Janar 2024
Data 1 janar
Ndonëse moti ishte mjaft i trishtë dhe mali i Dajtit nga Tirana dukej i mbuluar me re mbi lartësinë 1000
metra, një treshe nuk e prishi traditën e “Tretjes së gjelit të detit” dhe na përshëndeti nga maja e malit.
Data 14 janar
Pjesëmarrësit e lanë Tiranën herët në mëngjes dhe u mblodhën për një pushim në orën tetë në fshatin
Dedaj.
Pasi u parkuan makinat në fshatin Bogë dhe pjesëmarrësit u veshën dhe u kompletuan me pajimet e
nevojshme, ata pozuan për një foto kolektive para nisjes në orën nëntë.
Pjesëmarrësit ishin: Detjon Skëndaj (komandant), Adrian Ulaj (udhërrëfyes vendor), Aleksandër Gj
Bojaxhi, Marin Isai, Florian Sini, Gjergj Bojaxhi, Liridon Belba, Ernest Bunguri, Heral Saraçi, Nebi
Ganellari, Irena Bakalli, Marinela Laraku, Marjus Baci.
Drugomira me të mira, e diel 14 janar 2024
U nisëm në mëngjes herët nga Tirana si gjithnjë në ngjitjet një ditore, dhe pas një mëngjesi të lehtë për disa, e pak më rëndë për të tjerë në bar restorant Kapllaj në Dedaj, morrëm rrugën për në Bogë ku na priste udhëheqësi vendor Adrian Ulaj, i angazhuar nga Aci (njohjet e Profesor Aleksandër Bojaxhi janë pafund dhe një bekim i vërtetë për shoqatën).
Faqja jugore e malit që kishim në plan dukej krejt pa borë deri ku na kapte syri (mali të gënjen), dhe tundimi për të mos mbajtur kazma e kthetra ishte i fortë, edhe pse mes janari. Për fat të mirë shprehja “më mirë të mbash se të qash” na rezultoi krejt me vend…
Shtegut drejt majës së Drugomirës (1904m), në afërsi të një përroi, u ndeshëm me livadhe të vjetra malore të rrethuara me gurë të cilët banorët e hershëm i kishin shkulur me duar nga toka dhe i kishin renditur në gardhe të larta me punë kolosale. Brezaret natyrore formonin ballkone të bukura mbi luginën e Bogës, ndërsa në të majtë dëgjohej zhurmitja e ujit që vinte nga lart.
Gjatë një pushimi të shkurtër Adriani na dëftoi se aty dhjetra vite më parë kishte funksionuar një mulli i vjetër i gjyshit të tij, ku fshatarët vinin me kafshë, nëpër shtegun e pjerrët e të mundimshëm, për të bluajtur të korrat. “Një ditë, gjyshja ime shtatzanë vajti në faqen e malit përballë për të mbledhur dru në pyll, dhe u kthye me foshnjën e sapolindur në dorë”, rrëfeu Adriani për ato kohë me vështirësi të paimagjinueshme për ne të ditëve të sotme.
Shtegut malor, qindra metra më lart hasëm një ujëvarë përrallore. Mbushëm ujë, u freskuam e shkrepëm foto buzë saj para se të niseshim sërisht përpjetë. Udhës djemtë e fuqishëm të grupit hoqën e zhvendosën nga shtegu me oohope trungje të rënda që ishin rrëzuar mes tij. Borën, të cilën nuk na e kishte zënë syri që poshtë, e takuam rreth 1500 metrave lartësi në nisje të një tjetër pylli. Edhe pse e cekët, por mjaft e rrëshqitshme, e bardha na pengoi jo pak në ngjitje, sidomos atë pjesë të grupit që nuk ishte pajisur me këpucët e duhura. Disa rrëshqitje të vogla u bënë objekt të qeshurash e mbajtjesh nga krahët. Për kë kishte nevojë u shpërnda dhe ndonjë shkop.
