Udhëtimi në natyrë

T’i ngjitesh malit është një gjë dhe të shkosh nga vendnisja për tek rrëza e malit është një gjë tjetër. Udhëtimi në natyrë është arti i manovrimit nëpër te përreth shkurreve, pyjeve, shtigjeve, borës, etj.

Kur alpinistët lenë vendfushimin poshtë në luginë dhe i drejtohen itenerarit të ndërmendur për të sulmuar majën, ata duhet të sigurohen se i dinë mirë kalimet deri tek pika ku do të fillojnë sulmin për në majë e të mos ngelen në shpate e gryka pa dalje apo shkurre e pyje ku ngecesh edhe në mes të ditës.

Si rregull vështirësitë e rrugëkalimeve deri sa të dilet në zonën e mbipyllit duhet të jenë minimale në mënyrë që t’i kënaqemi e gëzohemi pjesës më të sipërme të maleve, zonës alpine.

Në këtë leksion dhe më tej me lëvizje në natyrë do të kuptojmë shkencën e përdorimit të hartës dhe busullës apo GPS-it për të përcaktuar drejtimin për tek një objektiv. Me gjetje te rrugës do të kulptojmë artin e gjetjes së një itenerari (rruge) të realizueshëm nga ana e grupimit që do të ndërmarrë ngjitjen. Lëvizja thekson mënyrën për të shkuar prej këtu e deri atje (aty ku dëshironi të shkoni), porse kërkohen aftësi në gjetjen e rrugës për të kapërcyer rreziqet e pengesat që do të ndeshen në çdo segment të lëvizjes. Intuida e fati lozin rol në gjetjen e rrugës, porse ka edhe aftësi e shprehi që mundet të mësohen dhe sigurisht e mbi të gjitha rol luan përvoja në mal. Kushdo këshillohet që të ngjitet me alpinistë me përvojë (apo udhërëfyes), që të shohë me kujdes teknikat që përdorin ata dhe mos të ngurojë të pyesë për çfardo që ka dyshim apo për gjithshka që dëshiron të dijë më shumë. Gjetja e rrugës është një nga mjeshtëritë më të domosdoshme të ngjitjes së maleve që duhet të përvehtësohet.

Çdo territor malor ka veçoritë e tij gjeologjike e klimatike të cilat ndikojnë në gjetjen e rrugës.  Nuk është vështirë që për një periudhë 2-3 vjeçare përvojë ngjitjtejesh në Bjeshkët e Namuna të fitosh mjeshtërinë e gjetjes së rrugës, porse kësaj përvoje i duhen shtuar njohuri e përvoja të reja të mësuari për të gjetur me të njejtën mjeshtëri rrugët në zonat malore jugore. Veçanërisht më të kujdesëshëm alpinistët duhet të tregohen në gjetjen e rrugës kur lëvizet nga një shtet në një tjetër për të kryer ngjitje.

Disa nga hollësitë e rrugës mundet të gjinden, mësohen, duke biseduar me vendasit, por jo me çdo vendas por vetëm me ata që e kanë përvojën e ngjitjes në malin në fjalë. Ndërsa takimet e bisedat me alpinistë të cilët kanë përvojën e kalimit në rrugët që dëshironi të shkoni si dhe ngjitjeve në majat që synoni, janë burimi ma i mirë për të gjetur rrugën që kërkoni.

Tek i drejtoheni një mali për të përcaktuar itenerarin e ngjitjes, ja vlen që nga çdo distancë, sado e largët që të jetë ajo, ta studjoni atë. Pamja nga larg u tregon format e përgjithëshme të kreshtave, thepisjeve, zonave me borë, si dhe vlerën e përafërt të pjerrëisë së shpateve.

Tek jeni më pranë për çdo element të reliefit do dalloni më mirë përvijimet e reliefit dhe e kuptoni më në detaje malin. Nëse i shmangeni bazës së malit duke i ardhur rrotull ju do të keni mundësi ta shikoni atë nga këndvështrime të ndryshme. Kjo do u mundësojë të kuptoni edhe më mirë reliefin e segmenteve të caktuar dhe të përcaktoni më drejt itenerarin që do të zgjidhni për ngjitje.

Ndërkohë që është tejet i rëndësisëm vrojtimi i një mali a itenerari nga këndvështrime të ndryshme, ngase kjo mundëson të dallohet më mirë relifi malor, vrojtimi i malit ose itenerarit nga e njejta pikë gjatë orëve të ndryshme të ditës ka gjithashtu rëndësi. Ndryshimi i këndit të rënies së rrezeve ë diellit në orë të ndryshme të ditës jep dritë-hije të ndryshme në itenerarin që u intereson dhe ndihmon në kuptimin ma të mirë e ma të plotë të reliefit. Studimi i hijeve që zgjaten ose shkurtohen zbulon elementë të reliefit të cilët kanë rëndësi në zgjedhjen e itenerarit të ngjitjes.

