Shtator 2024
1 shtator
Më 31 gusht dhe 1 shtator pesë anëtarë të shoqatës shkuan dhe vizituan zonën e Nikaj Mërturit, në luginën e lumit të Currajve. Ishte hera e parë që anëtarë të shoqatës sonë shkuan në këtë zonë. Pjesëmarrës ishin: Luan Xhoxhi, Vladimir Cfarku, Bledi Preza, Nebi Ganellari, Aleksandër Bojaxhi.
Udhëtimi me tragetin “Alpin” i shtoi një element më shumë soditjes së natyrës gjatë kësaj veprimtarie.
Për arsye të mungesës së një mjeti fuoristradë, anulluam kalimin e natës tek bujtina “Guesthouse Prebibaj” dhe u përshtatëm tek bujtina “Baca Qerim” e ndërtuar në skaj të segmentit rrugor të asfaltuar të kësaj zone.
Zonë e thellë, e qetë, me popullsi të “rralluar”, e pasur me simbole të katolicizmit dhe me përkujtimore të martirëve të fesë si nuk kemi parë askund tjetër.
Në qëndrën e zonës, në Lekbibaj pamë një përkujtimore të veçantë kushtuar “Ambasadorit të Maleve Shqiptare” dhe njëherësh njohësit të Alpeve tona, të ndjerit Ndoc Dedë Mulaj.
Në datën 1 Luan Xhoxhi, Vladimir Cfarku dhe Nebi Ganellari realizuan marshimin nga Bujtina Baca Qerim tek Bujtina Viktor Prebibaj.
22 shtator
U organizua dhe u realizua ngjitja në majën e Polisit, Faqja e Madhe. Nisja nga Tirana u bë në ora 06:00. Takimi i pjesëmarrësve u bë tek ura e Polisit dhe itenerari Ura Plolisit – Gurëshpat me makina zgjati për 10 km dhe u fitua disniveli 800 m.
Ngjitja vajtje-ardhje rezultoi 19 km dhe disniveli 850 m. Itenerari nuk kishte vështirësi teknike. Pjesëmarrësit ishin: Arif Biçoku – udhërrëfyes, Luan Xhoxhi, Vladimir Cfarku, Gjergj dhe Ana Bojaxhi, Elisa Bano, Vangjel Nence, Leonidha Fuqi, Tomor dhe Nebi Ganellari, Ekrem Spahiu, Adnan Shakaj, Redi Fishta, Sotir Leshi, Skerdi Petrela, Elidiana Shehu, Dhimitër Qiriazi, Dionis Biça komandant i grupit, Shpëtim dhe Saimira Goga, Detjon Skëndaj.
29 shtator
Në datën 29 shtator 2024, në ambientet e EcoPark Durrës u mbajt eventi i Garave Ballkanike dhe Kupës së Republikës së Shqipërisë në kacavarje sportive. Për këtë veprimtari antaria e shoqatës sonë Dorina Mosku na solli këto hollësi:
Ky event i organizuar nga Federata Shqiptare e Alpinizmit dhe Turizmit Malor të Shqipërisë (FSHALTM), mirëpriti 108 pjesëmarrës (sportistë dhe amatorë të kacavarjes sportive) nga FSHALTM, Federata e Bjeshkatarisë dhe Ngjitjes Sportive së Kosovës, Federata e Ngjitjes Sportive së Maqedonisë së Veriut dhe Federata e Alpinizmit të Malit të Zi, në 6 kategori (12-13 vjeç,14-15 vjeç, 18+ vjeç, meshkuj dhe femra për secilën kategori).
Nga shoqata jonë morën pjesë Dorina dhe Dion Biça për kategorinë Senior (18+).
Tre vendet e para për të gjitha kategoritë u ndanë midis sportistëve pjesëmarrës nga federatat e sipërpërmendura, ndërsa Kupa e kacavarjes sportive së Republikës së Shqipërisë u fitua nga ekipi i palestrës Rock Tirana Climbing Gym me numrin më të madh të medaljeve të fituara. Për kategoritë senior meshkuj dhe femra, Naeli dhe Greta, të dy anëtarë të këtij ekipi, fituan përkatësisht çmimet e parë dhe të tretë. Urime vajzave dhe djemve të palestrës për fitoren e radhës, edhe suksese të mëtejshme!
Ndërkohë që 2 anëtarët e shoqatës sonë nuk fituan medalje në këtë garë, ata patën një performancë dinjitoze dhe pa diskutim mbi mesataren e përgjithshme në kategorinë ku morën pjesë. Dhe më e rëndësishmja, është gjithmonë kënaqësi pjesëmarrja në të tilla evente dhe prezantimi me shoqata të tjera simotra, ku anëtarët këmbejnë përvojat e tyre. Ne urojmë që së shpejti edhe shoqata jonë të ketë ekipin e saj të mirëfilltë të kacavarjes, si edhe ta konsolidojë këtë ekip në sajë të stërvitjeve periodike të përbashkëta dhe shpirtit të grupit!
Eventi u mbyll me shpërndarjen e çmimeve nga kryesia e FSHALTM dhe me fjalën mbyllëse të kryetarit të FSHALTM, z. Artur Guni. Si çdo vit, mesazhi më domethënës që përcjell kjo garë është i njëjti : pjesëmarrja është gjithmonë më e rëndësishme se gara dhe fitorja. Në fund të fundit, edhe qëllimi i këtyre veprimtarive si edhe i sportit të kacavarjes në vetvete (qoftë kjo në palestër apo në shkëmb), është ai i bashkimit të njerëzve me të njëjtin pasion dhe i ndërtimit të komuniteteve.
29 shtator
Erik Roshi është një nga anëtarët e grupit i cili mori pjesë në markimin me bojë të itenerarit për organizimin e krosit “Unaza e Priskës”, 15 km e gjatë. Kanë kaluar gjashtë vjet nga dita kur u organizua gara e parë dhe Eriku, për nostalgji të unazës, së bashku me Endri Malon ju bashkuan një grupi të Marathon Albania dhe na solli pamjet e mrekullueshme të segmentit të unazës pranë Qafës së Selbës.