Më lart akoma çështja u bë më serioze. Një pjesë e jona, të mbërthyer me këpucë të mira bore, i dha kthetrat djemve rishtarë që nuk ishin pajisur siç duhet, pa iu bërë shumë punë. Hekurat binin çdo dy hapa nga këpucët e këtyre të fundit, të papërshtatshme për mal e për kthetra. Meqë mbeta me ta, i këshillova të qëndronin e të na prisnin aty që t’i merrnim me vete në kthim. Iu thashë gjithashtu që me tu larguar dielli, të ndiqnin shtegun e kthimit deri ku të mundeshin, që të mos mbërdhinin, por as të mos dilnin prej shtegu nëse nuk ishin të sigurtë.
Pjesa e grupit që kishte përparuar lart ishte ndarë në dy grupe: njëri kishte zgjedhur faqen e djathtë të një lugu, tjetri atë të majtën. Disa rrëshqitje të tjera pasuan për kë nuk kishte vënë ende kthetrat shtegut mjaft të pjerrët duke u pudrosur pak me borë nën rroba, pa ndonjë pasojë.
Detjoni dhe Floriani çanin borën që thellohej sa më shumë ngjiteshim, ndërsa udhëheqësi vendor ishte njëri prej atyre që kishte mbetur pas, i pa pajisur me kthetra e me mundim në ngjitje. Kreshta, e më pas maja e Drugomirës, na dhuruan pamjen spektakolare të luginës së Bogës në të majtë, e të asaj të Razmës në të djathtë, dhe të të tëra vargmaleve nga të gjitha anët të zbukuruara nga bora që i kish mbuluar.
Në majë na ndodhi befasia e radhës, kur Adriani na tha se do të vazhdonim zbritjen nga krahu tjetër i malt. Djemve që kishim lënë pas iu kishim thënë të na prisnin pasi nuk e dinim që zbritja do të bëhej nga tjetër kah. Aleksandri (i riu, Bojaxhi) dhe Adriani zbritën më shpejt se pjesa tjetër e grupit, për t’u ringjitur nga shtegu i parë, duke i gjetur shokët tek ujëvara, pa ndonjë dëm.
Në kthim ndaluam sërish në Dedaj, për një darkë të bollshme e të merituar me fasule, kos e pilaf, pas 7 orë ecjeje në një gjatësi prej 11 kilometrash, me 1080m disnivel. Maja u arrit nga 10 pjesëmarrës, nga 12 që numëronte i gjithë grupi.
Nga Ernest Bunguri
Data 27 dhe 28 janar
Në mbrëmjen e datës 27 tek Hotel Breezy në Valbonë u mblodhën 14 anëtarë të shoqatës. Kaluan një
mbrëmje të këndëshme dhe ata anëtarë që kishin mangësi në pajime u kompletuan me to.
Pjesëmarrës në këtë veprimtari ishin: Ervin Dervishi (komandant), Bledi Mancaku, Klement Deda,
Aleksandër Bojaxhi, Elsa Bakiu, Visar Hysi, Engjëll Bakiu, Aurora Piroviq, Fatjola Matija, Bedat Dini,
Armand Xhaferaj, Ensuid Struga, Ernest Bunguri, Loren Rroço.
Të nesërmen, pas zgjimit në orën 05:00, të gjithë u mblodhën tek Fusha e Gjes ku parkuan makinat dhe u veshën për marshimin drejt majës së Alisë /Alijes, 2.471 m e lartë. Bora që filloi mbrëmë vonë vazhdonte të binte, jashtë parashikimit na siguronte për mot të ktjellët. Por bora ishte e lehtë dhe moti u kthjellua gjithnjë e më shumë pas orës 10:00.
