Tetor 2023
Data 01 Maja Alisë, 2417 m.
Pjesëmarrësit: Detjon Skëndaj, Florjan Sini, Morena Tërvoli. Nisja nga Tirana dt 1 ora 05:00. Në orën 08:40 filloi ngjitja: Kroi Shtrazës – Qafë Pejë – Gropat e Bukura – Qafa Ali Popllukë (Qafa e Lugut të Valit).
Nëpër Koridorin e Alisë, i cili rezultoi segmenti me impenjativ i itenerarit, u nisëm drejt majës. Në majë arritëm në orën 14:00. Panoramat shumë të bukura, por që shpesh na ziheshin nga mjegulla në lëvizje.
Momenti më interesant i udhëtimit ishte ndeshja me një tufe, me 16 krerë, dhi të egra.
Distanca e udhëtimit rezultoi 18.5 km dhe disniveli i përshkruar 1.646 metra.
Morena
Data 07 Maja Piramida nr 6 – Korab
Pjesëmarrës: Detjon Skëndaj, Florjan Sini, Skerdis Petrela, Elidjana Shehu, Dorina Mosku, Elona Xhepa, Aurora Piroviq, Elisa Bano, Ernest Bunguri.
Anëtarë të SHBA Tirana ngjitën të shtunën, më 7 tetor, sipas planifikimit vjetor, Korabin e Vogël (piramida 6, 2677m mbi nivelin e detit) dhe Portën e Korabit (piramida 5, 2727m).
Grupi prej nëntë vetash u nis herët në mëngjes me dy makina nga Tirana, për të mbërritur pak para orës 9 në Radomirë (1250m). Nisja u bë, pa humbur kohë. Komandant Detjoni dhe z/komandant Florjani udhëhoqën me një ritëm më të shpejtë se ai i paracaktuari. Rrugës na ndaloi paksa, si për të na rregulluar frymëmarrjen, biseda e Detjonit me bariun e radhës, i cili i dëftoi pa një pa dy numrin e deleve, të qenve, si edhe buxhetin vjetor nga shitja e djathit dhe e qumështit…para se t’i riktheheshim ritmit të mëparshëm në ngjitjen e kreshtës nga pas piramidës 6, apo majës që thirret Korabi i Vogël.
Maja e parë u arrit brënda 4 orësh, me rreth 1500m disnivel, nga i gjithë grupi. Në të njëjtën kohë me ne mbërritën në këtë majë dhe tre anëtarë të një shoqate bjeshkatarësh nga Maqedonia, të cilët vinin nga shtegu teposhtë ujëvarës, nga krahu tjetër i kufirit.
Shkrepëm foto mbi piramida e hëngrëm një çapë bukë, para se të merrnim rrugën drejt majës së dytë, e cila në program ishte me dëshirë.
Na u desh të zbrisnim mbi 300 m të tjera dhe të ngjisnim edhe më shumë se aq, deri afër majës së dytë. Një pjesë e grupit ndaloi para kreshtës përfundimtare, ndërsa Detjoni dhe Florjani arritën piramidën 5 rreth 2 orë pas të parës, me kacavarrje nëpër shkëmbejt e majës e me hulumtime nëpër zallishten malore për të gjetur kullën e saktë më të lartë, ndër gjithë ato grumbuj gurësh të ndarë me të çara të thella nga koha e nga akulli.
Zbritja deri në Radomirë na mori 3 orë të tjera, kësaj here nga shtegu kryesor. Kthimi na ofroi pamje të mrekullueshme të majës së përskuqur të Korabit, ndërsa perëndimi na ndriçonte në zbritje me diellin që rrotullohej poshtë, bashkë me ne, mbi kreshta deri pak afër fshatit. Këmbëshpejtët kishin porositur mish të pjekur, djathë (nga ai i bariut) supë e kos, për ta mbyllur me gosti ngjitjen e dy majave, në një restorant të zonës. Kështu patëm kënaqësinë që, pas më shumë se 22 km ngjitje e zbritje me 1950 m disnivel, e rimbushëm barkun… Ernesti
Datë 28, festivali i kacavarjes
Në këtë festival të organizuar në shkëmbejtë përgjatë luginës së Langaricës (Gjinkar dhe Petran) morën pjesë Loren Rroço, Dorina Mosku, Detjon Skëndaj dhe Florjan Sini.
U ngjitën itenerarë të ndryshme: më të vështirat, e 6a dhe e 6b u ngjitën nga Loreni, kurse e 6a nga Flori dhe Detjoni; Dorina ngjiti të 5c si dhe një itenerar të dytë. Tre djemtë ngjitën edhe një të 5c.