Korrik 2023

Data 8

Ngjitja e malit Musalla ishte pjesë e programit të shoqatës dhe për arsye që lidhen me itenerarin e udhëtimit të pjesëmarrësve arritja në destinacion u bë në dy drejtime: Tiranë-Kosovë-Maqedoni e Veriut-Bullgari (Morena Tërnova, Detjon Skëndaj, Elidiana Shehu, Florjan Sini, Skerdis Petrela) dhe drejtimi tjetër Korçë-Maqedoni e Veriut-Bullgari (Leonodha Fuqi, Heral Saraçi, Sandër Fuqi, Vangjel Nence, Dhimitër Nence).

1-2

Grupimi i anëtarëve për udhëtimin deri në Bullgari bëri që ngjitja në Majën Musalla të realizohet nga dy grupe. Grupi i parë ditën e shtunë në datë 8 Korrik sapo mbërriti në fshatin Borovets filloi ngjitjen nëpërmjet shtegut dhe arriti në Musala Hut në mbrëmje ku edhe kaloi natën. Në këtë udhëtim ata realizuan një disnivel prej 1000m. Në datën 9 Korrik grupi vazhdoi shtegun nga Musalla Hut deri në pushtimin e majës.

3-4

Grupi i dytë, po në datën 9 korrik, filloi ngjitjen e shtegut në Borovets dhe realizoi pushtimin e majës Musalla për 5 orë me një disnivel 1650m.

Të dy grupet u takuan dhe realizuan foto të përbashkëta tek liqenet akullnajore të Musalës. Zbritja u realizua nga kreshta deri në teleferikun Yastrebets. I gjithë shtegu për në Musalla, vajtje-ardhje, rezultoi se kishte gjatësi prej 20.5 km dhe u realizua për 8 orë e 30 min.

5-6

 

Data 14

Pjesëmarrës: Dorina Mosku, Marinela Laraku, Ernest Bunguri, Loren Rroço

Loreni (Rroço – komandant & shofer i ekspeditës) na mblodhi të tërëve me makinë nga ora 4 e mëngjesit në Tiranë, për t’u nisur drejt Bogës (950m), ku mbërritëm rreth orës 7.

Pak ditë më parë kishim bërë kqyrjen e shtegut edhe me ndihmën dhe hartat e Acit (Aleksandër Bojaxhi). Shtegu i parë përmblidhte edhe 7 maja të mundshme për ngjitje në 33 km. I dyti, pa majat, rreth 22.

7-8

Pasi siguruam makinën në parkimin e Ulajve, ngjitja nisi në 7:25 nga shtegu i pjerrët drejt Majës sē Bridashit. Loreni dhe Dorina (Mosku – organizatore e ekspeditës) e morën që në fillim me vrull, por çantat e rënda me rroba, mjete, ushqim, enë, çadra e ujë, bashkë me vapën e tre ditëve më të nxehta të muajit i ngadalësoi kur u gjetëm mbi shtratin përvëlues të përroit malor me emrin shteg.

Ngjitja e parë prej 900m disnivel na mbaroi shumë shpejt ujin e pakët (1 gabim) që kishim marrë, meqë rrugës “na prisnin” burime. Por i pari prej tyre ishte ende larg kur në krye të ngjitjes zbuluam se kishim ende shumë rrugë nēpër gurë, kaq larg Qafēs së Mushkës.

“Ai shteg përdorej shumë prej banorëve mes fshatrave Bogë dhe Nikç”, më tingëllonte në vesh rrëfenja e Profesorit (Acit), ndërsa djersa kullonte çurg mbi zhavorrin e nxehtë e ku më vinte keq për kafshët e gjora që do kishin kaluar nëpër të atëbotë.

Një devijim i vogël na bëri të zbrisnim me pak vështirësi disa metra me kacavarrje, – “më mirë të qash se të mbash” – meqë litarin e pata lënë në shtëpi (2 gabime) për të lehtësuar peshë. Të njëjtën gjë pata bërë dhe me kthetrat dhe kazmën (3 gabime) por Loreni më dha të tjera para se të niseshim. Edhe pse në përfundim i mbajtëm të tërë kot, – “më mirë të mbash se të qash”- ishim të qetë që i kishim me vete në rast se do na kishin hyrë në punë.