Të gjithë marshuan drejt majës, por synimin për ta ngjitur atë e kishin vetëm shtatë prej tyre. Me fitimin e lartësisë shtrati i bardhë bëhej gjithnjë e më i ngrirë dhe ky fakt krijoi vonesë në fitimin e lartësisë. Kur më të vendosurit për synimin kishin edhe metrat e fundit për të arritur majën, relief rezultoi edhe më shumë i ngrirë, ishte akull. Koha me dritë që kishte ngelur nuk ishte e mjaftueshme që grupit t’i sigurohej kthim i sigurtë deri tek pika e nisjes. Urtësia në gjykimin e situatës i këshilloi të kthehen. Synimi nuk u arrit për ndoshta vetëm 40 metra, por deri aty, deri aty ku u ngjit sejcili, veprimtaria u dha kënaqësi të veçantë. Maja e Alisë/Alijes aty është dhe ata u kthyen të gjithë tek pika e nisjes kur nata i kishte filluar minutat e saj.
Datë 28 janar.
Për arësye të pamundësisë në kohë për tu nisur drejt Bogës si dhe drejt Valbonës, një treshe e anëtarësisë u nis për ngjitje në malin e Gamthit dhe pastaj në malin e Dajtit. Ishin këto nisje në të dy fundjavët (11 dhe 28 janar): treshja Endri Malo, Erik Roshi dhe Bledi Preza. Një treshe tashmë e “salduar” për tu ngjitur në malet që formojnë malësinë e kryeqytetit tonë.
Alija i pamposhtur, 28 janar 2024
Maja e dytë në kalendarin e veprimtarive për muajin janar ishte ajo e Alijës, nëpërmjet lugut të Valit në Valbonë. Grupi prej 16 vetash kaloi natën e të shtunës në luginë, për t’u nisur në mëngjes rreth orës 6 nga Fusha e Gjes. 2 prej nesh nuk ishin përgatitur për ngjitje dhe ndaluan që aty.
Gjurmët e Bledar Jubanit na ndihmuan të ndiqnim shtegun dimëror pa humbur në borë e pa u lagur në përroin e fushës, duke bërë ngjitje zbritje nëpër kodrat e katundet e braktisura krah saj. Bora kësaj here niste që në luginë, por i ftohti i natës e bënte të lehtë ecjen mbi të.
Pas disa pushimeve gjatë rrugës dhe një pushimi të shkurtër brenda kabinës së drurit tek Simoni, grupi mori shtegun për nga lugu i Valit. Dy të tjerë prej nesh, jo fort në formë për të vijuar, vendosën të ndalojnë në nisje të lugut, për t’u kthyer mbrapsht që aty. Të tjerët vijuan shtegun e pjerrët nëpër lug e nëpër të ftohtë. Fati i mirë ishte se bora ishte mjaftueshëm e fortë që të mos zhyteshim a sfiliteshim që në fillim. I keqi që frynte, e që në ndalesat e shkurtra për të vënë kthetrat apo për të futur ndonjë gjë në gojë, bënte që duart të ngrinin shpejt e kush ishte me djersë e ndiente edhe më fort.
Dielli që na zuri në pjesën e lartme të lugut ndihmoi ca, më shumë psikologjikisht, se shkulmet e erës me pudër bore të akullt na mbanin fort “fresk” deri në qafën e Valit.
Korridori drejt Majës së Alisë, një ndër më të pjerrëtit e më me nevojë për teknikë alpine për ta ngjitur, si në verë dhe në dimër, na priti mirë. Një tjetër prej nesh ndërkohë vendosi të kthehet që aty e të mos e provojë. Për ne të tjerët era pushoi kur nisëm ngjitjen dhe kthetrat ngjisnin në borën e ullukut si mastiç. Mungesa e rrëshqitjes na hoqi sadopak frikën e pjerrësisë por edhe më mirë ishte të mos ktheje shpesh kokën poshtë për të parë se nga ishe ngjitur.
Një pjesë e grupit vijoi drejt kreut të korridorit. Kur unë mbërrita aty dy anëtarë gjendeshin fiks në pjesën ku në vjeshtë ishim kthyer djathtas për t’u ngjitur mbi shkëmbenjtë që e rrethojnë. Iu thashë të nisnin të merrnin djathtas dhe thirra pjesën tjetër të grupit të ktheheshin për të marrë të njëjtin shteg, atë klasikun.
