Nentor 2023
Lek Gjeçi nuk na priti !
Të dielën, me datë 19 nëntor, u nisëm herët si gjithnjë nga Tirana, për të mbërritur rreth orës 7:30 në fshatin Ducaj të Malësisë së Madhe, në Luginën e Bogës. Pasi thirrëm e kërkuam më kot nëpër fshat për shtëpinë e Lleshi Durgajt, udhërrëfyesit vendor, i cili duhej të na priste për të na drejtuar sipas porosisë së profesorit (Acit) dhe nuk e gjetëm aty, në fund vendosëm të ndiqnim shtegun e vizatuar në hartë që nga Tirana nga Detjoni dhe Florjani. Ishim : Detjon Skëndaj, Florjan Sini, Ernest Bunguri, Dorina Mosku, Elsa Prela, Marinela Laraku dhe Skerdian Tefa.
Detjoni e Flori kishin bërë punë të mirë pasi në terren zbuluan një shteg që herë në të e herë jashtë tij, ngjitja po shkonte siç duhej dhe pa humbur lartësi deri afër Bunit të Shtogut. Aty na befasuan të shtëna me pushkë, të paktën 10 të tilla, të cilat vinin më lart, nga Qafa e Shtogut. Pak minuta më vonë do të shihnim të vinin në drejtimin tonë, por nga ana tjetër e malit, disa dhi të egra që po iknin të tmerruara nga gjuetari kriminel. Kjo na kujtoi edhe njëherë, me dhimbje, sa vlejnë ligjet në Shqipëri (moratoriumi për gjuetinë – Mirela Kumbaro) dhe sa para hidhen më kot për të paguar mbrojtës a përgjegjës parqesh.
Mbi Ducaj ka maja mjaft të bukura. Ajo e Mardomit, Maja e Madhe, etj, por ne ishim nisur tjetërkund ; drejt Majës së Lek Gjeçit, 2080 metra lartësi mbi nivelin e detit, dhe jo më e larta e zonës, përkundrazi. Poshtë kullës gjigande të gurëve të kësaj maje arritëm në kohë, duke i dalë nga pas, dhe një pjesë e grupit nisi të ngjitej nëpër të vetmin korridor që pikasëm. Në krahun e djathtë arritëm në një faqe shkëmbore vertikale rreth 50 metra të lartë. Majtas një tjetër korridor pak më i vogël dhe ai vertikal, na ndaloi të arrinim majën, për vetëm 100 metra. Dhe kohë për të vazhduar drejt majës nuk kishim. Nuk na kishte ndodhur të mos arrinim majën e synuar. Ishte hera e parë që mali na mposhti, gjë që solli dhe «buzëqeshjen» e profesorit, së bashku me ironinë e tij, se më në fund, ne të rinjtë e alpinizmit shqiptar, ia arritëm të shënonim një dështim, pas gjithë atyre sukseseve.
E gjithë aventura zgjati gati 9 orë, me 1400 m disnivel, dhe i gjithë kthimi u mbështoll nga ngjyrat e vjeshtës nëpër pyllin e ahut, përzier me ngjyrat e perëndimit dimëror. Lek Gjeçi nuk na priti, por ne do t’i vemi sërish për vizitë, herën tjetër të pajisur me litarë të gjatë.
Ernest Bunguri
26 nëntor
Për të shijuar borën e parë të dimrit që kemi përpara, Nebi Ganellari dhe Ekrem Spahia na sollën foto nga mali i Dajtit. Si dhe Urimin: “Paçim një dimër të mbarë me ngjitje nëpër malet tona”!
27 nëntor
Në malin e Llogorasë, në resortin Tourist Village (Te Dreri) Federata Shqiptare e Alpinizmit dhe Turizmit Malor organizoi takimin e veteranëve të sportit të alpinizmit. Në këtë takim morën pjesë edhe alpinistë e bjeshkatarë të ditëve tona, anëtarë të FSHALTM. Në këtë veprimtari kishte edhe të ftuar nga shoqatat e bjeshkatarëve dhe alpinistëve nga Kosova dhe Maqedonia Veriore, etj.
Fjalimet përshëndetëse, nderimet e llojit MIRËNJOHJE kryesisht për alpinistët veteranë por edhe për alpinistë e bjeshkatarë të tjerë krijuan një mjedis tejet të gëzuar. Nuk munguan dhe këngët edhe vallet. Ishte një mbrëmje që do mbahet mend nga pjesëmarrësit. Përgëzime dhe falenderime organizatorëve!
Shbat