300 metrat e tjera disnivel, na u kthyen në rreth 700 metra të vërtetë, nga ulje zbritjet nëpër luginën plot gurë para qafës së burimit. Pamja përreth justifikonte mundin. Pas nesh kishim majën e Bridashit, në krah na shoqëronte ajo e Livadhit, në këmbët e tyre qëndronin ushtri gurësh që kishin rënë përdhe duke mbuluar çdo gjë, si në një betejë mes dy gjigandëve.

Për shkak të peshës së madhe që mbante, Loreni nisi të pushonte pak më shumë gjatë ngjitjes së fundit, i shoqëruar nga Dorina. Të gjithë kishim nisur të mbushnim shishet me borë dhe të shuanim etjen duke i vënë grykës një bluzë, për të mos thithur krimba. Deri afër burimit të parë.

Qafën e Mushkës (2250m) e arriti e para Marinela (Laraku), e cila nuk u ndal deri sa gjeti burimin qindra metra më poshtë, ku për fat kishte ende plot ujë. Aty pritëm dhe Lorenin me Dorinën, të cilët erdhën në kohë para natës. Errësira na kapi fiks mbi Livadhet e Bogës, ku nuk vonuam të shtronim çadrat e të bënim gati darkën.

Livadhet gjenden në një gropë përrallore të rrethuar nga male. Aty gurët i kanë lënë vend një liqeni akullnajor që shpejt shndërrohet në disa livadhe të lartme e të poshtme. Kubeja e qiellit plot yje, pa hënë, shndrrinte mbi katër majat e gurta që dukej sikur e mbanin: përballë kishim Majën e Arushës, nga pas Radohinën si mburojë gjigande, në nisje të gropës qëndronte madhështore Maja e Livadhit, ndërsa në anën tjetër na priste për rrugëtimin e radhës Maja Forca e Kelmendit. Atë natë qielli plot xixa na mbuloi deri në mëngjes…

Në planin paraprak ndalesa e parë ishte parashikuar në qafën e Dobraçës. Por ishim të lumtur që pas 15 orësh, 15 km, 1589 m ngjitjeje dhe 720 m zbritjeje me pesha dhe pa ujë, kishim gjetur burimin dhe vend për kampin.

Pak metra më tutje fati e desh të na dilte dhe një pemë e tharë, si për të përmbushur dëshirën e Dorinës për zjarr. Asgjë nuk e shpjegonte se si gjendej ajo pemë aty, kur pyjet ishin kaq larg, por ne u mjaftuam me faktin që një pjesë e saj na shërbeu për t’u ngrohur nën yje dhe për të tharë disa këpucë e çorape.

Të nesërmen na priste një tjetër aventurë. Rreth orës 22:00 kishte ardhur koha për gjumë.

Dita II

Pas një pushimi të mjaftueshëm, ecja e ditës së dytë nisi rreth orës 9 :00 të mëngjesit. Pësimet nga dita e parë zhvendosën përqëndrimin nga ngjitja e majave tek kërkimi dhe sigurimi me ujë gjatë ecjes. Ishte dita e dytë më e nxehtë e muajit dhe ne vijomin të ishim të ngarkuar me shumë pesha.

Në planin paraprak maja Forca e Kelmendit ishte parashikuar të ngjitej ditën e parë, e në të dytën ishin parashikuar edhe 6 maja të tjera rrugës. Na u desh edhe një orë për të arritur tek liqeni i Livadheve të Bogës, në një gropë të rrethuar me pyje, poshtë majës Forca e Kelmendit. Edhe më shumë se një orë tjetër deri në vendin ku kishim parashikuar të flinim natën e parë, në qafën e Dobraçes. Rrugës kishim gjetur një burim me ujë të bollshëm e të freskët ku dhe u furnizuam. Por kur erdhmëm në qafë kishim pirë gjysmën e ujit që mbanim, dhe nuk kishim më burime rrugës deri në vendmbërritjen e ditës, tek Sheu i Bardhë.