Por Ervini, komandanti i grupit, më bindi të ktheheshim e t’i ndiqnim sepse sipas tij, shtegu në atë anë të çonte në kreshtë e më pas në faqen e pjerrët e të frikshme që bie, nëse rrëshqet, pa ndaluar deri në Theth. Unë vetë e kisha ngjitur këtë në kushte të tjera, dhe nuk ia bëra dysh fjalën udhëheqësit të grupit edhe pse nuk e dija se si mund të ishte terreni i mbuluar me borë a me akull. (Një javë më vonë do të kuptoja që kishte pasur të drejtë e që kishim bërë shumë mirë që nuk morrëm shtegun klasik për në majë, të papërgatitur siç duhet atë radhë).
Në fund të korridorit malor vjen një faqe e lartë shkëmbore, rreth 40 metra e lartë. Në pamundësi për t’u ngjitur andej, Ervini tentoi kqyrjen e një kalimi majtas, pak më poshtë kreut, i cili përbëhej nga shkallë gurësh të mëdhenj të mbuluar me borë e me akull, dhe që të linte përshtypjen se mund të të nxirrte diku afër majës.
Loreni i pajisur me kthetra dhe kazma teknike mjaft të mira, tentoi t’i afrohej kësaj pjese ndërsa një pjesë e grupit nisi të mbërdhinte. Në atë çast nxjerrja e litarit ishte e domosdoshme për të bërë të paktën një provë, por një pjesë tjetër e grupit kërkoi të ktheheshim poshtë, duke na lajmëruar që qielli sipër nesh po nxihej. Ora ishte 1 e 20 pasdreke, 20 minuta kaluar kufirin e kthimit të detyrueshëm në kushte dimërore. Në 2426 m, 45 metra larg majës së Alisë (2471m) vendosëm ta mbyllnim me aq përpjekjen e radhës dhe u kthyem të gjithë poshtë.
Edhe pse jo aq të gëzuar që nuk arritëm dot majën, ishim të lumtur që u treguam të kujdesshëm dhe që shijuam gjithsesi një ditë të mrekulliueshme në alpe, me mot të ftohtë por me pamje të mrekullueshme.
Gjatë zbritjes mësuam që komandant Ervini kishte kaluar një grip të rëndë vetëm dy ditë më parë, gjë që u ndje edhe nga një kollë e thatë që i nisi në kthim, një arësye më shumë për t’u gëzuar për vendimin e kthimit në kohën dhe në momentin e duhur.
Pas 12 orësh ecje në kushte të vështira malore dimërore, rreth 1600 m disnivel, dhe 20 kilometrave të përshkuara vajtje-ardhje, ndamë foto e pimë kafe e çaj të ngrohtë në Valbonë, para se të merrnim rrugën e kthimit në Tiranë.
Epilog: Dhelpra në çantën time
Në nisje, në fushën e gjesë, herët në mëngjes e pa zbardhur mirë, dëgjoj një kuisje të lehtë si ato të dhelprave. Duke ecur pyes anëtarët e grupit a i dëgjonin dhe ata dhjelprat apo mos ishte ndonjë haluçinacion i imi. Po, më përgjigjeshin ata pranë, dhe unë tërë qejf iu rrëfeja se si dhelprat na rrethonin e lëshonin klithmat e tyre por pa provuar të na afroheshin, në atë peisazh pishash e zallishteje të mbuluar nga bora e akulli.
Kuisja, megjithë dhelprat, na braktisi kur morrëm shtegun e pjerrët drejt Simonit, për ta rigjetur në kthim po në fushën e gjesë. Vetëm se kësaj here veshi, bashkë me trurin, më të stërvitur se pas zgjimit të mëngjesit, kuptuan që ishte çanta ime që kuiste ashtu kur fërkohej në të majtë e në të djathtë me peshën që kishte…
Nga Ernest Bunguri