Prill 2022
Dt 9. Moti i papërshtatshëm që u parashikua për dt. 10 bëri që të ketë nisma për veprimtari në dt. 9, ditë e shtunë. Flori dhe Detjoni u nisën nga Tirana në orën 05:30 dhe realizuan ngjitjen e majës së Cekut në një itenerar që zgjatej me 13.7 km dhe me disnivel prej 1615 m.
Ngjitja filloi në afërsi të fshatit Brataj në lartësi 215 m. I tërë intenerari ngjitje-zbritje zgjati 7 orë dhe 45 min.
Kushtet e motit nuk na lejuan të organizojmë veprimtari as në datën 17. Kjo bëri që anëtarët e shoqatës të ndërmarin veprimtari në datën 16. Nga këto veprimtari kemi zgjedhur fotot që na dërguan Eriku, Endri, Bledi dhe Nebiu….
…si dhe fotot që na solli nga mali i Ivanit Leonidha me shoqërinë e tij të nxënësve nga Gjimnazi Themistokli Gërmenji i qytetit të Korçës.
Në datën 21 u organizua tek Kafe SOFIA një mbledhje e zgjeruar e Kryesisë në të cilën u diskutua për sa më poshtë:
- Rigjallërimi i Komisionit të Licensimeve i cili do të ketë si detyra: mbajtjen e rregjistrit të anëtarëve, ndjekjen e kuotave vjetore të anëtarësisë, prodhimin e kartave të anëtarësisë, dhe klasifikimin teknik të anëtarëve.
- Përcaktimi dhe shtimi I titullit Anëtar Nderi. Për fillim këtu të kihen parasysh ata që u ngjitën në majën Everest dhe ata që krijuan SHBA Tirana.
- Të shtojmë në Rregullat e Shoqatës një kategori anëtarësh të llojit “veteran” ose “elitë” ku të përfshihen ata anëtarë që do shquhen gjatë veprimtarive për përgatitje fizike dhe teknike.
- Të fillojmë që të inventarizojmë malet duke përcaktuar në to itenerarë të ngjitur dhe të kategorizuar për vështirësinë e tyre. Në templetën e njoftimeve për veprimtaritë të shtojmë sqarime për shkallën e vështirësisë së itenerarit.
Ky takim shtroi ide për secilën nga pikat si më sipër të cilat do të fillojnë të zbatohen ose provohen gjatë veprimtarive, dhe më pas do të diskutohen që të vendoset se si do të përshkruhen që të mishërohen në Rregullat e Shoqatës.
Në datat 23 dhe 24 u organizua veprimtaria turistike dhe alpinistike në zonën e Tepelenës. Ditën e shtunë pjesëmarrësit vizituan qytetin e Tepelenës si dhe Kështjellën e këtij qyteti.
Darka na mblodhi tek Bujtina mbi Kanion. Kaluam një kohë të këndshme gjatë darkës së shijshme që na servirën zotëruesit e bujtinës Dallëndyshe dhe Petrit Mejra dhe e mbyllëm këtë ditë me biseda rreth një zjarri të këndshëm.
E djela na ndau në dy grupe: tetë nga pjesëmarrësit u ngjitën me sukses në majën e Këndërvicës 2122 metra e lartë. Udhëtimi vajtje-ardhje zgjati gjashtë orë e tridhjetë minuta duke mbuluar një disnivel prej rreth 1160 metra.
Pesë anëtarë të tjerë e shfrytëzuan ditën me njohjen e Nivicës. Dy platform të siguruara me mbajtëse nën bujtinë të mundësonin të qëndroje e të sodisje i sigurtë pjesë të kanionit i cili në vazhdim quhet lumi i Bënçës.
Një shesh qëndror në fshat i shtruar me gurë, përqarkur me ngrehina të cilave u jepte hijeshi guri me të cilin ishin punuar, buste partiotësh dhe lapidarë që përkujtonin beteja të ndryshme të historise së fshatrave përreth; kështjella me themele që nga shekulli IV para erës sonë, si dhe plot lule e shkurre (më tipike e zonës ajo e rrushkullit, ndryshe e quajtur therpelë) ishin këndellëse për një pushim fundjave.
Në rrugën e kthimit secili nga pjesëmarrësit pati rastin të blejë prodhime të freskëta qumëshi në dalje të fshatit Progonat si dhe pati rastin të sodisë edhe ujvarën tashmë të shumëadmiruar të Peshturës.
Veprimtaritë tona u mbyllën ditën e hënë , dt 25, ditë që Lavdoshi, Faiku dhe Teodori nuk mund të rrinin pa parë ujvarën e Peshturës.