9-10

Me Lorenin morëm shishet bosh dhe zbritëm shtegut të Nikçit deri tek ujëvara, të cilën e gjetëm të tharë. Pak ujë rridhte mureve të gurta dhe më vonë provuam që uji mbante dhe shumë era myshk. Një tjetër burim uji që tregonte harta dukej fort jashtë shtegu në lartësi dhe nuk preferuam të rrezikojmë.

Një tjetër ndryshim që bëmë rrugës ishte edhe drejtimi i shtegut. Në fillim ishte parashikuar të kalonim nga gropa e Koprishtit dhe pastaj nëpërmjet qafës së Langojve, por shumë shpejt vendosëm të merrnim shtegun klasik për të dalë në luginë, ku sërish pa bërë ngjitje në asnjë majë, mbërritëm në kohë, pak para se të na zinte nata.

Çadrat i hapëm tek stanet e vjetra me pamjen e malit të Harapit si sfond. Loreni nxorri tenxheren dhe hëngri makaronat që i kishin shtuar peshën gjatë rrugës. Ne të tjerët çfarë kishim marrë. Fjetëm shpejt e të lodhur njësoj si edhe natën e parë, por sonte edhe pa zjarr. E gjithë ecja na kishte marrë rreth 10 orë, duke mbuluar 17 km, me 900 metra ngjitje dhe 1000 zbritje nëpër një terren kryesisht shkëmbor.

Dita III

Pasi mblodhëm çadrat, u nisëm për Theth. Patëm vetëm zbritjen në liqenin e Qafë Pejës, sigurisht edhe qafën e Pejës, për të mbërritur shpejt tek Shuku (Thethjan që shërben tek Kroi i Shtrazës). U nisëm me taksinë që kishim zënë dhe më pas në Bogë ku morëm makinën tonë dhe mbëritëm në Tiranë pasdite. Ja disa mësime:

11-12

1 – Më shumë ujë dhe më pak pesha në ekspedita me synime të tilla. Për herë tjetër ndoshta një grup mund të ndihmojë me ngritjen e peshave të rënda nga Nikçi deri në qafë Dobraçe, ndërsa një grup tjetër tenton majat me çanta sulmi.

2 – Nevojitet më shumë stërvitje me pesha të rënda për anëtarët e grupit.

3 – Brenda mundësive një përzgjedhje e një moti më të mirë për aktivitete të rënda.

4 – Mos i beso hartës sa iu beson syve, është mirë të shihet terreni para planifikimit të ngjitjeve. Nga hartat ishte parashikuar 33 km megjithë majat, kur në përfundim bëmë 32 pa to.

Ernest Bunguri

 

Data 17 korrik

17 Korriku është dita e vrasjes së Dëshmorit të Atdheut Mustafa Qulli. Ai u vra në vitin 1915 nga pushtuesit malazes të Shkodrës. Si stërnip i tij, në vazhdim të traditës familjare (familje dëshmori nga viti 2012) e përkujtojmë paraardhësin tonë. Sivjet mendova të ngjitesha në Malin e Tomorrit në përkujtim të tij. Ai vetë i ka kushtuar një vjershë malit të Tomorit.

Udhëtimin e nisa në orën 03 30 të mëngjesit në Cërrik. Në Gramsh morëm një fuoristradë.  Rruga kalon nga  Ujëvara Beckës (ndonëse turistet e njohin me emrin e fshatit Sotirë) dhe mbërritëm në Bujtinën e Qafë Dardhës që i takon qarkut të Beratit. Ky udhëtim me makinë zgjati për rreth 2 orë. Ngjitja e malit nisi në përfundim të rrugës së makinës mbi burimim e Tarikos.

Shtegu i ngjitjes në pjesën e parë gjarpëron përmes pyllit të aheve. Në vazhdim është një brez i zhveshur, kullotë, ku ka një burim. Shtegu vazhdon i përpjetë deri ku fillojnë pishat dhe këtu është burimi i fundit që takohet.