Pania e borës në shpate është shpresëdhënëse për një pjerrësi të moderuar ngase si rregull në shpate me pjerrësi mbi 50 gradë bora nuk qëndron. Porse ka edhe iluzione optike: bryma mundet që, që nga larg të duket si borë e me raste edhe si akull, një shami/fushë bore që shkëlqen mundet të jetë një sipërfaqe akulli, etj.

Tek jeni afër shikoni për të dhëna të itenerarit: kreshta, ose pjesë kreshte, me pjerrësi sa ma të vogël, plasaritje apo çarje, shtrethe, tymtaja, pjesë të mbuluara nga bora apo akulli që lartësohen më butë e që i ngjiten ose i kalojnë tërthor itenerarit.

Gjatë vrojtimit imagjinoni situata dhe jini syhapur ndaj rreziqeve të kacavjerrjes: studjoni vendet e mundëshme të orteqeve të borës ose të gurëve. Nëse bora është e ndotur, mësoni se një ndër arësyet mundet të jetë rënie vali (rënie gurësh). Nëse itenerari detyrimisht do kalojë në vende ku ka rënie orteqesh ose vali, zgjidhni orët e para të mëngjezit (ende pa zbardhur, kur temperature është e ulët) për kalim sa më të sigurtë. Mos kaloni në të tilla vende kur bie shi i cili zbut dheun lidhës midis gurëve apo ndryshon ekujlibrin mes tyre. Gjatë gjithë kohës së afrimit dhe studimit të malit/itenerarit (por edhe gjatë ngjitjes imagjinare të tij), ndiqni thënien alpine “ngjitu me sytë e tu” duke qënë gjatë gjithë kohës syhapur/ i vetëdijshëm në vlersimin e vështirësive e rreziqeve dhe duke korrigjuar sa herë të jetë e nevojshme segmente të itenerarit që mendoni a vendosni të ngjisni dhe merrni vendime për alternativat e vazhdimit të itenerarit sa më shpejt që është e mundëshme. Dhe tek ngjiteni (me mend) mos harroni të shikoni kohëzgjatjen e ngjitjes, ku do të jeni më ora 14:00 e ku do të jeni kur të bjerë errësira, ku ka ujë e ku mundet të kalohet një bivak, etj.

Ne shkollen e alpinizmit Dajt

Ecja

Në daljet në natyrë apo në ngjitjet malore aftësia e shprehija bazë është ajo më e thjeshta e ditës për thuajse këdo: ecja. Porse sikundër dhe aftësia që keni për të shkruar nuk u mjafton që tu bëjë shkrimtar, aftësia për të ecur nuk domethënë se jeni një ecës i përgatitur përlvizjet në natyrë. Për të qënë i tillë u duhet racionalitet në ecje, u duhet të mësoni si të ecni në terrenin që ndryshon vazhdimisht dhe të mundeni që njëherësh të mbartni rancin. Le të ndalemi në disa nga elementët më të rëndësishëm të ecjes nën një kënvështrim nga i cili ndoshta nuk e keni parë apo menduar më parë.

Shpejtësia e ecjes ka rëndësi të veçantë në teknikën e ecjes në natyrë. Në natyrë më e shumta e fillestarve ecin o më shpejt, o më ngadalë nga sa duhet. Fillestarët më të rinj në moshë ecin shpejt, sidomos kur janë në grup. Në këto raste të ecësh shpejt është baraz me të lodhurit shpejt. E pse duhet të lodheni kur keni mjaft kohë për të arritur synimin dhe mundësi të këndelleni e t’i gëzoheni pamjeve e kurioziteteve që u rrethojnë tek dilni në natyrë? Një mënyrë për të kuptuar nëse po ecni shpejt (por që nuk është e mjaftueshme) është të kontrolloni nëse e mbani të njejtën shpejtësi çdo orë të ecjes. Nëse nuk ruhet kjo shpejtësi kjo d.m.th. se po ecni shpejt. Gabim tjetër është të ecurit shumë ngadalë. Të ecurit më shpejt nga sa duhet bëhet lodhës, por po kështu bëhet edhe të ecurit e ngadaltë.

Si rregull trupi ankohet mjaft kohë para se të dëmtohet a lodhet. Muskujt mundet tu dhembin, por atyre do u duhen edhe dhjetë a ma shumë kilometra për të punuar; mushkëritë mundet të gulçojnë por ashtu duke gulçuar ju duhet të ecni edhe disa kilometra të tjera. Në një farë mase një farë shkalle të vuajturi e duruari është e pashmangëshme gjatë rrugës së mbulimit të distancave të largëta.

Shpejtësia e përshtatëshme e ecjes ndryshon gjatë ditës. Së pari, para nisjes, përgatituni duke bërë ca ushtrime: gjymtyrëve, hijeve, shpinës e shpatullave. Jo më shumë se 3-6 minuta. Më tej, në fillim ecni ngadalë që të përgatitet trupi për “kërkesat” e ditës ndaj tij. Pas pak zgjateni a shtriheni hapin dhe me vullnet e mbani këtë shpejtësi për një farë kohe që kështu trupi ta përjetojë këtë “marsh”. Nga ana fiziologjike kjo d.m.th. se zemra tuaj ka ritur numurin e rahjeve për minutë, gjaku u qarkullon më shpejt dhe muskujt janë liruar. Ndërkohë, nga ana psikologjike këto janë çaste kur ju ndjeheni të fortë dhe të gëzuar. Eshtë edhe koha kur jeni duke e mësuar trupin me një “marsh” të ri (por edhe të fundit).

