Shtator 2020

Data 9

U nda nga jeta Profesor Doktor Zenel Kokomiri, vjeç 83.

01 Zenel Kokomiri

Zeneli, me profesion mjek stomatolog, u përfshi në lëvizjen alpinistike në fund të viteve ’50 të shekullit të kaluar. Si alpinist ishte modest. Me aparatin fotografik, ish anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, i solli mediave tona pamje nga natyra alpine dhe veprimtaritë alpinistike për rreth 40 vjet.

2-3

Në pritje të ekipit Everest 2012                                Para nisjes për në malin e Jezerës, korrik 2015

Deri në vitin 2018 na ka shoqëruar shpesh gjatë veprimtarive tona.

4-5

Në Qafë Thore                                               Gjatë zgjedhjeve në Shoqatë 2016

U prehtë në PAQE!

Datë 13 shtator

Ngjitja në Majën e Çardakut në Bogë

Në gjuhën shqipe fjala çardak ka kuptimin e një pjese të hapur për të ndenjur. Por edhe për të soditur. Jo më kot maja dhe mali që dominojnë qendrën e luginës së Bogës ka këtë emër. Nuk është e lehtë të ngjitesh në majë, por si kudo ka patur gjithnjë malësorë që u janë ngjitur edhe majave që arrihen nëpër shtigje të vështira dhe i kanë emërtuar ato me fjalë kuptimplote.

06 Pamje nga lartesite (1)Pamje nga maja

07 Panorame nga maja (1)

Pamje nga maja

Maja e Çardakut është një nga majat e masivit të Rabës, masiv që kufizohet nga Gryka e Lugjeve, Lugina e Bogës dhe malet e Troshanit dhe Mardomit në very dhe në lindje.

Për ngjitjen e majës si dhe për njohjen e itenerarëve drejt saj ndihmuan dy udhërrëfyes të Bogës, zotërinjtë Adrian Ulaj dhe Kanto Boga të cilët na i rekomandoi specialist i turizmit në Malsi të Madhe, Perefektura Shkodër, zoti Akeksandër Rok Rakaj.

8-9         Shteg i vështirë                                                                 Para nisjes

Majës ju ngjitëm në dy drejtime: djathtas me nisje nga Negovani dhe majtas me nisje nga Okoli. Të dy grupet u takuan në pikën ku ka vështirësi teknike e prej ku arritën në majë.

10 Ne maje (1)Në majë

Kjo ngjitje i hap rrugë një synimi të ardhshëm dimëror për muajin janar ose shkurt 2021: ngjitje e majës së Çardakut nëpër të njëjtin itenerar në kushtet e reliefit të mbuluar nga bora.

Pas ngjitjes-Njohuri

Gjatë një pushimi që organizoi grupi në ngjitje të majës së Çardakut, u hap biseda e mbeturinave organike (se për të tjera mbeturina të gjithë jemi të rrjeshtuar në të njëjtin qëndrim) që lejmë nëpër zonat e veprimtarive. Nga kjo bisedë mori shkas pjestarja e grupit të ngjitjes Amantia Simixhiu që të “rrëmojë” literaturë dhe të na sjellë shkrimin në vijim, të cilin e shohim të vlefshëm për këdo.

Por kujdes, por kujdes nga bananja, mos e hidh e mos e shkel sepse rrëshket… dhe ndot!

Disa fakte mbi mbeturinat që lemë pas nëpër male

Të gjithë jemi të apasionuar pas malit dhe natyrës, e sidomos nëse kjo e fundit është e paprekur dhe e pastër. E megjithatë nëpër ngjitjet që secili prej nesh ka ndërmarrë ka ndodhur që kemi ndeshur mbeturina të hedhura tek-tuk pa kokëçarje. Që mbeturinat e hedhura nga njeriu nuk i përkasin natyrës e sidomos maleve, është gjë e ditur. Lajmi i mirë është se të gjithë ne mund të ndihmojmë që malet tona të mos shndërrohen në male me mbeturina. Ndërkohë që ekziston një unanimitet mbi faktin se mbetjet plastike në asnjë mënyrë nuk i përkasin natyrës, por koshit të mbeturinave (ose edhe më mirë nëse riciklohen), paqartësi ekzistojnë mbi llojet e tjera të mbetjeve, të cilat ndoshta paraqesin një nivel më të lartë rrezikshmërie se plastika.

Shkas për këtë artikull, u bë një moment pushimi gjatë ngjitjes së malit të Çardakut në Bogë me datë 13 Shtator, ku nje lëkurë bananeje u katapultua në trininë e shenjtë të malit “gur-përrua-shkurre”. Ky moment u bë shkas për një diskutim, se sa e pranueshme ishte të hidhje lëkurën e bananes në natyrë. Në këtë diskutim mbizotëronte mendimi se lëkura e bananes, si produkt i biodegradueshëm, tretet shpejtë dhe shërben si ushqim për kafshët e malit. Ndërkohë që këto dy argumente mund të tingëllojnë si të sakta, faktet tregojnë të kundërtën. Në një artikull të Alpenverein[1] (klubi alpin austriak) trajtohet në veçanti kjo problematikë. Ndër të tjera në artikull shkruhet se jo të gjitha frutat dekompozohen me të njëjtin ritëm e kjo vlen sidomos për lëkurat e frutave subtropikale si për shembull bananja, portokalli dhe kivi. Për shkak se këto fruta rriten në një klimë me temperaturë dhe lagështi të lartë dhe ku ka shumë lloje mikrobesh, gjatë evolucionit, këto lloje frutash janë bërë rezistente ndaj mikrobeve, çka bën që lëkurat e tyre të kenë një kohë më të gjatë dekompozimi krahasuar me lëkurat e frutave që rriten në një klimë më të freskët (si për shembull klima e alpeve). Kjo do të thotë se në zonat alpine, ndërkohë që një mbetje molle kërkon rreth 4 javë për tu dekompozuar, lëkura e frutave subtropikale kërkon një kohë që varion nga 2 deri në 5 vite. Pra, nëse çdokush nga ne, tani kur ngjitjet nëpër malet po bëhen gjithnjë e më popullore, do hidhte një lëkurë bananeje, së shpejti malet do grumbullojnw lëkura bananesh të cilat do rrinin aty për së paku dy vite.