Në vazhdim ndodhet një breg në mes të të cilit ndeshen kolibet e braktisura në një stani. Më tej shtegu kalon përmes pyllit të pishave. Terreni është i përpjetë. Pylli vazhdon deri në afërsi të dy shpateve madhështore të një gryke që është një lloj porte shkëmbore për në majën e malit. Ngjitja vazhdon e përpjetë në krah të majtë të malit në një taban herë shkëmbor dhe herë gurishte. Në fund të luginës kalohet në faqen tjetër të saj, gjithmonë duke fituar lartësi por ngjitja nuk është aq e pjerrët sa në pjesën e parë. Në qendër të luginës kishte ende borë të pashkrirë. Pas kthimit, në fundin e luginës ndeshet një tjeter gropë bore në shkëmb. Vazhdohet ngjitja me zigzake derisa arrihet një lartësi maksimale ku vazhdohet të ngjitesh përgjatë shpatit të malit në një shteg të drejtë që nuk ka pjerrësi të mundimshme.

13-14

Ky reliev vazhdon deri në kurrizin e shpatit të malit ku ngjitja kthen përsëri në drejtimin jugor. Në të majtë ndodhet maja e malit Çuka e Tomorit. Vazhdon ngjitja deri sa arrihet në një qafë të vogël. Këtu kthimi nga veriu të nxjerr në majë të Tomorit pas 200 m.

Kjo ngjitje zgjati pesë orë. Ne majë është një rrethim me gurë. Nga kjo majë shihet Lugina e Tomorricës, Lumi i Osumit, … dhe shumë pjesë të atdhut tonë. Pasi u shplodha një copë herë në maje shkreha disa foto.

Ishte kjo ngjitje në kujtim të rilindasit gazetar Mustafa Qulli, vëllait të stërgjyshes që më ka rritur. Nga maja e Tomorit recitova strofën e parë të vjershës.

Heral Saraçi

 

Data 22

15-16

Detjon Skëndaj, Eldiana Shehu, Skerdis Petrela, Florjan Sini

Ngjitja ne Majën e Madhe 2552m dhe të Shnikut 2206m u tentua nga 4 anëtarë të shoqatës. Në mëngjes, pas mbërritjes në fshatin Nikç, filluam ngjitjen për në Qafë Dobraçe. Temperatura shumë e lartë, 38  ͦ C, ndikoi jo pak në gjendjen tonë fizike. Arritëm ne Qafë Dobraçe duke realizuar 1000m disnivel. Aty hapëm çadrat për kamping. Të ndikuar nga vapa dhe lodhja në orën 17:20 Flori dhe Detjoni u nisën për të pushtuar majat e synuara. Në oren 19:40 arritën në Majën e Madhe 2552m dhe më pas në Majën e Shnikut 2206m duke realizuar një disnivel prej 1200m. Kthimin deri ne kamp u bë në kushtet e errësirës me ndriçim. Nata na surprizoi me reshje shiu, vetetima dhe shkulme ere.

17-18

Dt 23

Në mëngjes në një mot me qiell të hapur, rreth orës 8 u nisëm për në Livadhet e Bogës dhe ndenjëm plot kënaqësi në buzëujin e liqenthit aty. Pasi përfunduam edhe këtë “vizitë” filluam zbritjen për në Nikç ku arritem rreth orës 13 të drekës, nëpër një vapë përvëluese me temperaturë përsëri prej 38  ͦ C.  Vizituam kishën e fshatit dhe pushuam tek bujtina Prek Isufaj, pa harruar të shijojmë mjaltin aty.

Florjan Sini

Përsëri data 23

Skerdian Tefa, Dorina Mosku, Claire Schamps, Alnderim Celohoxhaj, Bledi Preza.

Të shtunën pas dreke, pasi lamë pas vapën therrëse të fund Korrikut në Tiranë, u nisëm drejt Bogës. Kur  arritëm në fshatin Dedaj ndjemë paksa fresikinë e maleve dhe u ndalëm për drekë tek Palushi.

Pasi drekuam, të mbyllur me një kos të vërtetë, nxituam drejt Bogës dhe arritëm të ngrinim kampingun me dritën e diellit. Boga ishte mjaft e freskët dhe surprizë gjatë natës ishte një vesë shi, që na trembi pasi menduam se mos vazhdonte me stuhi. Por jo!

