Dhjetor 2024
Këtë muaj, në datat 8 dhe 12, u organizuan dhe u zhvilluan zgjedhjet për Kryetarin dhe Kryesinë e re të Shoqatës. Zgjedhjet e datës 8 nxorën Kryetar të Shoqatës zotin Florjan Sini. Zgjedhjet e datës 12 nxorrën fitues katër anëtarët e tjerë për Kryesinë e Shoqatës: Detjon Skëndaj, Elidjana Shehu, Luan Xhoxhaj, Ervin Dervishi.
Votimi u krye përmes dy platformave online HeliosVoting, ElectionRunner, përmes email për ata anëtarë që nuk aksesonin dot platformat dhe WhatsApp për ata që nuk kishin email. Nga 47 anëtarët me të drejtë vote morën pjesë në votim 36 anëtarë.
Në mbledhjen e parë të Kryesisë së zgjedhur, u vendos që ndarja e detyrave për secilin të jetë si më poshtë:
Kryetari, Florian Sini
Ka për detyrë të organizojë punën e Kryesisë dhe të ndjekë detyrat e çdo anëtari të saj. Ka të drejtën e veprimeve bankare, të vulës dhe firmës në veprimet zyrtare. Me aprovim Kryesie ka të drejtë të ndërhyjë në thesarin e shoqatës për nevojat e saj.
Ka të drejtën të mbledhë kryesinë dhe asamblenë e shoqatës kur e shikon të arësyeshme.
Ka të drejtë të marrë pjesë në mbledhjet e çdo Komisioni a Këshilli që krijon Shoqata.
Nën/kryetar, Elidjana Shehu
Nën/kryetari zëvendëson Kryetarin kur ky i fundit nuk është i pranishëm. Kur vendi i Kryetarit mbetet i lirë, për çfarëdolloj arsye, apo kur ai jep dorëheqjen, zëvendësimi i tij bëhet përkohësisht nga Nën/kryetari ose nga një anëtar i Kryesisë.
Mban rekordet e pjesëmarrjes së çdo anëtari në veprimtaritë e shoqatës për gjatë vitit dhe përgjatë viteve të mandatit.
Ndjek dhe kujdeset që veprimet e Shoqatës të jenë në përputhje më Statutin dhe Rregullat e saj si dhe mban shënime të cilat i vlerëson që të diskutohen në Kryesi.
Sekretar, Detjon Skendaj
Sekretari është hallkë lidhëse ndërmjet Kryesisë dhe anëtarësisë së Shoqatës. Ai përcjell vendimet dhe udhëzimet e kryesisë në anëtarësi.
Sekretari organizon takimet e Kryetarit dhe Kryesisë me anëtarësinë dhe/ose organizata simotra me Shoqatën tonë.
Sekretari ushtron kompetencat dhe realizon detyrat në përputhje me Statutuin dhe Rregullat e shoqatës si dhe detyrat e lëna nga Kryesia.
Anëtar i Kryesisë, Ervin Dervishi
Mbulon këshillimin për trajnimin e anëtarësisë për teknikat në veprimtaritë malore. Ndërton plane stërvitore, kur e shikon të nevojshme, për fillestarët dhe për ata anëtarë që kanë përvojën e veprimtarive malore. Është ndërmjetësi i Kryesisë me Këshillin Teknik të Shoqatës.
Anëtar i Kryesisë, Luan Xhoxhaj
Mbulon propagandën e Shoqatës në bashkëpunim me komisionin përkatës për të shtuar rradhët e saj dhe duke u shpjeguar anëtarve te rinj benefitet që ka marrja pjesë në një shoqatë për veprimtari në natyrë.
Bashkëpunon me shoqata dhe organizata të tjera shtetërore e jo shtetërore, simotra me tonën, në dobi të llojit dhe cilësisë së veprimtarive për anëtarësinë tonë.
Mbajtës i Thesarit, Iglin Shyti
Është zgjedhur nga Kryesia e Shoqatës, por nuk është anëtar i saj. Mbikëqyr buxhetin e shoqatës dhe ndjek pagesën e kuotizacionit vjetor nga anëtarët. Është titullari numër dy për veprimet bankare. Përcakton nevojat buxhetore për shpenzimet e veprimtarive që organizon Shoqata si dhe të atyre veprimtarive ku merr pjesë ajo.
Veprimtari në natyrë gjatë muajit
Nga maja e Kallkanit Armandi dhe Dionisi na sollën fotot që shkrehën në majë si dhe pamje të itenerarit që ndoqën.