E ndryshoni shpejtësinë në vartësi të shtegut: çapitni njëtrajtësisht në të përpjeta; e rrisini tempin nëse pjerrësia e shtegut bie. Sekush ka një “shpejtësi të natyrëshme” e cila ka rrezultat ma të mirë për konditat e momentit: koha e ditës, pjerrësia e shtegut, pesha që mbartni, etj. Gjeni shpejtësinë tuaj të natyrëshme dhe qëndroni me të (e mbani atë) sepse duke ecur më shpejt ose më ngadalë nga ajo ju vetëm do ja shtoni lodhjen vehtes.

Hapi çlodhës është i rëndësishëm për të kontrolluar shpejtësinë tuaj dhe për të kufizuar lodhjen.  Ai ka rëndësi të përdoret kur ecim në pjerrësi apo në shpate me borë apo akull dhe përdoret kurdo kur shalët ose mushkëritë kanë nevojë për ca riaftësim në ecje e sipër. Sapo ta mësoni, do e përdorni atë shpesh.

Si rregull shpejtësia është e ulët sepse për çdo hap ka një ndërprerje. Çlodhja ndodh mbasi njëra këmbë ka lëvizur përpara për hedhjen e hapit të dytë/të rradhës. E mbështetni tërë peshën e trupit në shalën e pasme ndërkohë që shlodhni muskujt e shalës së hedhur përpara. Ka rëndësi: mbani shalën e pasme drejtë dhe të kyçur në gju që kështu ashti, jo muskuli, të mbajë peshën.

Sinkronizoni frymëmarrjen me sekuencën. Në një sekuencë tipike, ju mund të merrni rishtaz frymë për çdo hap – por numuri i frymëmarrjeve për hap mundet të jetë më pak a më shumë në vartësi të vështirësisë së punës që po kryeni. Me një frymëmarrje për hap, merrni frymë ndërkohë që sillni këmbën e pasme përpara; nxirrni frymën ndërkohë që shala e parme pushon dhe shala e pasme mban peshën trupore. E përsëritni këtë sekuencë. Nëse jeni diku në male të larta (mbi 3000 metra), mushkëritë kanë nevojë për një ndalesë më të gjatë; nganjëherë tre a katër frymëmarrje për çdo hap. Bëni një përpjekje të vetëdijëshme për të marrë frymë thellë. Gjithashtu në lartësi të mëdha pini ujë me gllënka të shkurtëra/ vogla ngase ndryshe do të keni ndërprerje në frymëmarje (do u ndryshojë për një moment ritmi i frymëmajrjes duke u këmbyer a zëvendësuar me gëlltitjen e ujit).

Qetësia mendore është e rëndësishme me hapin e çlodhjes. Monotonia e shpejtësisë, veçanërisht në terrenet me borë e akull, mundet të minojnë moralin. Kjo është pjesërisht e vërtetë nëse ju jeni thjeshtë duke ndjekur një ngjitës tjetër në udhën përpjetë dhe nuk keni për të treguar kujdes për gjetjen e rrugës apo hapjen e gjurmës që të mobilizoni të menduarit. Por jini të kujdesëshëm: ju duhet t’i besoni teknikës që t’i “bluani” kilometrat ngadalë e pa ndërprerje, madje edhe kur maja duket se nuk po u afrohet.

Pushimet e plota janë të domosdshme për këdo. Mbas 30 minutash (ose edhe më shpejt, në vartësi nga pjerrësia e terrenit ku marshoni) nga fillimi i marshimit/ngjitjes ndaluni për një pushim korrigjues e shkriftues. Kjo i ndihmon sejcilit të rilidhë këpucët (mundet të jenë lidhur shtrënguar ose lirshëm), të përshtasë rripat shtrëngues të rancit, të shtojë a heqë diçka nga veshja, etj.

Mos harroni të kujtoni grupin për kryerje të nevojave personale para veshjes së paimeve dhe para nisjes për marshmimin e ditës.  Nëse grupi përbëhet nga të dy gjinitë, duhet të tregohet kujdes për të patur pushime me dy grup gjinitë të ndara për nevoja personale. Mos harroni se ka njerëz të turpshëm për të kërkuar një gjë të tillë.

Gjatë pjesës më të herëshme të ditës (marshimit), pra ndërkohë që trupi tuaj është ende i freskët, kryeni pushime të shkurta çdo 60 ose 90 minuta. Pushoni në këmbë ose në një pozicion gjysëm të pjerrët duke u mbështetur sipas rastit në kazmën alpine, në një pemë, shkëmb a pjerrësi për të lëruar shpatullat nga ngarkesa e rancit. Ndërkohë merrni frymë thellë si dhe hani e pini diçka.

