Shkurt 2021

Nuk munguan edhe këtë muaj veprimtari të organizuara nga vetë anëtarët, si mënyrë kjo për të qënë i lidhur me natyrën në kushtet e nevojës për tu ruajtur nga gripi Covid-19. Ilustrimet fotografike për këto veprimtari nuk munguan.

Ja fotot që na dërgoi Ismaili me pamje nga Shishtaveci:

1-2

Famija Fuqi na dërgoi foto me pamje përtej Bogës dhe pranë Qafë Thores, ku punohej për hapjen e rrugës automobilistike:

3-4

Nga Prevalli i Kosovës Ismaili me shoqërinë e tij na “gostiti” me fotot si më poshtë:

5-6

kurse nga shëtitja e organizuar prej tij në zonën e Ndroqit (me qendër në kështjellën Varosh) na solli itenerarin e përshkruar si dhe foto që nga një anë na mundësojnë të sodisim malin Dajt dhe nga ana tjetër të sodisim Gjirin e Durrësit:

7-8-9

Engjëlli, i cili i ndjek maksimalisht fundjavët për dalje në natyrë, të shpeshta këto  me shoqërinë e tij, na solli foto nga mali Dajt

10-11

Në datën 27 shkurt Federata Bjeshkatare Alpiniste e Kosovës (FBAK) organizoi zgjedhjet e reja për Kryetar dhe Kryesi. Pas 10 vjetësh si Kryetar i kësaj Federate, Arben Lila, pas zgjedhjeve ja dorëzoi stafetën e Kryetarit avokatit Aranit Nikqi, njëherësh alpinist që bashkë me vajzën e tij Mrika ka realizuar ngjitjet që përfshin lëvizja “Shtatë Majat” (ngjitja e majës më të lartë të sejcilit kontinent). Fotot ilustrojnë kalimin e drejtimit nga njëri kryetar tek tjetri dhe anëtarët e asamblesë së FBAK-ut.

12-13

Data 28 shkurt kishte veprimtari interesante me kacavarje shkëmbore nga Loreni në Bovillë dhe nga Enis Shehu (Rock Tirana) në Brar.

14-15

Po këtë ditë, dy “ujq” të bashkuar, Florian Sini dhe Detjon Skëndaj, u ngjitën në Majën e Topit të malit të
Munellës.
16-17

Në mbyllje të kësaj kronike po sjellim një fragment ditari:

Sa më poshtë është një fragment nga botimi elektronik i pritshëm “Ditarë”, me kujtime nga alpinistët e Klubit të Tiranës (ish 17 Nëntori). Është një ngjitje (për herë të parë në sezonin dimëror) e majës/malit të Thatë mbi Bogë e realizuar mbi 30 vjet të shkuara (21 dhe 22 shkurt 1990).

…… për tu mbrojtur nga era, kampi me çadra u ngrit mbi borë brënda mureve rrethues të baxhos në Qafë Dorçe. Prej aty çdo mëngjes ngjiteshim tek Livadhet e Bogëve për të realizuar ngjitjet.

Shkurt 21

………..Pas drekës u shtriva në çadër por nuk doja që të më kaplonte gjumi. Andaj u ngrita dhe fillova të rruhem. Këtu jemi 20 vetë dhe askush nuk ka pasqyrë. Dashi më ndihmoi që të shihesha tek syzet alpine. Më pas vajta tek burimi që është një curril uji që fillon nga rrëza e Shnikut e vazhdon për qindra metra deri këtu ku jemi. Tek ne currili bie/del nga ca “mjekra” akulli. Për nesër do synoj majën e Thatë. Është e vështirë, por pranë është edhe një majë tjetër, më e thjeshtë, me mundësi për tu ngjitur tek ajo në rast dështimi.

Shkurt 22

Kam bërë një gjumë të mirë dhe të ngrohtë. Era uturin ndër maja malesh por këtu tek ne ndjehet se është “ngrohtë”. Në orën 7 nisemi që të gjithë për ngjitje. Unë Iliri e Sokoli do të shkojmë drejt majës së Thatë. Për të shpejtuar nisjen e të tjerëve u nisa i vetëm dhe pas një ore më arritën Iliri e Sokoli. Itenerari ynë ishte tërësisht në hije deri në orën dhjetë e një çerek, kohë kur dolëm të tre në Qafën e Livadhit. Nga kjo qafë, tetë vjet më parë, erdha me grupin e parë të alpinistëve në Livadhet e Bogëve, për ta studiuar këtë stadium alpin duke realizuar ngjitje.

Qafa është 2400 metra e lartë. Ende pa dalë në të ndjemë tërbimin e erës, që me shkulmet e saj ngrinte nga poshtë kristale bore të thatë dhe mijra syresh formonin një rrymë vezulluese që era e hidhte matanë qafës, por pa harruar për t’i përplasur edhe në trupat tanë. Nuk hëngra mëngjes por aty nga ora nëntë secili nga ne hëngri nga dy biskota dhe 2 a 3 karamele. Zbresim matanë qafës, rreth 20 metra, që të mbrohemi nga shkulmet e erës. Nga pika ku qëndrojmë pamja jugore e alpeve na duket më e butë si reliev. Pastroja nga bora këpucën e hequr nga këmba dhe një shkulm ere ma fluturon. Për fat 10 metra më poshtë e mbërtheu Sokoli. Shkulmi i erës i “rrëmbeu” nga dora Ilirit fetën e bukës dhe ja fluturoi tutje 2 a 300 metra  poshtë.

Mbathëm kthetrat dhe u nisëm ndrejt majës. Në të përpjetën e fundit, për 200 metra a më shumë, kaluam nëpër një plan të akullt e të pjerrët ku kthetrat ishin domosdoshmëri. Njëherësh përkulja e trupit dhe ngulja e kazmës në borë apo ngecja e saj në akull, hera-herës ishin të nevojshme që të bëheshin në mënyrë që të ruanim ekuilibrin gjatë shkulmeve të erës. Duhet të ishte ora 11 e 30 kur ishim në majë. Në majë dhe në kthimin nga maja bëra ca foto të cilat besoj se do jenë të veçanta.

Në zbritje, tek Shpella e Nikçit (kështu quhet një guvë në mes të Livadhit, bri itenerarit, që ka ujë të pishëm gjatë gjithë verës), me Ilirin u ngjita tek ajo për të parë nëse kishte ujë. Ajo ishte krejt e mbushur me borë. Në kamp arritëm para orës tre. Piva shumë ujë dhe hëngrëm një drekë të bollshme.

Këtu poshtë (në kamp) nuk fryn erë. Atje sipër, ku bora ishte e thatë, era i ngrinte lart kristalet e saj dhe na i përplaste në fytyrë. Ishte shqetësuese sepse kristalet të “shpojnë” vazhdimisht fytyrën dhe vjen një moment që të duket se fytyra po të merr zjarr. Le po të mos kesh syze dielli….