Ngjitja e majës dhe kthimi prej saj regjistruan 16 km marshim që e mbuluan në 6 orë e 15 min.
Leonidha na sfidoi me fotot e mjedisit me borë, në zonën e Korçës
si dhe me foto dimri të udhëtimit dhe marshimit në drejtim të Qafë Martës, Ostrovicë.
Gjergji na habiti me fotot e mrekullueshme që na solli për ujvarat dhe ujrat mbi fshatin Luzat – Tepelenë
Pasi u panë fotot e sjella, anëtarësia pati reagim të çastit për të organizuar një veprimtari të “butë” për të soditur mrekullitë e natyrës atje, dhe vendimi ishte i menjëhershëm: për tu kënaqur si duhet me natyrën atje do organizohemi për ta soditur në muajin Prill.
Dionisi me Dionin përsëri ju ngjitën malit në dt 14. Ata shkuan tek Pllaja e Pusit Mali i Thatë, Pogradec.
Në datën 11 dhjetor Universiteti Zonja e Këshillit të Mirë organizoi një veprimtari në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Malit. Në veprimtari u promovua ribotimi i librit Montane d’Albania të me autor inxhinjerin dhe njëherësh alpinistin Piero Ghiglione që ka qenë botuaar iI përkthyer në shqip në vitin 1941.
Në këtë takim u mbajtën “kumtesa” me vlera kulturore dhe historike mbi malet dhe vlerat e shumëanëshme të tij për njeriun.
Pas fjalës hyrëse të Moderatores Bardha Karra fjala u kaloi një pas një zotërinjve Ruggero Valentini, Alessandro Rugera, Aleksandër Bojaxhi, Fisnik Muça si dhe nëpërmjet vidios Dom Luigi Ciotti i cili kreu edhe prezantimin e librit.
Me të pranishmit nga Tirana në mbyllje u organizua dhe një tur për njohjen e këtij Universiteti të mrekullueshëm.
Në fundjavën e fundit të këtij viti, 29 dhjetor u organizuan dy veprimtari:
Në jug të vendit Leonidha me grupin e tij organizoi ngjitjen në Majën e Ivanit (mbi liqenin e OPrespës dhe na solli pamjet nga maja.
Maja e Kërçinit
Pjesëmarrësit: Alin Bora, Heral Saraçi, Tomor Ganellari, Florian Sini, Leonidha Fuqi, Dion Biça, Vangjel Nemce, Arif Biçoku, Detjon Skëndaj, Vladimir Cfarku.
Ngjitja në Majën e Kërçinit 2.340m u realizua nga shtegu që filon në fshatin Kërçisht i poshtëm. Intenerari doli që ishte 16 km i gjatë dhe me 1.600 m disnivel. Ngjitja u realizua në një mot jo të qëndrueshëm. Për 400 m disnivel në drejtim të majës grupi u ngjit në kushtet e mjegullës dhe një ere shumë të fortë.
Zbritja u realizua po nga i njejti shteg. Në këtë veprimtari morën pjesë 9 vetë dhe të gjithë u ngjitën në majë. Veprimtaria ngjitje-zbritje zgjati tetë orë.
28 dhjetor, veprimtaritë që mbyllën vitin 2024
Maja e Ivanit
Ngjitja u realizua nga grpi korçar, me ushëheqje të Leonidha Fuqit
Maja e Arithit
Pjesëmarrësit ishin: Florjan Sini, Dorina Mosku, Detjon Skëndaj, Dion Biça, Klajdi Biça, Engjëll Bakiu, Migel Lile, Arif Biçoku.
Në datën 28 tetë anëtarë të shoqatës u ngjitën më majen e Arithit 1986 m. Ngjitja u realizua nga shtegu që fillon në fshatin Dushaj, Bujtina Hupi. Intenarari ishte 16.5 km i gjatë dhe me 1.330 m disnivel. Ngjitja dhe zbritja u realizuan nga i njejti shteg. Florjani na tha se “Koha gjatë gjithë udhëtimit ishte shumë e mirë duke na lejuar të kishim një pamje fantastike nga maja. Pasi zbritëm hëngrëm një darkë të vogël tek Kulla Hupi ku u krijua edhe një mjedis i këndshëm festiv duke mbyllur edhe veprimtaritë e Shoqatës për vitin 2024. Në këtë veprimtari, që zgjati shtatë orë, i gjithë ekipi arriti majën.