Më vonë gjatë ditës, lodhja mundet tu kërkojë ndalesa më të zgjatura për ripërtëritje dhe ja vlen që pushime të tilla të organizohen çdo dy orë. Kur vjen koha për një pushim (ndalesë), vëzhgoni rrotull për një vend me sa më shumë përparësi për grupin: ujë, panoramë, pjerrësi jo të bezdisëshme për ju e për mos rrokullisjen e rancit. Mos harroni të vishni diçka që të shmangni ftohjen e muskujve. Por mos e zgjatni pushimin.  Pika e pestë kurrë nuk thotë “ngrihu!”. Nuk është e këndëshme (mandje është e mundimëshme) që muskujt të rrifillojnë veprimtarinë e tyre pas një pushimi të zgjatur (15 minuta janë mëse të mjaftueshme për të pushuar).

Kujdes: në mënyrë që nga pushimi të përfitojnë të gjithë, mos lejoni shkëputje në grup dhe mos organizoni pushim kur nuk keni nevojë për te. Pushoni kur e keni të domosdoshme.

Ecja teposhtë është më pak e lodhëshme se ecja në të përpjeta, por shpesh ajo është e shoqëruar edhe me të papritura: më shumë aksidente ndodhin në të tatëpjeta se sa në të përpjeta. Tek shkojmë teposhtë pesha tryupore “shëmbet” dhe godet në kofshët dhe këmbët. Majat e gishtave mblidhen në krye të këpucëve. Trondtitjet nga këmbët shkojnë lart e marin tërë trupin dhe në fund të ditës shfaqja e flluskave në këmbë dhe dëmtimi i gjunjve, dhimbja e kokës, e shpinës, apo edhe thonjtë e nxirë mundet të jenë inventari më i pranueshëm i dëmtimeve.

Ngjitësit me përvojë përdorin ca teknika për të lehtësuar a shmangur dëmtimet në të tatëpjetat. I shtrëngoni lidhset e këpucëve që kështu këmba të mos “llokoçitet” në këpucë dhe gishtërinjtë të rinë pranë njëri tjetrit. Nëse e keni kazmën ose keni shkopinj skishë i përdorni që hera herës një pjesë të peshës goditëse në zbritje t’ja kaloni, nëpërmjet tyre, krahëve. Ruani një shpejtësi zbritje e cila është më e vogël se ajo që ua dikton tërheqja gravitacionale. I përkulni gjunjët që të absorboni çdo hap dhe i mbështetni këmbët në truall e ngadalë, a thua se i keni të dëmtuara. Kjo do bëjë që tu lodhen pjesët e sipërme të muskujve të kofshëve. Dhe mos harroni se pushimet tek zbrisni janë po aq të rëndësishme sa edhe ato tek ngjiteni.

Ecjet lart apo poshtë janë më të pëlqyera se sa ecjet e tërthorta (traversimi). Ecja e tërthortë të përdredh kyçet e këmbëve e gjunjëve, përdredh vithet dhe të prish drejtpeshimin. Nëse e keni të mundëshme të shmangni kalimet tërthore e bëni pa mëdushje: është më mirë të shkoni në një itenerar që shkon përpjetë ose teposhtë edhe sikur tu duhet të kryeni një ecje ma të zgjatur. Gjithnjë shikoni për pjesë rruge që mundet të jenë të sheshta, apo sa më të sheshta, ngase ato ndikojnë në çlodhjen e muskujve ndërkohë që ecni.

Ngjitja në grup, ose lëvizja në grup, përfshin e kërkon një sërë veprimesh njerzore si dhe marrje parasysh të rrethanave të cilat ndihmojnë për ta bërë udhëtimin më të efektëshëm dhe më të gëzueshëm.  Kështu:

  • Shmangni qëndrimin shumë pranë njëri tjetrit. Mbani një distancë prej 3-5 hapa larg njëri tjetrit.
  • Kazmën e mbërtheni si duhet në ranc. Nëse e mbani në dorë e përdorni ose e mbani në pozicion të tillë që thumbi i sajë të jetë në shikimin tuaj.
  • Mos qëndroni shumë mbrapa. Një gjë e tillë do u bëjë që të humbisni komunikimin me grupin, ndërkohë që do e detyroni grupin që hera-herës të presë për ju.
  • Shikoni shokun mbrapa teksa duke ecur keni marë përpara një degë peme. E ndihmoni si të mundeni ndjekësin tuaj që të mos fshikullohet nga dega.
  • Bëni mënjanë tek ndaleni për të përshtatur veshjen a gjësend tjetër, apo për të bërë një fotografi. Nëse është e mundur mënjanojuni mbi e jo nën pjerrësinë a shtegun ku po kalohet.
  • Nëse keni nevojë për një moment që të kaloni përpara, kërkoni leje e “mos përdorni brylat.”
  • Nëse takoni një grup që lëviz në drejtim të kundërt me ju, silluni njerzishëm. Rregulli është që ata që janë në të tatëpjetë i hapin rrugë (bëjnë dy-tre hapa mënjanë) atyre që shkojnë përpjetë që të mos u ndryshojnë ritmin e ngjitjes.
  • Vendosni një rritëm lëvizje (ecje) të përshtatëshëm, të tillë që nuk i raskapit ata që janë të ngadalshëm në grupin tuaj. Nëse shikoni se dikush ka mbetur pas, e përshtatni tempin e ecjes me mundësitë e tij/saj.
  • Më të ngadaltin e grupit e vini në krye të grupit. Kjo do ndikojë tek ai/ajo që të ritë shpejtësinë e ecjes.
  • Mos lejoni askend të ecë i vetëm, si në krye e në fund të kolonës.
  • Nëse dikush është tepër i ngadaltë, e ktheni me një person të dytë dhe lini një vend takimi me të; mundëshisht përcaktoni edhe kohën se kur mundet të takoheni rishtaz.
  • Vendosni në krye e në fund të kolonës ata të cilët e njohin itenerarin dhe/ose kanë përvojë. Në këtë rast, nëse itenerari është i njohur, caktoni me kohë se ku do të jenë pikat e grumbullimit për pushim. Kjo do mundësojë grupin të lëvizë me nëngrupe të vogla dhe me shpejtësi të nëngrupit.
  • Jini gazmor dhe mos u tregoni i pavarur. Silluni në atë mënyrë që do të donit të sillet një tjetër me ju gjatë shoqërisë në ngjitje.

 

Itenerarët

Rrugët më të thjeshta në natyrë janë shtigjet. Ato parapëlqehen meqë janë të hapura, për kalimtarë ose për bagëtitë. Por ka edhe itenerarë ku ju duhet të kaloni dhe që nuk përshkohen nga ndonjë shteg. Ka itenerarë ku shtegu i kalimit herë duket e herë zhduket. Ka shtigje të cilat janë të shënuara dhe madje edhe me tabela që u lehtësojnë çanësimin (orientimin) në itenerarin që ndiqni (ka raste që ato mundet të jenë dëmtuar dhe tek kthesat gjithnjë verifikoni nëse nuk keni gabuar).

Si rregull ngjitësit shfrytëzojnë çdo gjë të “shkruar” në shtegun e ngjitjes, por shpesh ky shteg humbet këtu e atje, madje jo rrallë ai nuk ka asnjë gjurmë. Në kësi rastesh ju duhet të ndani mendjen për ta krijuar atë në mendjen tuaj dhe për ta zbatuar duke e kaluar hap pas hapi. Për këtë do u ndihmojë harta, lartësimatësi, literatura që keni lexuar, bisedat me ngjitësit e maparshëm, etj. Kështu ju do të krijoni shtegun tuaj.

Të përcaktosh itenerarin është vetëm gjysma e artiti të udhëtimit a ngjitjes suaj. Të përdorurit e tij në mënyrë të ndjeshme dhe të kujdesëshme është pjesa tjetër e artit. Sa më poshtë janë disa këshilla për përdorimin e itenerarit; edhe më shumë:

  • Qëndroni brënda kufijve të shtegut egzistues mbasi kështu ju mbroni vegjetacionin përreth. Kjo veç të tjerash d.m.th. që të lëvizni në kolonë për një.
  • Qëndroni vazhdimisht në shteg edhe sikur të jetë me baltë apo me pabarazi. Kaloni në borë sa herë që të jetë e mundëshme.
  • I hidhni këmbët me kujdes. Tregoni kujdes të veçantë kur kaloni nga balta në borë apo nga bora në shkëmb e anasjelltas.
  • Gjithnjë kujdesuni që të mbroni vegjetacionin si dhe të mbroni terrenin nga errozioni nëpërmjet ndjekjes së zig-zageve (jo drumime!).
  • I mblidhni hedhurinat që ndeshni në rrugë e sipër.
  • Tek organizoni pushimet, zgjidhni vende të cilat e marrin vehten shpejt nga ndonjë dëmtim që shkakton qënia tuaj aty.
  • Vështroni e fotografoni përreth në vend që të këpusni (lule, etj.) ose të mblidhni koleksione.
  • Shmangni dëmtimet e burimeve ujore dhe brigjeve të tyre që të minimizoni kështu errozionin.
  • Zgjidhni shtigje me patoz (truall të fortë) në vend të atyre me truall të butë (luginë, kullotë, etj.)
  • Nëse jeni të detyruar të kaloni nëpër një kullotë ku nuk ka shteg, mos ecni në kollonë për një por të shpërndarë që kështu të minimizoni dëmtimin e vegjetacionit.
  • Nëse shtegu është i shënuar me flamuj, batina, etj., mos i lëvizni ato; nëse ju vendosni të tilla, i lëvizni para se të largoheni nga ajo zonë.