A e konsiderojnë kafshët e alpeve tona lëkurën e bananes si ushqim?

Përgjigja është një „Jo“ e qartë. Lëkurët e frutave tropikale dhe subtropikale janë të pangrënshme për kafshët që rriten në lartësitë malore. Për më tepër, duke qënë se këto lloj frutash trajtohen intensivisht me pesticide, lëkurët e tyre nuk këshillohen të përdoren as si humus apo komposto organike për kopshte ku mbillen perime apo fruta për konsum. Përsa i përket terreneve malore, pesticidet në lëkurën e këtyre frutave shpesh përfundojnë nëpër përrenjtë dhe burimet ujore duke i ndotur këto të fundit dhe duke prishur ekuilibrin e ekosistemeve përreth. Ndërkohë që për njeriun dhe për kafshët e tjera të mëdha ky nuk është një probem direkt, ndotja e ujrave rrezikon bimësinë endemike (vendase) si shkurret e egra, bimët delikate me veti mjekësore si dhe një mori bimësh që i bëjnë shëtitjet nëpër male të paharrueshme[2]. Duke mbrojtur ujin, ne mbrojmë bimësinë e maleve tona. Duke mbrojtur bimësinë, ne mbrojmë insektet dhe kafshët dhe duke i mbrojtur këto të fundit garantojmë vazhdimësinë e bimësisë endemike… pra garantojmë ruajten e natyrës si dhe garantojmë që ato që do vijnë mbas nesh të kenë fatin të përjetojnë të njëjtën gjë apo edhe më mirë se çfarë përjetuam ne në shëtitjet tona. Përveç të tjerash, mbetjet që kanë një kohë të gjatë kompozimi shkaktojnë ndotje estetike.

Cila është koha e kompozimit për mbetje të ndryshme në mal?

Molla: 4 deri 5 javë

Kartëpeceta (facoleta): 1 deri 5 vite

Lekura bananes: 2 deri 3 vite

Bishti i cigares: 2 deri 7 vite

Çamçakiz: 5 vite

Qese plastike: 60 vite

Kanoçe konserve: 120 vite

Shishe plastike: 500 deri 1000 vite

 

Cilat janë llojet e tjera të mbetjeve që paraqesin rrezikshmëri për alpet tona?

Një lloj tjetër mbetje, që mendohet se përpos ndotjes estetike nuk shkakton ndotje tjetër janë mbetjet e qelqit dhe mbetjet metalike[3]. Ndonëse pak e ditur, mbetjet e qelqit sot janë një nga shkaqet kryesore (mbas akteve të qëllimshme nga njeriu) i zjarreve nëpër pyje. Ndërkohë që fenomeni i zjarreve nëpër pyjet malore në Shqipëri është shpeshtuar sidomos mbas viteve 90, është pak e besueshme të mendosh se mbi një lartësi të caktuar të ketë interesa për të shkaktuar zjarre për kullota. Në këto raste, kombinimi i të nxehtit, drurit të thatë dhe një shkëndije të shkaktuar nga një sipërfaqe reflektuese mjaftojnë për të shkaktuar zjarr. Për këtë arsye është e rëndësishme që të tilla mbetje të mos lihen pas dhe kur është e mundur të largohen nga malet mbetjet që të tjerët kanë lënë.

Në mbyllje të këtij artikulli është e rëndesishme të theksojmë se është përgjegjësia jonë që nga ngjitjet të lemë pas vetëm përjetimin e mirë dhe të marrim me vete çdo gjë tjetër.

*Amantia Simixhiu është anëtare e ShBAT prej shumë vitesh. Ajo punon si kërkuese shkencore dhe po kryen doktoraturën në Universitetin e Kaselit (Gjermani) në fushën e ekonomisë me një fokus në sjelljen dhe zgjedhjet njerëzore në lidhje në kontekstin e energjive të ripërtëritshme dhe aktiviteteve që pakësojnë emisionet e dioksidit të karbonit. Në kohën e saj të lirë ajo merret me sporte të ndryshme në natyrë, vizaton dhe lexon.

[1] Artikullin origjinal në gjermanisht mund ta gjeni në linkun e bashkangjitur:

https://www.alpenverein.at/mondsee/naturschutz/artikel/20161003_bananenschalen.php

[2] Për më shumë mund ti referoheni artikullin në linkun e bashkangjtur:

https://www.asi-reisen.de/blog/abfall-am-berg/

[3] Për më shumë mund ti referoheni artikullin në linkun e bashkangjtur:

https://www.br.de/berge/sonstiges/biomuell-am-berg-wandern-umëeltverschmutzung100.html