19-20

Të dielën u zgjuam në ora 4:00 dhe për 30 minuta hëngrëm mëngjes dhe paketuam gjithcka. Në 4:30 filluam ngjitjen drejt Majës së Thatë duke u nisur nga Fusha e Okolit. Shtegu drejt majës nuk ishte i shënjuar dhe as me gjurmë të dikurëshme në terren. Pamja gjatë gjithë rrugës ishte shumë e bukur, ku shikonim tërë kohën luginën e Bogës dhe pyjet e kullotat rreth saj. Teksa fituam lartësi pamë Qafën e Thores dhe pothuaj të gjitha majat e Alpeve Shqiptare.

21-22

Pas një ecje prej disa orësh mbërritëm rreth 100 m poshtë Majës së Thatë. Këtu grupi e pa të arsyeshme të mos vazhdonte ngjitjen më tej. Ky vendim u mor për çështje sigurie duke qenë se nuk kishim helmeta për tu mbrojtur nga gurët që binin gjatë ngjitjes, por as pajisjet e duhura për kacavarje sado të thjeshtë.

I gjithë aktiviteti ngjitje-zbritje zgjati rreth 9 orë e 30 min. Duke qenë se ishim herët në kthim ndaluam në plazhin e Shëngjinit ku dhe u freskuam paksa në det.       Alnderim Celohoxhaj

 

31 korrik dita e Mont Blanc

MB 1 - 3

Detjoni dhe Flori u nisën në dt 31 nga Lugina e Shamonisë dhe arritën “me mjete lehtësuese” në lartësinë 2.400 metra. Plani tyre ishte që të ngjiteshin dhe të pushonin këtë ditë tek stehimi në 3200 metra lartësi, prej nga të sulmonin majën në datën 1 gusht. Por parashikimi i motit ishte që do të kishin të nesërmen një mot edhe më keq nga sa ishte. Andaj vendosën që të ndryshojnë planin. Nga kjo lartësi (2.400 m) sulmuan direkt majën Mont Blanc 4.810 metra të lartë. Në këtë ngjitje ata “çanë” nga lartësia 3.800 m deri në lartësinë 4.650 m brezin me mjegull. Në lartësinë 4.650 m e panë veten mbi re, por kishin mbi kokë një diell përvëlues. Arritën majën në orën 17:00.

MB 6 - 7

Me një zbritje të kujdesëshme arritën në strehimin në lartësinë 3.800 metra ku kaluan natën dhe patën një shplodhje mëse të merituar!

Të nesërmen u ulën përsëri në Luginën e Shamonisë për të marrë rrugën e kthimit.

Ekstrakt: Kronologji nga ngjitja ne Mont Blanc

31 Korrik

07:30 Nisja nga Bellevue 990m me Teleferik

07:34 Mbërritja në Bellevue (La Chalette) në lartësinë 1800m.

07:49 Nisja nga Bellevue me Train 1

08:05 Mbërritja në Nid D’Aigle Train S1, 2360 m

Fillimi i ngjitjes

08:10 Nisja e ecjes për në shtëpinë Alpine Refuge de la Tete Rousse

10:10 Mbërritja në Refuge de la Tete Rousse 3168m. Check-in.

Distanca 3.2 km me disnivel 840m u ngjit për 2h.

11:00 Nisja nga Refuge de la Tete Rousse

13:00 Mbërritja në Refuge de Goûter 3815m

Distanca 2.5 km me disnivel 660 m u ngjit për 2h.

13:55 Nisja nga Refuge de Goûter për në Majen Mont Blanc 4810 m

17:05 Mbërritja në majën Mont Blanc.

Distanca 5.3 km me disnivel 1100 m u ngjit për 3h.

17: 20 Fillimi i zbritjes nga Mont Blanc

18:50 Mbërritja në Refuge de Goûter 3815m

19:10 Nisja nga Refuge de Goûter 3815m

20:10 Mberritja në Refuge de la Tete Rousse 3168m.

Heshtje

23:00 – 06:30

Te nesermen

Zbritja nga Refuge Tete Rousse per ne Mont Lachat

08:24 Nisja nga Refuge Tete Rousse

10:00 Mbërritja tek stacioni i trenit Mont Lachat

Distanca 5 km me disnivel 1200 m zbritje u përshkrua për 1h 36 min.

 

Shbat