nga qyteti i Kukësit, Artur Kurtallari dhe shokëve të tij vizituam “Kanionin e Shejit”. Ky është një përrua ujëplotë që nuk shteron gjatë gjithë vitit. Ishte një vizitë që e organizuam për herë të dytë pas 4 vitesh. Pamë një TMERR mjedisor. Pasi udhëtuam rreth 100 metra brenda në kanion, para nesh u shfaq një rrugë automobilistike e llojit “rrugë kantieri ndërtimi”. Kompania e cila po ndërton me ujin që kalon në kanion një HEC, ka rrafshuar për disa qindra metra relievin natyral nëpër të cilin dikur kishte pellgje për tu larë dhe rridhte e shkumonte në pragje të shumtë e ujvara të vogla uji. Sot nuk ka mbetur gjë veçse një mjerim mjedisor, me beton e tuba të stërmëdhenj hekuri.

K1-2

Në mediat tona kemi dëgjuar dhe parë jo pak për protesta që lidhen me marrjen e ujit nga përrenjtë apo shtretërit e prurjeve ujore, por nuk kishim dëgjuar, dhe as të shkon mendja, që të marrin shtratin ku rrjedh uji prej shekujsh e shekujsh dhe ta tjetërsojnë. Ai kanion, siç quhet në gjuhën vendase “Gryka e Shejës” mbart me vete vlera jo vetëm natyrore, por njerëzore dhe historike. Në jo pak këngë e tregime ai përmendet si një “krijesë e gjallë” në luftërat e Lumës për liri, ku me ndihmën e rrebesheve të ujit që sillte në vitet 1912-1913, ndihmoi banorët vendas të ndalnin hordhitë dhe përparimin e armiqve drejt Bicajve dhe Kolesjanit. Vlerat natyrore të kanionit lidhen ngushtë edhe me disa bimë endemike që rriten aty, që mesa duket me kalimin e viteve, si pasojë e ndryshimeve mjedisore prej mungesës së ujit, mund të zhduken. Pa përmendur vlerat turistike të tij, të cilat pas ndërtimit të HEC-it do e bëjnë këtë kanion një grykë pa vlera të tilla.

K3-4

Ne ja vumë vizën kanionit. Ai nuk është më kanion. Ai nuk vlen të vizitohet si kanion. Por mendojmë që ai vlen të bëhet një vend peligrinazhi për masakrën natyrore të këtij përroi, si dhe mjediseve të tjera që ka shkatërruar dhe vazhdon të shkatërrojë babëzia e ndërtimit pa kriter të HEC-eve.

Ja vumë vizën edhe pushtetarëve tanë, lokal e qëndror, që me ligje e tendera bëjnë masakra mjedisore si kjo në “Grykën e Shejës”, në fshatin Bicaj të Kukësit.

K5-6

Ejani sa më shumë tek ky kanion! Le të bëhet ky vendi i pelegrinazhit të ambjentalistëve shqiptarë për të protestuar kundër dhunimit pa kriter të natyrës! Ndal masakrimit të natyrës! Jemi vonë!

 

Korabi

Pasi u larguam të shokuar nga sa na panë sytë tek kanioni në fshatin Bicaj, u nisëm për në Radomirë, fshatin ku mblidhen më së shumti, dimër e verë, alpinistët dhe bjeshkatarët të cilët synojnë të ngjiten në malin e Korabit (2.751m).

Me propozim të zotit Ernest Bunguri si dhe me financim të plotë nga ana e tij për posterat dhe banerin që kishim marrë me vete, ngjitjen e majës së malit të Korabit shoqata ja dedikoi alpinistit dhe trajnerit të mirënjohur të alpinistëve të qytetit të Peshkopisë, të ndjerit Taxhedin Shehu.

