Korrik 2022
3 korrik
Një grup prej shtatë anëtarësh u nis nga Kalçeto në fshatin Linxë për në majën e malit të Dajtit. Në majë arritën katër prej tyre duke mbuluar një disnivel prej 1353 m dhe duke kaluar kështu testin fizik për pjesëmarrje në veprimtaritë me ngarkesë të lartë fizike. Pamjet janë foto nga maja dhe nga ullishtat e vjetra të fshatit Linxë.
Donaldi me shoqërinë e tij nga Kosova na solli foto në majën e Jezerës, të ngjitur nga Valbona.
10 korrik
Leonidha, Tomori e Sandri bënë një treshe me veprimtari: Çorovoda, Kanionet e Osumit, Maja Çuka e Tomorit
Flori me Detjonin “u hodhën” deri në Itali dhe Flori solli informacionin si më poshtë:
Gran Paradiso (4061m) është majë e Alpeve të Evropës dhe është pjesë e vargmaleve Graian dhe ndodhet në parkun alpin po me të njejtin emër në Val d’Aosta në veri të Italisë. Është maja më e lartë, e gjitha brënda territorrit Italian. Ka dy rrugë për tu ngjitur në këtë majë; më e zakonshmja nga Pont Breuil, nga Rifugio Vittorio Emanuele II që ka më pak ekspozim ndaj të papriturave të relievit dhe kalon shumë pak në akullnajë si dhe rruga e dytë nga Rifugio Federico Chabod 2710 m, e cila është ajo që ne ndoqëm këtë herë për të pushtuar majën. Kjo kalon në një territor në fillim shkëmbor e më pas akullnajor ku duhej një kujdes i veçantë për të mos rrezikuar rënien në kravasa.
Ditën e parë e filluam ngjitjen nga’’Partenca Sentiero Federico Chabod’’ 1830m lartësi për të arritur në Rifuxhon me të njëjtin emër. Ky shteg ishte 6 km, me 900 m disnivel, i lehtë për tu ndjekur dhe e realizuam për dy orë.
Ditën e dytë filluam ngjitjen herët në mëngjes, në orën 5, dhe shtegu gjatë 2 km të para kalonte në një terren mix shkëmbor dhe akull. Pas këtyre 2 km ishte e pamundur të vazhdoje pa kthetra sepse terreni ishte krejtësisht i mbuluar me akull dhe kishte shumë kravasa. Rreth 100 m përpara se të arrinim kurrizoren e quajtur Schiena d´Asino, poshtë akullit, dëgjoj një rrjedhje uji që tregonte se akullnaja kishte filluar procesin e shkrirjes. Shumë afër majës kemi pritur rreth 35 min sepse kishte shumë alpinistë që prisnin rradhën të ngjiteshin. Ishim në majën Gran Paradiso (4.061 m) në orën 10:45.
E gjithë kjo ngjitje zgjati rreth 5 orë në një gjatësi 6.5 km. Për shkak të temperaturave të larta, shkrirja e akujve ishte e dukshme. Kthimin e realizuam nga drejtimi tjetër, Rifugio Vittorio Emanuele II, që të shmangnim ndonjë të papritur në kravasat e shumta.
Bledi, Luani dhe dy kosovarë nga Gjilani “u hodhën” deri në Slloveni dhe u ngjitën në majën Triglav të Alpeve Juliane. Ja çfarë na përcolli për kronikën Bledi:
Në datë 11 korrik, Luani dhe Bledi u nisën herët në mëngjes për në Slloveni me synim ngjitjen e majës së Triglavës, 2863 m. Rrugës morën edhe 2 alpinistë të Shoqatës së Bjeshkatarëve të Gjilanit. Pas një udhëtimi që kaloi në 5 shtete (përfshirë Italinë), i gjithë grupi arriti në mbrëmje në Kranjska Gora, një fshat i këndshëm turistik rreth 16 km larg nga destinacioni, për të kaluar natën.
Të nesërmen grupi u zgjua herët. Moti ishte i kthjellët, pa erë dhe me temperaturë të pranueshme për stinën. Ecja filloi në një zonë të pyllëzuar në lartësi 1000 m dhe me një itenerar të markuar/shënjuar mjaft mirë. Pas një marshimi prej 4.5 km dhe një disniveli prej 800 m, grupi arriti në qafën veri-perëndimore të malit. Prej këtu ngjitja vijonte në një pjerrësi të theksuar e të rrezikshme në drejtimin jugor. Edhe këtu vendasit kishin investuar më së miri për vendosjen e kavove të çelikut dhe mbajtëseve metalike, pa të cilat ngjitja do të ishte e pamundur që të realizohej pa përdorur teknikë të mirëfilltë kacavarje. Rrugës grupi hasi shpesh në tufa me dhi të egra të cilat endeshin të pashqetësuara në këto anë. Pas një distance rreth 8 km ecje dhe një disniveli prej 2000 m grupi arriti majën.
Pas një qëndrimi të shkurtër në majë, për shkak të mjegullës që u zhvillua, grupi filloi zbritjen nëpër të njëjtin itenerar nga u ngjit. Aktiviteti zgjati rreth 15 orë (nga të cilat 11 orë ecje) dhe grupi arriti në pikën e nisjes sapo filloi të errësohej. Ky aktivitet përfundoi me sukses me ngjitjen e të 4 pjesëmarrësve nga të dy shoqatat.
Ndërkohë, Leonidha me Sandrin, në shoqëri me bjeshkatarë të Shoqatës Kaçaniku ndërmorrën në fundjavën 23-24 korrik ngjitjen e majës Bistra të vargmalit të Sharit.
Ditën e shtunë datë 23 Korrik, një grup anëtarësh të shoqatës e kaluan mbrëmjen në Theth. Një pjesë e tyre pasi ngritën çadrat qëndruan pranë një zjarri dhe zhvilluan 1-2 orë të këndshme.
Të nesërmen 5 prej anetarëve pjesëmarrës që do të synonin Majën e Kakisë u ngritën herët dhe në orën 05:45 filluan marshimin. Pas një ecje prej 2.5 orësh në shteg të gjelbëruar, grupi arriti në Fushë-Denell ku u furnizua me ujë dhe u takua me familjen e Dedës e cila jetonte në stanin e kësaj zone gjatë verës, deri në shtator. Më pas grupi vijoi me itenerarin dhe vendosi që fillimisht të ngjitej në majën e Drenit (në krahun e djathtë të shtegut) e më pas të vijonte për në majën e Kakisë. Pasi u arrit maja e Drenit u kuptua që distanca për në majën e Kakisë kërkonte edhe rreth 4 orë ecje në kreshtë e për këtë arsye grupi vendosi të kthehej. Në kthim ndaluam sërish tek stani i Dedës i cili na ofroi qumësht të freskët deleje, djathë të bardhë dhe raki të zonës. Pas këtij qëndrimi të këndshëm dhe mikpritës në stan, grupi vijoi me zbritjen për në Theth.
Në datat 30 dhe 31 korrik Luani u ndodh në malet e Bavarisë, në Gjermani. Prej tij kemi fotot si më poshtë të cilat mbyllin dhe kronikën e këtij muaji.
Shbat