 

Shkurret shpesh janë një tmerr i vërtetë kur jeni të detyruar të gjeni shteg nëpër to. Ato sikundër janë të një vlere të veçantë për të ruajtur reliefin nga errozioni, në të kundër, janë një tmerr për të çarë rrugën mes tyre. Madje edhe kur arrimë t’ja dalim në një farë mase, shpesh veshja, ose ranci apo litari do na ngecin nëpër degët e vegjetacionit hera herës duke na bezdisur, sidomos kur jemi të lodhur.

Fatmirësisht shkurret rriten në zona të ulta, nën zonën e kullotave alpine dhe nuk janë pengesë në realizimin e sulmit për itenerarët alpinë ose ngjitjen e majave të larta.  Porse shkurret bëhen pengesë në afrimin drejt këtyre itenerarëve. Në vendet ku përmes shkurreve nuk ka shtigje të hapura, zgjidhni pyllin e rritur apo kreshtat e çveshura për të përcaktuar itenerarin e lëvizjes. Nëse nuk mundeni t’i shmangeni kalimit nëpër shkurre, zgjidhni pjesën ma të ngushtë të brezit me shkurre. Gjëja ma e mirë është t’i shmangeni shkurreve, por kur nuk mundeni të bëni një gjë të këtillë ja disa këshilla:

  • Shfrytëzoni shtigjet egzistue sa të mundeni; 5 km shteg është më ekonomik se kalimi i një kilometri nëpër shkurre.
  • Kalimi nëpër zonën me shkurre në kohën që terreni është i mbuluar me borë është thuajse gjithnjë pa probleme.
  • Shmangni rrugëkalimet e ortekëve. Si rregull në shpatet jugore e perëndimore orteqet janë më të rrallë. Kur i ngjiteni një pjese të thepisur, për t’ju shmangur orteqeve, zgjidhni zonën me pemët më të rritura midis dy vendkalimeve të orteqeve. Në përgjithsi nën pemët e rritura shkurret janë më të rralla.
  • Parapëlqeni të ecni nëpër shpate të pjerrta, pjerrësi me val, apo vend me borë të vjetër sesa në shkurrnajën ngjitur.
  • Shikoni për shtigje nga kalojnë kafshët e pyllit. Ato kanë aftësinë të gjejnë shtegun me bimësinë më të rrallë në një shkurrishtë.
  • Si rregull kreshtat janë me më pak shkurre krahasuar me luginat, përrenjtë dhe pjesët ma të ulta të reliefit.
  • Nëse jeni të detyruar të ndiqni rrugëtimin e një përroi, qëndroni gjatë gjithë kohës sa më pranë ujit të tij mbasi aty keni edhe shkurrishten më të rralluar. Nëse përroji është i thatë ju keni një shteg ideal për të kaluar për sa kohë që “ujvarat” e thata nuk janë të larta apo nuk ka pemë të rrëzuara.
  • Nëse itenerari tuaj shkon paralel me një luginë, konsideroni ngjitjen tek zona e pyllit të rritur ose në kreshtë mbasi kështu itenerari do jetë mbi shkurrnajë.

 

Lugjet me val dhe pjerrësitë me shkëmb e gurë janë forma të zakonshme reliefi në mal. Majat e maleve vazhdimisht çbëhen duke rrokullisur teposhtë copa shkëmbi (val) të cilat formojnë lugje me val (jo pak vende janë emëruar pas tij, si: Maja e Valit, Lugu i Valit, etj.) ose pjerrësi shkëmbore a me gurë.  Më e shumta e rrokullisjeve derdhet nëpër koridore dhe më tej hapet/shpërndahet në formë erashke (ose trekëndore). Shpesh këto forma bien mbi njera tjetën duke formuar një brez me shkëmbenj të thyer midis gjelbërimit të luginës dhe majave të malit. Këto breza trekendorë hera-herës gërshetohen në drejtime vertikale me pyllin e rritur në anët e tyre. Pjerrësitë me gurë si rregull janë me gurë më të mëdhenj dhe mbi to kalohet pa vështirësi duke marshuar njëri pas tjetrit. Lugjet me val i kanë gurët ma të vegjël dhe copëza të tyre mundet tu futen në këpucë.

Shpatet me gurë a val kërkojnë kujdes tek kalohen ngase, nëse për ndonjë arësye rrëzoheni, gurët a vali i mprehtë mundet tu dëmtojnë seriozisht, veçanërisht në zbritje.

Shpatet me gurë kërkojnë kujdes tek ngjiteni: ka gurë të cilët nuk kanë bazament të mjaftueshëm për të qëndruar në barazpeshë ndërkohë që ju vini këmbën mbi ta. Lëvizja e tyre shpesh sjell si pasojë rrëzimin e ngjitësit. Andaj këshilloheni që të kaloni gradualisht në ta peshën tuaj dhe të jeni të gatëshëm që sapo të ndjeni lëvizjen e gurit ta lini atë e të kaloni këmbën në një tjetër. Duke qënë syhapur për kësi rastesh ju do të fitoni përvojën e mjaftueshme që reflekset tuaja të punojnë mjaft mirë, madje edhe të aftësoheni në zgjedhjen e gurit të qëndrueshëm për vendosjen e këmbës.