Posterat dhe baneri kishin tekstet si më poshtë (të ilustruara edhe me foto):

MALI i KORABIT

Sipas një legjende Biblike thuhet se në kohën e përmbytjes së madhe, Noja varkën (korabl) e tij e lidhi në majën e këtij mali. Legjendë të njëjtë kemi edhe për Majën e Hekurave në Bajram Curri.

Në bazë të shkrimeve që kemi në dorë deri më sot, i pari që flet për malin e Korabit si një vend për argëtim është Eqerem Bej Vlora. Sa më poshtë janë shkëputur nga botimi i tij “KUJTIME 1885-1925” botuar nga Shtëpia e Librit dhe Komunikimit, v. 2003. (Faqe 272 deri në faqen 282). Ai shkruan:

“Në maj 1912 nisem nga Vlora, i shoqëruar nga njerëzit e mi me çadra, kafshë barre dhe qen, (një karvan i vërtetë arixhinjsh) dhe shkoj në Delvinë, Libohovë, Pogon, Çaraplanë, Konicë, Samarinë, pastaj në Kolonjë dhe së fundi në Korçë.

…. U nisa sërish për udhë, i shoqëruar nga një tufë e tërë djemsh familjesh të njohura, të cilët deshën medoemos të më përcillnin deri në Ohër,…

Nga Ohri intinerari im vazhdoi për në Strugë dhe në Dibër, prej nga unë bëra një shmangje nëpër Maqellarë e Peshkopi, për tu ngjitur në Korab (2.730 m).”

Më tej Eqerem Bej Vlora nuk na thotë nëse u ngjit ose jo në majën e Malit Korab.

Një tjetër shënim për këtë mal gjendet në dokumentat e Sektorit të Sporteve të Rënda ku thuhet:

“Në shkurt të vitit 1956, nën drejtimin e Minella Kapos u ndërmor ngjitja në majën e Korabit. Ngjitja e majës nuk u realizua sepse:

  1. kushtet atmosferike ishin të disfavorshme,
  2. nga pjesa më e madhe e grupit nuk njihej teknika e ngjitjeve në terrenin e mbuluar nga bora,
  3. pjesëmarrësit nuk kishin pajimet e duhura.

Megjithatë, shtatë nga 13 pjesëmarrësit e tentativës së parë arritën të bëhen ngjitësit e kësaj maje një vit më vonë.

Në veri dhe në jug të majës së Korabit, përgjatë vijës kufitare me RMV, si dhe në perëndim të kësaj vije ngrihen rreth 23 maja mali me lartësi mbi 2500 metra, të emëruara dhe të pa emëruara. Një thesar i vërtetë ky me vlera argëtuese për ngjitësit e maleve gjatë gjithë vitit.

Urojmë e parashtrojmë që festimeve të veçanta që organizojnë blegtorët në këto zona të pasura me kullota, t’i shtojmë festën e ngjitjes së këtyre majave gjatë muajit gusht të çdo viti nën përkujdesjen e bashkive të qyteteve Peshkopi e Kukës si dhe shoqatave alpino-turistike të këtyre dy qyteteve!

 

DITA E TAXHIT

Në muajin shkurt të vitit 1957, në zonën e Llixhave të Peshkopisë organizohet shkolla e parë alpinistike dimërore. Gjatë ditëve të kësaj shkolle u organizua tentativa e dytë për ngjitjen e majës së Korabit në sezonin dimëror, tentativë që u kurorëzua me ngjitjen e majës. Mendohet që kjo arritje të jetë ngjitja e parë e kësaj maje në sezonin dimëror.

Ishte kjo erë alpinizmi që fryu në qytetin e Peshkopisë dhe që e lidhi Taxhedin Shehun me këtë sport. Ai lindi në qytetin e Peshkopisë në 28 janar 1939 dhe ndërroi jetë në 23 janar 2006.

