Gusht 2021
Data 7 gusht. Tek lokali “Pilo Lala” u bë ndalesa jonë e parë për një kafe dhe për të riorganizuar numrin e antarëve udhëtues në secilin automjet. Më tej udhëtimi mori rrugën drejt fshatit Fratar, ku 3-4 km e fundit ishin nëpër një rrugë të zhvlerësuar. Ndalesa e parë e qëllimit të udhëtimit tonë u bë në qytetin antik BYLIS, i ngritur rreth 2.500 vjet më parë në një pllajë kodrinore nga ku zotërohet pamja spektatoriale e lumit Vjosa e cila shkon drejt perëndimit deri në Detin Adriatik.
Kthimi ynë për në autostadë u bë nëpërmjet një rruge tërësisht të asfaltuar e cila ishte përuruar tre muaj më parë. Na e bënë të njohur këtë informacion punonjësit e qendrës arkeologjike aty (me hyrje e dalje tek tabela KLOS).
Ndalesa e dytë ishte Restorant Iliri, në Piskovë, ku na shërbyen shpejt dhe me ushqim cilësor.
Më tej udhëtimi vazhdoi për në Alipostevan. Kur arritëm këtu, të gjithë u shpërndanë të joshur nga objektet e ndërtuara në këtë vënd të shenjtë për bektashinjtë. Edhe një foto e përbashkët që bëmë, u bë pa praninë e dy anëtarëve të grupit të cilët kishin “humbur” në madhështinë e kësaj qendre fetare.
Më tej udhëtuam për në fshatin Frashër. Ishte një shtysë e jona për të udhëtuar përmes Parkut Kombëtar Bredhi i Hotovës dhe për të parë shtëpinë ku kanë lindur vëllezërit Frashëri dhe ku kanë pas jetuar të parët e tyre. Nuk erdhën të gjithë pjesëmarrësit sepse nuk ishin të gjitha makinat për udhëtim në atë rrugë automobilistike të pashtruar. Madje edhe ato makina që u nisën arritën në fshat me një diferencë në kohë prej 45 minutash (nga arritja e makinës së parë tek ajo që arriti e fundit).
Data 8 gusht. Të gjithë u mblodhëm tek Ura e Katiut. 14 nga pjesëmarrësit si dhe shoferi i furgonit, Dashi, u nisën për tek hyrja e kanionit të Langaricës (emri i konionit vjen nga emri i vetë lumit që kalon nëpër të).
Dymbëdhjetë pjesëmarrës të këtij udhëtimi morën rrugëtimin nëpër kanion, kurse dy u kthyen bashkë me shoferin dhe ju bashkuan tre anëtarëve të tjerë që bashkërisht e kaluan ditën tek dalja e kanionit si dhe tek ujrat termale aty përreth.
Po këtë ditë Flori dhe Detjoni synuan dhe realizuan ngjitjen e majës së Thatë mbi Okol të Bogës duke bërë njëherësh një rikonicion të zonës për mundësi të ngjitjeve aty gjatë sezonit dimëror që kemi përpara.
Ishte po data 8 gusht që “thau” edhe një majë tjetër e thatë: Maja e Thatë në Valbonë. Ernest Bunguri vet i tretë (me një alpinist nga Kosova dhe një nga Mali i Zi) u ngjit në majën e Thatë (2.406 m). Fotot si më poshtë shprehin qartë gëzimin e tij si alpinist kacavarës për këtë arritje, madje të realizuar në kushte të një moti jo të favorshëm për kacavarje (era e fortë i shoqëroi thuajse gjatë gjithë kohës).
Data 22 në mëngjes na mblodhi në qytetin e Librazhdit. Dy fuoristradat, veç tre tonave, e sjella nga shoqata EST Elbasani me në krye presidentin e FSHALTM z. Artur Guni, si dhe fuoristrada dhe ndihma e gjithëanshme e Drejtorit të Parkut Shebenik-Jabllanicë, z Fatmir Brazhda mundësuan si udhëtimin tonë për në Steblevë ashtu edhe veprimtarinë e ngjitjeve.
Stebleva na priti me dasëm dhe ne i uruam nuses ditë të mbarë dhe të bukur dhe urimin që të jetë trashëgimtare.
Në Steblevë na u bashkuan edhe tetë bjeshkatarë të shoqatës NIVISHTA (SH.M.A. Reka e Epërme) e Maqedonisë së Veriut. U bëmë si rrallëherë 35 bjeshkatarë dhe alpinistë dhe u u nisëm drejt majës së Kallkanit (2.189 m).
Një pjesë e grupit tonë pasi u ngjit në majën e Kallkanit, nëpër kreshta me pjerrësi të moderuara u ngjit edhe në majën e Sanxhakut (Zhevak)
Në mbyllje të veprimtarisë Donaldi nuk harroi të pozojë për të përcjellë mesazhin e tij të njohur në çdo veprimtari: të tregojmë kujdes dhe mos të harrojmë që të mbledhim sado pak nga hedhurinat që lënë pas të tjerët.
Aleksandri mbylli nga ana e tij veprimtaritë e muajit duke shkuar në Bogë në datën 27. Atje u takua me udhërrëfyesit Llesh Durgaj, Kanto Boga, Adrian Ulaj, etj. Të gjithë bashkë diskutuan për mënyra bashkëpunimi në muajt në vazhdim.