Në koridore të ngushtë e të pjerrët duhet të tregoni kujdes tek ngjiteni në grup. Nëse nën këmbën tuaj shkëputet një gur a një val, mos nguroni që mënjëherë të thërrisni, “guri!’ Sa ma fort! Në të këtilla vendkalime grupit i këshillohet të lëvizë sa më kompakt, pa distancë midis pjestarëve, sepse kështu guri që fillon të marrë rrokullimën nuk do të ketë mundësi të marë moment të konsiderueshëm e dëmtues nëse godet ndonjë nga anëtarët e grupit. Në këto vende grupit gjithashtu i këshillohet që të lëvizë një ngjitës në një kohë duke kaluar nga njëra anë e koridorit në tjetrën.

Vali i shtresuar mbi val e bën kalimin e ngjitësit të mundimshëm, ngase bazamenti ku vihet këmba është gjithnjë i paqëndrueshëm dhe shpesh ai mundet të rëshqasë mbi sipërfaqen e valit. Me raste kjo rrëshqitje (në fakt është çvendosje për teposhtë) e valit nën këmbët e ngjitësit ndikon në rrokullisjën teposhtë të një sipërfaqeje të konsiderushme të valit në shpat. Ngjitësit i këshillohet të mbetet gjakftohtë e të ruaj drejtqëndrimin e tij mbi masen që rrokulliset deri sa ajo të ndalet. Ndërkohë ai duhet të lëvizë këmbët sikundër në komandën ushtrimore “në vend numuro” që kështu të shpëtojë mbulimin e këmbëve nga vali në rrokullisje. Mos harrojmë se një terren i tillë është favorizues në zbritje, porse kini kujdes që shpejtësia tuaj e zbritjes duhet të jetë gjatë gjithë kohës sado pak ma e madhe se ajo e masës së gurëve që rrokullisen në drejtimin tuaj. Në të kundërt ju do të rrëzikoheni të mbuloheni nga një ortek vali (gurësh).

Bora, apo dëbora, është shpesh e bekuar kur mbulon shkurret dhe pengesa të tjera të itenerarit që shfaqen në mungesë të saj. Sipërfaqja e mbulluar me borë kërkon kujdes të kontrollohet në vendet ku ajo ka krijuar ura lidhëse mbi rrëke uji, mbasi mbi to ajo ka një shtresë të hollë dhe lehtësisht të thyeshme. Pakujdesia jonë në këto raste mundet të pasohet me rënien në ujë dhe lagjën e këmbëve, përdredhjen e kyçeve, etj. Kontrolli i kujdesëshëm i sipërfaqes së borës sa herë që dyshojmë është i domosdoshëm. Gjithnjë duhet të kujdesemi kur kalojmë pranë pemëve a shkëmbit tek jemi mbi sipërfaqen e mbuluar me borë dhe anasjelltas: bora shkrin nën vehte në kontakt me shkëmbin, drurët e rënë ose pemët dhe shtresa e saj e holluar nuk e mban peshën tonë trupore.

Teknikat e ecjes në borë nuk varren nga lartësia mbi nivelin e detit. Në shpate të pjerrta, kudo ku janë ato, ju do të keni nevojë gjithnjë për këpucë dhe kërcirje dhe sipas cilësisë së borës për një kazëm alipine, apo edhe për kthetra. Përvoja do u mësojë të shfrytëzoni ecjen mbi borë në mënyrë të tillë që t’i kënaqeni kalimit nëpër të.

Ujrat rrjedhëse janë gjithashtu një element i pandarë i reliefit malor. Burimet, përrejtë e lumejtë janë perla në lëvizje të natyrës. Në vendin tonë ato nuk janë pengesa serioze për të realizuar itenerarët e menduar. Për kulturë si dhe për t’i bërë ballë rasteve të veçanta le të trajtojmë disa sygjerime e teknika për kalimin e tyre.

Kur kaloni një lumë ose përrua të rrëmbyer, duhet të mendoni se për një çast do të bini në ujë dhe do të detyroheni të notoni. Andaj, rancin e çlironi nga të gjitha togzat e rripat sigurues nga trupi tuaj duke lënë vetëm një rrip mbajtës që tu kalojë mbi sup. Nëse rrëzoheni tek kaloni lumin, e hidhni menjëherë rancin.

Një tra i cili shkon nga një breg në tjetrin është i mjaftueshëm që të kaloni nëpër të duke patur në dorë kazmën, një shkop ose një litar të kaluar tej e tej për të siguruar drejtpeshim ose mbajtje.

Kalimi nëpër gurët e lumit a përroit është një mundësi tjetër për të kaluar në buzëujin matanë. Duhet të llogarisni saktësisht se cilët gurë do të përdoren (duke patur parasysh hapin tuaj) si dhe të jeni të gatshëm të manovroni nëse ndonjë gur nuk ka bazament të mirë ose ka lëmyshk në sipërfaqe, raste këto që do mundësojnë humbjen e ekujlibrit nga ju.