I njohur si një futbollist me emër i ekipit Korabi, Taxhi, emër me të cilin e thërriste Peshkopia dhe kushdo që e njihte, gjithnjë e më shumë u aktivizua edhe si alpinist i qytetit. Në vitin 1964 ai morri pjesë në ekspeditën alpinistike që u organizua për vlerësimin e zonave alpinistike të Bjeshkëve të Namuna. Nga ky vit e më pas, deri sa ndërroi jetë, Taxhedin Shehu përfaqësoi si dhe drejtoi ekipin e alpinizmit “Korabi”.

Taxhedin Shehu nuk njihej vetëm si “alpinisti dhe trajneri i ekipit Korabi”. Ai ka qenë që në krijim e vazhdimisht anëtar i Komisionit Teknik pranë Kryesisë së Federatës së Alpinizmit. Ka drejtuar shumë veprimtari lokale e kombëtare të alpinizmit; ka prezantuar gjithnjë në seminaret për kualifikimin e trajnerëve të këtij sporti si dhe ka përgatitur alpinistë të rinj. Në vitin 1970 ai u shpall “Mjeshtër i Sportit të Alpinizmit”.

Ngjitjen e majës së Korabit që do ta organizojmë në datën 30 gusht, ne anëtarët e Shoqatës Bjeshkatarë dhe Alpinistë Tirana, do ja përkushtojmë Taxhedin Shehut.

Parashtrojmë që një nga të djelat e muajit gusht, një herë në pesë vjet, ekipet sportive që përfaqëson Federata Shqiptare e Alpinizmit dhe Turizmit Malor të organizojnë ngjitjen e kësaj maje nën logon “Dita e Taxhit”.

Gjatë kohës së qëndrimit dhe pushimit në fshat shpërndamë dhe vendosëm posterat. Dy tek Bujtina Korabi me pronar zotin Haxhi Hima dhe dy të tjera tek Bujtina Radomira me pronar zotin Sytki Ahmati.

Ko1-2

Korabi 03 Posteri (1)Për vendosjen e banerit ndihmuan Kryetari i Bashkisë Peshkopi zoti Dionis  Imeri si dhe manaxheri i kantierit për asfaltimin e rrugës Ceren – Radomirë zoti Shkëlqim Kupa. Por idenë përfundimtare të vendit të vendosjes së banerit e dha zoti Haxhi Hima i cili propozoi si vend një faqe muri ku kalojnë të gjithë ata, turistë dhe jo turistë, që marrin rrugën drejt Korabit apo bjeshkëve të tij. Ai mori përsipër edhe punën për ta vendosur. Faleminderit zoti Haxhi!

Ko4-5

Në orën 17:00 i gjithë grupi u nis për në Korab. Nata u kalua në kampin e ngritur me tenda në lartësitë rrëzë majës së Korabit.

Herët në mëngjesin e datës 30, pjesëmarrësit morrën rrugën drejt majës. Sot për ta është “Dita e Taxhit” dhe nën drejtimin dhe kujdesin e Skerdit ata synojnë që të gjithë bashkë të arrijnë majën. Dhe kështu ndodhi: në orën 09:15 në majë arrin një treshe dhe pas saj brënda 30 minutave 11 anëtarët e grupit janë në majë. Me thirrjen “Zig-zag, zig-zag, hej hej hej” ata urojnë njëri tjetrin për arritjen.

Ko6-7

 

Vetjake

Hera herës, gjatë sejcilit muaj, disa nga anëtarët e shoqatës sonë bashkë me shoqëritë apo familjet e tyre ndërmarrin dalje në natyrë gjatë fundjavës. Më poshtë janë disa foto të zgjedhura që pasqyrojnë pjesëza të veprimtarive të tyre.

V1-2

Irena drejt majes se Arapit                                                              Irena drejt majes se Radomires

V3-4

Familja Fuqi ne Kelmend                                        Me 100 vjecarin Fehmi Ahmati nga Radomira

V5-6

Nebiu ne Bjeshken e Brixhdolit                                                                  Lagjja Tejz ne Radomire

Shbat