Nëse duhet të kaloni nëpër ujë, mes për mes nga një breg në tjetrin, zgjidhni pjesën ma të gjërë të rrjedhës ngase aty thellsia do jetë ma e vogël. Gjithashtu kini parasysh të kaloni një lumë atu ku ai shkumbon, mbasi aty është “pika” ku vrrulli i ujit është ma i vogël (lumi aty thyhet).

Nëse uji është i qetë por në shtrat ka gurë të rrumbullakët, i hiqni këpucët dhe e kaloni lumin a përroin të zbathur. Puna dërlikohet nëse gjërësia e lumit është e konsiderueshme dhe uji tepër i ftohtë. Në kësi rastesh ju duhet të gjykoni se cila është mënyra më e mirë për të kaluar, duke konsideruar sigurinë tuaj, të qënët i thatë (ose artikujt që duhet të mbeten pa tjetër të thatë) dhe udhëtimin që duhet të kryeni mbasi të keni hedhur lumin.

Rryma e rëmbyer mundet të mos vlerësohet drejtë. Duhet të keni parasysh se: nëse në të uji u arrin deri në kërci, tek futeni në lumë uji do u ngjitet deri në gju; nëse thellësia është deri në gju, rryma do e bëjë atë që tu ngjitet deri në përmjet. Kur uji u ngjitet mbi gju, gjithnjë ka rrezik që të rrëzoheni në lumë a përrua. Dhe si gjithnjë, duke u lagur ju do keni shumë probleme teksa jeni në natyrë.

Kur kaloni një përrua a lumë që nuk ka shpejtësi rrjedhje të konsiderueshme, ju mundet ta kaloni ujin drejtpërdrejtë në buzëujin tjetër ose duke u çvendosur paksa në drejtim të rrjedhës (si të thuash duke shkuar edhe në drejtim të rrjedhës së ujit). Por nëse rrjedha është e shpejtë, parapëlqeni si vendkalim aty ku uji shkumbon, pasi aty atij i është prerë sadopak vrrulli. Në këtë rast lëvizni duke u çvendosur sado pak përpjetë rrjedhës.

Në rastin e një rryme të fortë përdorni kazmën ose një shkop si pikë mbështetje në shtratin e lumit, jo në drejtim të rrjedhës, por përpjetë, në të kundër të rrjedhës. Fillimisht e “ngulni” shkopin a kazmën duke u ballafaquar me rrymën, përkuluni paksa nga rryma dhe ngulni shkopin/kazmën në shtratin e lumit/përroit; pas kësaj lëvizni paralel me shtratin e lumit këmbën e cila do u japë ecjen për në drejtim të bregut tjetër (më e sigurtë është këmba e “poshtme”, ajo që është andej nga shkon rrjedha) dhe pastaj lëvizni këmbën tjetër, gjithnjë sa ma paralel me shtratin e lumit.  Pas kësaj lëvizni përsëri shkopin në një pozicion të ri, dhe cilkli ripërsëritet.

Lumi mundet të kalohet edhe me grupime: me dy, tre ose katër vetë njëherësh. Kur janë më shumë se katër vetë në grup këshillohet që grupi i kalimit të coptohet në grupe ma të vogla. Në këtë rast (po marim si shembull kalimin e një grupi me tre vetë), sejcilit i caktohet një numur dhe personi ma i fuqishëm e ma i rëndë në peshë trupore i kthen shpinën rrymës së ujit dhe të gjithë grupformuesit të kapur krahqafë futen në rrejdhë. Një nga anëtarët e grupit (më mirë ai që është me shpinë nga rrjedha) fillon e numuron jo shpejt: nji – dy – tre dhe e përsërit numurimin deri sa dilet në anën tjetër të bregut. Thirja e numurit d.m.th. që personi të cilit i korrespondon numuri do të lëvizë rrafsh me shtratin e lumit njerën këmbë.

Lumi mundet të kalohet edhe me dy litarë, duke i kaluar ato nga një anëtar i grupit me përvojë më këmbë ose me not në buzëujin tjetër dhe duke i përdorur njërin si sigurues dhe tjetrin si parmak (mbajtës) për tu kapur në kalimin e lumit.

Lumi kalohet edhe duke i nderur dy litarë në dy brigjet e lumit duke “sakrifikuar” vetëm një anëtar të grupit që të laget. Ky kalim, i ashtquajtur teleferik, më fort është demonstrativ dhe kur realizohet kërkon shumë përgatitje e përkujdesje për të tendosur në masën e duhur litarët si dhe për të realizuar kalimin e sejcilit në anën tjetër të lumit pa u zhytur në të. Ja vlen që në raste demonstrimesh të realizohet në kanione të cilat kanë gjithnjë mundësi të sigurojnë daljen matanë pa u lagur. Praktikat e ngjitjeve në male dhe ekskursjoneve në natyrë na kanë mësuar se kalimi i lumejve e përrejve me teleferik nuk është i nevojshëm të mësohet si temë e nevojshme për të realizuar një itenerar në natyrë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *